“Të shtënat ishin breshëri” – Dëshmitari rrëfen si u ekzekutua ‘Bobi’ me urdhër të vëllezërve Çopja

3 Minuta Lexim

Në procesin “Plumbi i Artë” ka dëshmuar këtë të enjte para gjykatës dëshmitari Zylyf Hoxha, lidhur me vrasjen e ndodhur më 13 dhjetor të vitit 2019, ku mbeti i vrarë 26-vjeçari Andi Zylyfi, i njohur me nofkën “Bobi”, ndërsa u plagos miku u tij Ardit Uruçi.

Hoxha tregoi se mbrëmjen e 19 dhjetorit 2019 ndodhej në lokalin e fshatit, bashkë me disa banorë të tjerë. Pak minuta para të shtënave, disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit hynë me nxitim brenda dhe njoftuan se kishin dëgjuar të shtëna me armë.

“Jam thirrur në vitin 2019 në polici për një ngjarje të ndodhur në fshatin Përparim. Disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit u futën brenda, kuptuan që ishin të shtëna. Unë lajmërova policinë dhe i thash dëgjuam të shtëna. Këto deklarime i kam thënë dhe përpara komisiariatit Peqin dhe në Elbasan”, ka dëshmuar ai.

Zylyfi dhe Ardit Uruçi, të cilët kishin qenë pak më herët në lokal ku kishin marrë ujë, kishin dalë jashtë pak minuta para atentatit.

Ai sqaroi se në lokal ndodheshin edhe kushërinjtë e viktimës, mes tyre Edison Zylyfi, si dhe disa të afërm të Uruçit.

“Në këtë ngjarje mbeti i vrarë “Bobi”, Andi Zylyfi. Ne nuk e pamë dhe nuk e verifikuam ishte vrarë apo jo, u shtrimë të gjithë në tokë. Përveç tij, u plagos njëri me mbiemër Uruçi. Ishin të njohur për ne, fshatarët tanë. Jemi fqinj, komshinj. “Bobin” e shihja te ai lokali, është kafja e fshatit.

Aty te lokali ishin edhe kushërinjt e tij, Edison Zylyfi, Uruçi ishte aty, ishin disa kushërinj të tij. Ai erdhi na respektoi pastaj mori një shishe ujë pastaj doli jashtë lokalit bashkë me Uruçin (i referohet Ardit Uruçit). Nuk e di kush gjuajti me armë, ne u trembëm u larguam nga frika. Sa dolën jashtë lokalit, jo me shume se 10 minuta dëgjuam të shtëna. Dëgjuam që janë të plagosur , pastaj i morën familjarët për ti çuar në spital. Të shtënat ishin breshëri”, ka dëshmuar ai.

SPAK akuzon vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja si porositës të vrasjes së Andi Zylyfit. 26-vjeçari ishte djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit i ekzekutuar po nga vëllezërit Çopja në 2018-ën. Nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe miku i tij Ardit Uruçi, 23-vjeç, banues në fshatin Përparim. Atentati ndaj dy të rinjve është bërë teksa ishin së bashku në një makinë tip ‘Golf’.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull