Presidenti Bajram Begaj ka shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në 113-vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, kreu i shtetit theksoi angazhimin e tyre në misione dhe operacione ndërkombëtare, duke na bërë krenarë.
“Sot, në ditën e themelimit të Forcave të Armatosura, nderojmë me respekt kontributin, sakrificat dhe shërbimin e vyer të të gjithë efektivëve të FARSH që me atdhedashuri, besnikëri dhe disiplinë i kanë shërbyer atdheut në këto 113 vite.
Forcat e Armatosura, me angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizimin e tyre, kanë arritur me sukses të jenë në lartësinë e detyrës për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së vendit.
Pjesëmarrja në misione dhe operacione të NATO-s, BE-së dhe OKB-së na bën krenarë dhe kontribuues me vlera në sigurinë kolektive.
Mirënjohje për çdo efektiv, vajza dhe djem, gra dhe burra të Forcave të Armatosura për shërbimin që i bëjnë atdheut!
Gëzuar 113-vjetorin FARSH!”, shkruan Begaj në Facebook.

