Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur hapur për krizën brenda Partisë Demokratike dhe arsyet pse, sipas tij, kjo forcë politike nuk po arrin të rikuperojë besimin e qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Shehaj theksoi se problemi kryesor i PD-së është figura e Sali Berishës, një çështje që, sipas tij, partia vazhdon ta shmangë.
“Elefanti në dhomë te PD që duhet adresuar është Sali Berisha, duan apo s’duan,” deklaroi ai.
Shehaj tha se fajin nuk e mbajnë strukturat bazë dhe as drejtuesit lokalë, por mungesa e vullnetit për t’u marrë me problemin kryesor që mban peng ringritjen politike të PD-së.
“Nuk e ka fajin një kryetar seksioni në një fshat të Shqipërisë. Nuk është ky thelbi. Në PD ka shumë figura të mira, por më vjen keq që nuk merren me thelbin,” u shpreh ai.
Lidhur me marrëdhëniet me Sali Berishën, Shehaj bëri të ditur se kontakti i tyre i fundit ka qenë në momentin që ai u largua nga PD, duke treguar se komunikimi midis tyre është ndërprerë plotësisht që prej asaj kohe.

