Ibrahimaj: Hyrja në tregun e BE kërkon harmonizim me standardet europiane

3 Minuta Lexim

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, ku u prezantuan pritshmëritë e biznesit mbi digjitalizimin e shërbimeve vendore dhe draft rekomandimet përkatëse, gjetjet e anketës 2015–2025 mbi klimën e investimeve  me fokus ndërveprimin me administratën tatimore dhe sfidat e futjes në tregun e përbashkët , si edhe sugjerimet mbi planin e punës së Këshillit për vitin 2026.

Ministrja shprehu angazhimin maksimal të MEI në drejtim të plotësimit të detyrave veçanërisht procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në fushën e ekonomisë dhe mbështetjes së biznesit.

“Janë kritere, standarde, kërkesa, që do të duhet të zbatohen nga biznesi shqiptar, ekonomia shqiptare, dhe kjo paraqet një sfidë të madhe për sa i përket të gjithëve ju, të gjithëve ne. Por ama paraqet edhe një mundësi të madhe”, tha Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi disa çështje gjatë mbledhjes, si:

·       rëndësinë e unifikimit dhe modernizimit të shërbimeve vendore,

·       nevojën për transparencë të lartë, vendosjen e treguesve të matshëm dhe koordinim të qëndrueshëm qendror dhe vendor,

·       angazhimin për përmirësimin e mjedisit fiskal dhe rritjen e besimit të biznesit.

Ndërkohë që në prioritetet kryesore për vitin 2026, Ministrja nënvizoi:

·       Digjitalizimi i shërbimeve vendore

·       Forcimi i administratës tatimore

·       Mbështetja për SME-të në procesin e tranzicionit europian

·       Miratimi i rekomandimeve të Këshillit të Investimeve si bazë e punës për vitin 2026.

Ministria  gjithashtu informoi mbi disa inisiativa të ndërmarra nga MEI në drejtim të formalizimit, informimit me sistematik dhe rikonfirmoi angazhimin për të vijuar reformat që rrisin transparencën, ulin kostot për bizneset dhe nxisin një klimë investimi më moderne, më konkurruese dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

Në këtë takim mori pjesë dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, që vlerësoi se digjitalizimi i shërbimeve nga Bashkitë do të sjellë një përmirësim të shërbimeve të tyre për sipërmarrjen dhe qytetarët, edhe pse është një proces që kërkon kohë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve qëndrore, vendore, përfaqësues të biznesit vendas dhe te huaj që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull