Nga Erion Piciri-
Në një nga fjalimet e tij të fushatës presidenciale në New Hampshire, më 8 janar të vitit 2008, Barack Obama do të fliste për të veçantën e fushatës së tyre, që nuk kishte të bënte me qëllimet dhe patriotizmin e tij të veçantë, sepse të gjithë kandidatët kishin ide dhe i kishin shërbyer vendit me nder, as se çfarë mund të bënte ai ndryshe për Amerikën, por se çfarë mund të bënin ata njerëz të thjeshtë për ta ndryshuar vendin e tyre. Dukej si retorikë politike, por në fakt kishte të bënte me një nocion social e politik të veçantë – organizimin dhe fuqizimin e komunitetit për të influencuar drejtimin politik të vendit. Fushatat presidenciale të Obamës kishin një formë organizimi që shkonte në çdo qelizë të shoqërisë, me një mobilizim kombëtar që lëvizte si uragan zgjedhor nga shteti në shtet dhe bëri të mundur fitoren e dyfishtë të tij. Njerëzit e thjeshtë afroheshin në lëvizje dhe rriteshin si organizues dhe liderë të komunitetit, socializoheshin me njëri-tjetrin, trokitisnin derë më derë, mblidheshin me të panjohur dhe lidhnin miqësi të reja rreth kauzash politike të përbashkëta. Vështirë të dalloje liderin midis tyre, se rolin drejtues e merrte çdokush që shërbente më shumë, që ishte më i devotshëm për t’i çuar përpara aktivitetet.
Shkon kjo formë lidershipi në hije, si mënyrë për të marrë përgjegjësi, për të shërbyer dhe realizuar me modesti, pa dalë në dukje, duke akumuluar pushtet e të mira, dhe pa ceremoniale e trumbetim me të madhe e asaj që kryhet. Ky lloj lideri do të ishte më i miri edhe për filozofin e lashtë kinez Lao Tzu, sepse njerëzit, sipas tij, nuk do ia ndjenin prezencën, duke besuar se gjithçka e kishin kryer vetë. Një mënyrë e fuqizimit të shoqërive dhe vetëkufizimit të pushtetit të liderit kryesor, pa zbehur rolin e qenësishëm të tij.
Elizabeth McKenna dhe Hahrie Han e shpjegojnë edhe më mirë këtë mënyrë lidershipi dhe se si u krijua ajo masë prej 2.2 milion vullnetarësh anembanë Amerikës, që bënë Obamën president. “Sekreti” qëndronte tek historia e lëvizjeve civile, me bazë organizimin dhe fuqizimin e njerëzve të thjeshtë, shumë prej të cilëve të implikuar posaçërisht në këtë fushatë. Ndoshta edhe më tej në historinë e demokracisë amerikane. Sipas McKenna dhe Han, ndërtimi i marrëdhënieve të thella personale midis organizuesve dhe vullnetarëve, si dhe midis vullnetarëve dhe zgjedhësve, duke stimuluar rritjen e agjentëve të ndryshimit brenda komunitetit dhe rritjen pa kufij të liderave të rinj në radhët e tyre, çliroi atë energji që u kthye në fuqi dhe fuqia në pushtetin e ardhshëm të këtij organizimi kombëtar. Autorët vunë re se motivimi dhe kapaciteti për të vepruar i kësaj lëvizjeje vinte “jo vetëm sepse ata mbështesnin Obamën, por gjithashtu se mbështesnin njëri-tjetrin”.
Për Marshall Ganz-in, profesorin e ‘Lidershipit, Organizimit dhe Ndryshimit’ në Harvard Kennedy School, njëherësh aktivist veteran (me përvojë 60 vjeçare në lëvizjet e të drejtave civile që nga koha e Martin Luther King-ut), organizimi i komunitetit qëndron në themel të lidershipit dhe funksionalitetit të demokracisë. Qëllimi i këtij lloj organizimi, sipas Ganz-it, është akumulimi i fuqisë tek të shumtët për të balancuar dhe për t’iu imponuar pushtetit të të paktëve. Në fakt, kjo është një mundësi që pushteti të marrë në konsideratë vullnetin e të gjithë atyre që përfaqëson, duke zgjedhur një rrugë që përmbush aspiratat e pjesës më të madhe të komunitetit, por edhe prezencën aktive të të qeverisurve në punët e vendit. Ata duhet të kenë prani fizike dhe ideore në rrugët dhe tryezat e vendimmarrjes publike.
Veçse ky koncept mund të jetë i papranueshëm për disa organizata dhe prijës me mendësi feudale. Atje ku pushteti është i centralizuar dhe pronë e një pakice, ku vendimet merren në oda të mbyllura, fuqizimi i shumicës nuk dëshirohet, madje mund të luftohet. Historikisht, partitë tona përqëndrohen tek kryetari dhe klientela e tij, mbështetja e ndonjë grupi mediatik apo analistësh profesionistë, për t’i bërë mbrojtjen publike të veprimtarisë politike dhe mobilizimi i militantëve për aksione politike apo nxjerrë në votime zgjedhësit tradicionalë. Një tip funksionimi politik që ruan dominimin e një prijësi dhe klanit rreth tij, por pamundëson përfshirjen e masës së madhe të qytetarëve, e njerëzve të rinj, lidhjen dhe fuqizimin e tyre për të pasur ndikim mbi fatet e organizatës dhe të vendit. Një model i kundërt me demokracinë, që ngjan më shumë me një autokraci politike. Në kësi rastesh, rezultatet janë të dobëta, sepse njerëzit nuk afrohen atje ku i refuzojnë apo i përdorin si dekor. Njeriu bashkëkohor kërkon rol, peshë dhe arritje synimesh. Kur mungon përfshirja, vjen indiferenca. Demokracia reale kërkon nxitjen e një vetëorganizimi të komunitetit, ku njeriu i thjeshtë është aktor kryesor i arritjes së qëllimeve specifike të organizatës, gjen të ngjashmit e tij dhe zgjerohet horizontalisht, pa pasur oligarkë partie mbi krye. Ky lloj organizimi qytetar e kthen pushtetin tek masa e madhe, duke u dhënë atyre nxitjen se po punojnë të ndryshojnë vendin e tyre, jo për të bërë dikë mbret.
Demokracia lindi në lashtësi si një fenomen ku antarët e një komuniteti thërriteshin që, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, t’i jepnin drejtim punëve të bashkësisë. Shumë vendeve u mungon ende kjo kulturë dhe e mbajnë njeriun e thjeshtë në distancë nga pushteti, duke ndërtuar një pseudodemokraci, një simulakrum ku, formalisht, njerëzit thërriten të votojnë të përzgjedhurit e grupeve të organizuara në forca politike, por ku vetë nuk e kanë mundësinë reale as të organizohen dhe as të kenë shanse të zgjidhen; ku elitat kanë burimet dhe mjetet dhe njeriu i thjeshtë është i ftuar i sistemit politik, jo pjesëtar i tij, i përpunuar nga mediat dhe nën trysni nga grupet që zotërojnë interesat, nën presion ndaj pafuqisë së tij ndaj atyre që kanë gjithçka në dorën e tyre.
Liderët kanë rol vendimtar në strukturimin ndryshe dhe krijimin e hapësirës për veprim të antarëve të një organizate apo të një shoqërie. Ata mund të stimulojnë ndërlidhjen e njerëzve, iniciativën dhe progresin e tyre, sikurse mund të vigjilojnë për të dërrmuar çdo përpjekje që fuqizon të tjerët. Kjo bën dallimin. Një ndër detyrat e lidershipit është të përmbajë veten, mos të pengojë zhvillimin e komunitetit, mos të marrë rol dominues në jetën e njerëzve, mos të përfaqësohet nga kryenecë egoistë pa sentimente që duan të sundojnë mbi të tjerët. Tipari i liderit të rremë, i autokratit të dorës së fortë, është tendenca për të ndërprerë evolucionin e brendshëm të organizatës në rritjen e potencialit drejtues të antarëve të saj. Mbyllja e mundësive për të ndërmarrë role, përgjegjësi dhe vendimmarrje është një formë për të eleminuar rritjen dhe shmangur konkurrencën, për ta bërë liderin suprem të pa krahasueshëm me të tjerët, i vetmi që mund ta drejtojë komunitetin sot dhe nesër. Ka drejtues që besojnë se janë njëkohësisht e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e një organizate, të dërguar me mision nga lart. Me të tillë bindje, ata janë gati ta shkrijnë të tërën nëse e shohin se dikush tjetër mund t’u zërë vendin. Kjo u shton paranojën për të mbajtur nën kontroll gjithçka që ndodh në territorin e tyre. Një hierarki e tërë të pafuqishmish, që shquhen për besnikëri dhe servilizëm ndaj të parit, popullojnë oborrin e patriarkut. Rasti tipik i organizatave që kompromentojnë rritjen, sepse qëllimi nuk është arritja e të mirës së komunitetit, por promovimi i prijësit dhe përfitimet e vartësve të tij.
Lidershipi i vërtetë është ai i shërbimit me përulësi për arritjen e të mirave të komunitetit, përmes një ndërlidhjeje të fortë midis njerëzve në një rrugëtim që i lartëson moralisht të gjithë të përfshirët në këtë organizim, dhe ku drejtimi është fryt i konsensusit masiv në bazë të meritës, jo si trukim i dhunshëm e hileqar i një individi apo klani për kapjen disproporcionale të pushtetit. Lidershipi duhet të krijojë kushtet e një organizate pa barriera, ku njerëzit lehtësisht të bëhen pjesë e saj, të krijojë një kulturë marrëdhëniesh në harmoni, ku gjithkujt që ndan në makro misionin dhe normat t’i jepet mundësia e progresit të vazhdueshëm. Duhet nxitur zgjerimi dhe të qartësohet trajektoria ku çdo kush të ketë shansin të aplikojë njohuritë dhe inteligjencën në vendimmarrje në funksion të qëllimeve, të ketë një qasje reale në drejtim dhe ku ngjitja deri në krye mos të jetë tabu, por inkurajim nga vetë liderat dhe antarët e organizatës. Frenimi i procesit të rritjes së antarëve apo krijimi i një kaste të ngushtë besnikësh, ku ndahen detyrat dhe mundësitë e rritjes, reflekton tiparet e një lideri të rremë.
Lidershipi është një funksion shoqëror në dobi të komunitetit. Kur paralizon energjitë më të mira të një bashkësie, nuk është më lidership, por uzurpim. James MacGregor Burns bën një dallim midis pushtetit dhe lidershipit: i pari (pushteti) i përqendruar tek përdorimi i mjeteve dhe burimeve për të realizuar qëllimin e pushtetarit, pavarësisht nëse ky është edhe qëllimi i atyre mbi të cilët bie vullneti i tij; i dyti (lidershipi) si mobilizues i mjeteve dhe burimeve për përmbushur qëllimet e bazuara në vlera dhe dëshirat e përbashkëta të liderit dhe ndjekësve. Nëse pushtetmbajtësit mund t’i trajtojnë njerëzit edhe si objekte, thotë ai, lidershipi jo, se është i pandashëm nga dëshirat dhe nevojat e mbështetësve.
Lideri duhet t’u japë bashkëpunëtorëve, si të rinjve ashtu edhe të vjetërve, besimin dhe pavarësinë e punës, duke i mbajtur ata përgjegjës për rezultatet e pritshme, duke stimuluar pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e të gjithëve për të krijuar kushte për motivim dhe arritje të larta në ekip. Një tolerancë e kalkuluar ndaj rebelizmit konstruktiv të ideve të reja, njerëzve novatorë dhe të guximshëm mund të ndihmojë organizatën të rritet dhe të forcojë udhëheqjen në të gjitha nivelet. Një organizatë si një ushtri ka nevojë për më shumë gjeneralë, për më shumë liderë në funksion dhe potenciale në nivele të ndryshme, jo vetëm për ushtarë dhe një marshall në krye të hierarkisë. Duhet të ketë shpërqëndrim të pushtetit, të zgjerohet hapja ndaj shoqërisë për njerëzit që ndajnë një nivel bazik të vlerave dhe principeve. Takimet duhet të zhvillohen për të mbledhur idetë dhe gjeneruar drejtues të rinj për veprime specifike mbi objektiva të qarta, jo për të demonstruar fuqinë e njërit dhe pafuqinë e shumë të tjerëve. Organizata duhet të jetë shtëpia e të gjithë komunitetit, jo streha e një klani ku të tjerët ftohen për aq kohë sa janë të bindur dhe hidhen tej kur shfaqin shenja mospajtimi. Ne kemi nevojë për një mjedis tejet lejues për ngjitje dhe zbritje natyrale në hierarki, në sajë të meritës, ku ndryshimi dhe vazhdimësia e gjejnë lehtësisht unitetin dhe harmoninë, ku grupet e interesave balancojnë njëri-tjetrin dhe askush nuk ka pozicionin dominues për të përjashtuar të tjerët nga jeta e organizatës.

