Juristi dhe politikani: Roli i tyre në shoqëri

11 Minuta Lexim
Nga Arben Isaraj-
Në një rend demokratik, juristi dhe politikani mishërojnë dy parime themelore të organizimit social: shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin demokratik. Perspektivat filozofike ofrojnë një kornizë të pasur për të kuptuar këto role, konfliktet mes tyre dhe rëndësinë e tyre për të mirën e përbashkët.
1. Juristi si ruajtës i racionalitetit juridik
Që nga antikiteti, roli i juristit është lidhur me idenë e drejtësisë si rend.
Aristoteli e shihte drejtësinë si “harmoninë e shpirtit politik” dhe gjyqtarin si “të paanshmin që rikthen ekuilibrin¹.” Ciceroni argumentonte se ligji është “arsye e drejtë” e zbatuar në komunitet, e përjetshme dhe e pandryshueshme². Në mendimin modern, Montesquieu theksonte se fuqia gjyqësore duhet të jetë e ndarë nga pushteti politik për të shmangur arbitraritetin³. Në shekullin XX, Hans Kelsen e konceptoi juristin si interpretues të “logjikës së pastër të normës”, i ndarë nga ndikimet politike⁴. Ndërkaq, Ronald Dworkin i jepte juristit një rol më normativ: interpretimin moral të ligjit në një narrativë koherente të drejtësisë⁵.
Juristi si ruajtës i racionalitetit juridik është një figurë themelore e shtetit të së drejtës. Ai nuk është vetëm teknik i normave, por një arkitekt i besimit publik, një garant institucional dhe një baraspeshë etike ndaj pushtetit politik. Pa këtë rol, e drejta kthehet në instrument arbitrar, demokracia dobësohet dhe qytetari humbet mbrojtjen e tij më të rëndësishme.
2. Politikani si artikulues i vullnetit kolektiv
Roli i politikanit është historikisht i lidhur me konceptin e vullnetit kolektiv, liderimit dhe veprimit politik.
Platoni në Republikën e përshkruante politikanin ideal si “rojtarin-filozof” që sundon sipas dijes⁶. Aristoteli argumentonte se “politika synon të mirën e përbashkët dhe është forma më e lartë e etikës praktike⁷. Max Weber, në ligjëratën Politika si profesion, dallonte “etikën e bindjes” nga “etika e përgjegjësisë”, duke shpjeguar tensionin moral brenda politikës⁸. Hannah Arendt e përshkruan politikën si hapësirën e veprimit dhe lirisë publike, ku politikanët mbajnë peshën e përgjegjësisë para qytetarëve⁹.
Politikani si artikulues i vullnetit kolektiv është një rol konceptual, etik dhe juridik njëkohësisht. Ai mishëron demokracinë në veprim, sepse: kthen kërkesat shoqërore në politika; ndërton rrugën e kompromisit; organizon energjinë kolektive; ruan kohezionin social; mban përgjegjësi publike.
Nëse politikani dështon, vullneti kolektiv deformohet dhe demokracia dobësohet. Nëse ai e artikulon saktë, shoqëria fiton drejtim, unitet dhe besim.
3. Ndërveprimi midis juristit dhe politikanit
Në traditën liberale, Montesquieu argumentonte se ndarja e pushteteve është themel për të shmangur abuzimin e autoritetit¹⁰. Kant, në konceptin “Rechtsstaat”, insistonte që çdo akt politik duhet të jetë i pajtueshëm me parimin e universalizimit dhe respektit ndaj dinjitetit njerëzor¹¹.
Në traditën republikane, Ciceroni dhe autorë modernë si Philip Pettit theksuan se ligji duhet të reduktojë mundësitë e dominimit dhe të garantojë lirinë si mosvarësi¹².
Në mendimin kritik bashkëkohor, Habermas paralajmëron se juridicizimi i politikës dhe politizimi i së drejtës mund të deformojnë dialogun publik racional¹³. Carl Schmitt, nga ana tjetër, shpjegon se vendimi politik nuk mund të reduktohet në një logjikë rregullash teknike, sepse politika përfshin sovranitet¹⁴.
Nëse juristi operon në logjikën e së drejtës, politikani operon me logjikën e politikës. Ndërveprimi i tyre është i pashmangshëm sepse ligjet, institucionet dhe politikat nuk ekzistojnë në vakum. Ligji pa politikën është i verbër dhe politika pa ligjin është e rrezikshme.
4. Etika si bazë e përbashkët
Aristoteli e konsideronte etikën parakusht për politikën e drejtë¹⁵. Weber paralajmëronte kundër “demonisë së pushtetit”, duke theksuar integritetin personal të politikanit¹⁶. Lon Fuller theksonte “moralitetin e ligjit” si kusht për drejtësinë: qartësinë, koherencën, publicitetin dhe zbatueshmërinë e normave juridike¹⁷. Ndërsa filozofët e drejtësisë, si Rawls, argumentuan se institucionet e drejta reduktojnë konfliktin e interesit dhe forcojnë besimin publik¹⁸.
Juristi dhe politikani nuk kanë gjithmonë të njëjtat objektiva, por vetëm etika u jep atyre: një gjuhë të përbashkët; një kornizë normative; një metodë komunikimi; një kufi për pushtetin. Pa etikë, komunikimi midis tyre bëhet transaksional, konfliktual dhe i rrezikshëm për rendin demokratik. Me etikë, ai shndërrohet në bashkëpunim institucional që i shërben mirëqenies së qytetarit.
5. Shqipëria dhe Europa
Në Shqipëri, marrëdhënia midis juristit dhe politikanit është formësuar nga trashëgimia e sistemit të centralizuar, ku juristi ishte i nënshtruar ndaj politikës. Edhe pas vitit 1991, ndikimi politik në emërime, karriera, struktura institucionale dhe reforma ligjore ka mbetur i dukshëm. Juristi shpesh e gjen veten në pozitën e “përkthyesit të vullnetit politik” në kornizën juridike, por jo gjithmonë si “kontrollues” i tij. Në shumë raste, raportohet se vendimmarrja juridike është perceptuar si e pasigurt ndaj presionit “sistematik” politik, çka ka ndikuar në besimin e publikut19.
Shqipëria karakterizohet nga një kulturë politike ku dominon personalizimi i pushtetit, jo institucionalizimi, ku konflikti më i madh është mes logjikës së të drejtës (normave) dhe logjikës së pushtetit (interesit politik). Juristi shihet më shumë si individ, jo si pjesë e një institucioni të fortë. Politikanët shpesh kërkojnë kontroll dhe jo bashkëpunim institucional.
Administrata shqiptare përballet me situata të tilla si:
a) Politikanët diktojnë rritmin e hartimit të ligjeve;
b) Juristët shpesh kanë rol teknik, por jo domosdoshmërisht ndikues;
c) Egziston rreziku që juristi të përdoret për të justifikuar vendime të paracaktuara politikisht (fenomen i njohur si “instrumentalizimi i ekspertizës juridike”).
Reforma në drejtësi (2016) synoi të krijojë një ndarje më të fortë ndërmjet politikës dhe sistemit gjyqësor, përmes rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve (Vetting), ngritjes së institucioneve të reja (KLGJ, KLP, ILD, SPAK, GJKKO) dhe rritjes së autonomisë funksionale.
Për pasojë efektet kryesore në ndërveprim ishin:
a) Politikanët humbën mjetet e vjetra të ndikimit në gjyqësor;
b) Juristët (sidomos prokurorët) fituan më shumë autonomi reale;
c) Përplasjet publike midis politikës dhe drejtësisë u bënë më të dukshme, sepse sistemi po përpiqet të jetë më i pavarur.
Kështu, pas 2016-tës filloi të krijohej një raport “tensioni i shëndetshëm”, i cili është normal në demokraci.
Europa ofron modele më të stabilizuara, ku balanca midis juristit dhe politikanit është pjesë e traditës shtetformuese.
Në Gjermani, sistemi është i bazuar në korniza të forta dhe ka një raport komplementar, pasi: a) politikanët krijojnë politika; b) juristët sigurojnë pajtueshmërinë kushtetuese.
Në Francë, juristët dhe politikanët janë në ndërveprim bashkëpunues, por në mënyrë institucionale, ku: a) Këshilli i Shtetit (Conseil d’État) ka rol të dyfishtë: këshilltar qeverie dhe gjykatë administrative; b) Politikanët shpesh janë juristë të formuar në shkollat elitare (ENA).
Në Itali dhe Spanjë, pavarësia e gjyqësorit është e garantuar, por politika shpesh ka ndikim të fortë në: emërime; karrierën e prokurorëve dhe reformimin e institucioneve. Megjithatë, sistemi i balancave është funksional, pasi gjykatat kushtetuese dhe gjyqësori penal mbajnë ekuilibrin.
Në vendet si Suedia, Norvegjia, Danimarka: a) Juristët gëzojnë besueshmëri të lartë; b) Politika ka kulturë konsensuale; c) Administrata është profesionale dhe depolitizuar. Në to ndërveprimi është i ulët në konflikt dhe i lartë në profesionalizëm.
Ndërsa në Shqipëri, ndërveprimi midis juristit dhe politikanit është ende në proces kalimi nga varësia drejt autonomisë. Konfliktet janë më të dukshme sepse sistemi po kalon nga një kulturë politike e centralizuar në një kulturë të së drejtës.
Në Europë, raporti është më i stabilizuar. Aty politikanët prodhojnë politikë publike ndërsa juristët garantojnë kufizimin dhe racionalitetin juridic. Konfliktet janë institucionale, jo personale.
Si konkluzion, juristi mishëron racionalitetin normativ dhe mbrojtjen e të drejtave, ndërsa politikani artikulon vizionin dhe vullnetin kolektiv. Ndërveprimi i tyre është dhe mbetet thelbësor për demokracinë. Vetëm mbi bazën e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë, këto dy role mund të ruajnë balancën mes drejtësisë dhe legjitimitetit.
Burime:
1. Aristotel, Nicomachean Ethics, Book V.
2. Marcus Tullius Cicero, De Legibus, I.
3. Charles de Montesquieu, De l’esprit des lois (1748).
4. Hans Kelsen, Pure Theory of Law (Berkeley: University of California Press, 1967).
5. Ronald Dworkin, Law’s Empire (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1986).
6. Plato, Republic, Book VI–VII.
7. Aristotel, Politics, Book I.
8. Max Weber, “Politics as a Vocation,” në From Max Weber: Essays in Sociology, ed. H. Gerth & C. Wright Mills (New York: Oxford University Press, 1946).
9. Hannah Arendt, The Human Condition (Chicago: University of Chicago Press, 1958).
10. Montesquieu, De l’esprit des lois.
11. Immanuel Kant, The Metaphysics of Morals (1797).
12. Philip Pettit, Republicanism: A Theory of Freedom and Government (Oxford: Oxford University Press, 1997).
13. Jürgen Habermas, Between Facts and Norms (Cambridge: MIT Press, 1996).
14. Carl Schmitt, Political Theology (Chicago: University of Chicago Press, 2005).
15. Aristotel, Nicomachean Ethics.
16. Weber, “Politics as a Vocation.”
17. Lon L. Fuller, The Morality of Law (New Haven: Yale University Press, 1964).
18. John Rawls, A Theory of Justice (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1971).
19. IDM. Trust in Governance 2023; European Commission – Report on Albania (Rule of Law Chapter), 2024–2025; Transparency International – Corruption Perceptions Index (vitet 2018–2024); Council of Europe – Evaluation Report on Albania’s Judiciary (2014 dhe pas-vetingut 2017–2021); Venice Commission – Opinion on Judicial Reform in Albania (2016 dhe 2020); US Department of State – Human Rights Reports: Albania (çdo vit); etj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull