I deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, një ditë pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd, takim ky i cili ka zgjatur jo më pak se pesë orë, ka treguar se çka kanë biseduar.
Ndonëse diskutimi me Vuçiç ka qenë i gjatë dhe i vështirë, për Lajçak ky takim ka qenë i drejtë.
“Unë mbështetem në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe stabilitetin”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Sipas diplomatit sllovak, dhuna në terren duhet shmangur.
“U pajtuam që të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të mbahen dhe të zbatohen plotësisht”.
Ndryshe sipas mediave serbe të afërta me pushtetin atje, Vuçiç është takuar me Lajçak-un për “ta informuar për situatën aktuale të tensionuar në veri të Kosovës”.
Ndërsa, sipas mediumit serb, Blic, “Vuçiç, përmes Lajçak-ut, u ka dërguar porosi edhe Bashkimit Evropian e SHBA-ve, për atë se cfarë po ndodhë në veri”.
Takimi po ndodhë në kohën kur vartësi i Vuçiç-it, Petar Petkoviç, shkroi se “dialogu në Bruksel më nuk ka kuptim”, derisa lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç, ka paralajmëruar protesta qysh nga e diela, derisa nesër jepet vendimi përfundimtar për largimin ose jo të serbëve nga institucionet.
E gjitha ka filluar pasi qeveria e Kosovës vendosi të fillojë zbatimin e shkallëzuar me qortime për vozitësit e veturave me targa ilegale.
Drejtori rajonal i policisë së Kosovës në Mitrovicë së Veriut, Nenad Gjuriç, refuzoi ta aplikojë vendimin dhe doli kundër.
Ai më pas u shkarkuar për mosbindje dhe tani ka shumë mundësi që 400 policë serbë të Kosovës t’i lëshojnë radhët e policisë.