The Economist: Rama po josh BE-në me kompromise ndërsa sauditët me investime

5 Minuta Lexim

Për Edi Ramën, këto janë kohët më të mira dhe më të këqija, por kryesisht më të mirat. Në maj, kryeministri i Shqipërisë u zgjodh për mandatin e tij të katërt radhazi.

Lufta në Ukrainë ka përshpejtuar përpjekjen prej vitesh të ngrirë të Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, së bashku me ato të Ukrainës dhe vendeve të tjera kandidate. Zyrtarët europianë thonë se negociatat mund të mbyllen që në vitin 2027 dhe se Shqipëria mund të anëtarësohet deri në vitin 2030.

Në të njëjtën kohë, popullsia e Shqipërisë është tkurrur nga 2.9 milionë në 2.4 milionë gjatë mandatit të Ramës.

Korrupsioni mbetet i përhapur, dhe SPAK-u, autoriteti i pavarur kundër korrupsionit i vendit, ka akuzuar disa prej aleatëve të tij më të afërt. Kryetari i bashkisë së Tiranës, po e drejton qytetin nga qelia e burgut. Dhe ka pretendime se partia në pushtet ka përdorur gjoba dhe presione administrative për t’i shtyrë njerëzit të votonin për ta në maj.

“Gënjeshtra,” përgjigjet Rama.

Asnjë udhëheqës shqiptar më herët nuk ka qenë kaq i njohur jashtë vendit.

Rama flet me ngrohtësi për “Viktorin” (Orban), kryeministrin e djathtë të Hungarisë, dhe ka marrëdhënie të mira me të majtët si Pedro Sánchez i Spanjës dhe Mette Frederiksen e Danimarkës. Ai ka bashkëpunuar me Giorgia Melonin, kryeministren populiste të djathtë të Italisë, për planin e saj të bllokuar për të dërguar kërkuesit e azilit në kampe në Shqipëri.

Më 13 nëntor në Romë, të dy qeveritë nënshkruan 16 marrëveshje për tema që shkojnë nga energjia deri te siguria.

Megjithatë, Rama është i tërbuar. Së fundmi SPAK ka ngritur akuza ndaj Belinda Ballukut, zëvendëskryeministres së tij, për dyshime se ka manipuluar një tender për një projekt infrastrukture. Ajo i mohon akuzat. Rama thotë se nuk e di nëse ajo është fajtore, por dënon vendimin e gjykatës për ta pezulluar nga detyra: “Kjo është e padëgjuar në historinë e Europës!”

Pasi SPAK burgosi kryetarin e bashkisë së Tiranës me akuza korrupsioni (të cilat ai i mohon), Rama u përpoq ta shkarkonte atë nga posti. Gjykatat e ndaluan, duke e detyruar kryebashkiakun të drejtojë qytetin nga burgu. Rama e konsideron këtë absurditet. Ai e quan autoritetin kundër korrupsionit “të papërvojë, nganjëherë tepër zellshëm dhe nganjëherë thjesht të gabuar. Por është pjesë e procesit,” shton ai. Shqipëria, siç thotë ai, po ndërton një sistem gjyqësor të pavarur.

Nëse aleatët e tij presin të shpëtohen, ata gabojnë: “Unë nuk jam i martuar me ta.”

Një arsye e angazhimit të deklaruar të Ramës për shtetin ligjor është joshja e anëtarësimit në BE. Por kjo kërkon miratimin e të 27 vendeve anëtare. Disa skeptikë dyshojnë për pastërtinë e qeverisjes së Shqipërisë. Ndërkohë, shumë në të djathtën populiste kundërshtojnë pranimin e asaj që do të ishte vendi i parë me shumicë myslimane në BE, për arsye nativiste.

Marrëdhëniet e mira me Orbanin dhe Melonin mund të mos mjaftojnë. Rama thotë se po i drejtohet drejtuesve të partisë franceze të ekstremit të djathtë, National Rally, por ata mbeten të vendosur kundër pranimit të shteteve të reja.

Rama thotë se do të hiqte përkohësisht dorë nga e drejta e vetos së Shqipërisë mbi propozimet e BE-së dhe do të dorëzonte të drejtën për të pasur një komisioner europian, nëse kjo do t’i ndihmonte të fitonte skeptikët. Ndërkohë, ai po ndërton ura të tjera. Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump-it, ka marrë miratimin për të ndërtuar një resort bregdetar në Shqipëri.

Rama gjithashtu po afrohet me vendet e Gjirit.

“Dëshira e tyre për kulturën është mahnitëse,” thotë ai.

“Ajo që Firence bëri për Europën në Rilindje është ajo që ata po bëjnë për botën sot.”

Kur përpiqesh të anëtarësohesh në një klub, është e mençur të nënkuptosh se ke edhe opsione të tjera./The economist/pershtati në shqip gazetasi

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull