Përse ikin mjekët? Raporti: 92% e studentëve të mjekësisë kërkojnë të emigrojnë

3 Minuta Lexim

Mjekët e ardhshëm, po largohen nga vendi. Nuk kemi arsye të qëndrojmë në vendin tonë, por kemi shumë arsye të shkojmë jashtë.

Sipas një raporti të Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike, gati 92% e studentëve të Mjekësisë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi. Malbor Duka është një 26 vjeçar që ka përfunduar studimet për Mjekësi e Përgjithshme, dhe aspiron të specializohet në Kirurgji.

“Sapo përfundova studimet në Mjekësi e Përgjithshme dhe punoj në një spital privat si asistent I një mjeku kirurg. Çdo ditë e më shumë po gjendem përballë një dileme, nëse duhet të qëndroj në vendin tim në këtë ambient këtu, apo të drejtohem drejt një vendi perëndimor. Sigurisht që po vë shumë gjëra në pershore. E para janë arsyet ekonomike, paga. Mjekët në Shqipëri janë ndër më pak të paguarit në Ballkan. Arsyeja e dytë është mangësia e zhvillimit të mëtejshëm profesional. Ekspozimi ndaj dhunës verbale dhe fizike, pasiguria në punë dhe presioni I vazhdueshëm politik, imazhi negativ I bluzave të bardha dhe opinion i keq I publikut për ta. Argument tjetër është legjislacioni, pasi Shqipëria renditet ndër vendet që kanë numrin më të lartë të mjekëve të dënuar në raport me popullsinë. Madje e ka disafish më të lartë edhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kushtet e këqija të punës, puna më orare të zgjatura, mungesa e pajisjeve diagnostikuese, mungesa e medikamenteve. Të gjitha këto janë arsye, që mua më bëjnë ta konsideroj largimin nga Shqipëria. Ndërkohë që arsyet që më bëjnë ta mendoj qëndrimin këtu, janë padyshim familja ime, dhe pjesa që unë jam një patriot dhe e dua vendin tim. Nëse do të ishte për zgjedhjen time të lirë, absolutisht që do të doja të jepja kontributin tim dhe të shërbeja në vendin tim. Çdo ditë e më shumë e mendoj largimin nga Shqipëria.

Gjuhën gjermane, ndërkohë e kam studiuar prej disa vitesh dhe jam njohës I mirë I saj, pasi Gjermaninë e konsideroj si një opsion shumë të mirë për të vazhduar specializimin. Tanimë edhe njerëzit tanë të afërm, familjarët vetë na thonë që të ikim nga Shqipëria, pasi e shohin si një vend, që nuk të ofron më asgjë.”-tha Malbor Duka, Student Mjekësie.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull