Policia e Tiranës ka arrestuar një vajzë të re 32 vjeçare e cila kishte krijuar një skemë në bashkëpunim me një indian, për të organizuar trafikun e paligjshëm përmes kufijve shqiptarë të të huajve.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit të koduar “The invitation”, arrestuan në flagrancë shtetasjn R. L., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i saj, shtetasi S. H., 50 vjeç, banues në Indi.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasja R. L., në bashkëpunim me shtetasin S. H., siguronte ftesa fiktive për shtetas të huaj, kryesisht nga India, për të ardhur në Shqipëri, me pretendimin për qëllime punësimi.
Pasi shtetasit e huaj vinin në Shqipëri, 32-vjeçarja i ndihmonte ata, kundrejt fitimit, për t’u larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit B. J., 38 vjeç, T. Sh., 41 vjeç dhe Y. S., 19 vjeç, të tre banues në Indi, të cilët kanë hyrë në Shqipëri me dokumente të dyshuara të falsifikuara, me pretendimin se do të punësoheshin nga shtetasja R. L.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.