DITË PËR TË PËRKUJTUAR NJË ARTIST TË MADH

3 Minuta Lexim
Nga Pellumb Kulla-
Fatos Sela u rrit në Tirane, në atë mëhallën me shtëpitë e ulta të rrugës Bardhyl, thuajse në afërsi të, shtëpisë time.
Por nuk u pamë kurrë si mëhallelinj. As si çunakë dhe as si adoleshentë…
Fati na e kishte ruajtur që të piqeshim më vonë, në një teatër që nuk ish i Tiranës dhe as nuk desh t’ia dinte për rrugën Bardhyl.
U takuam në skenën e teatrit të Fierit, teatër i porsaformuar, ku na duhej të luanim bashkë në një dramë të Teodor Laços: unë 36 dhe Tosi 28 vjeçar.
Ishim të rinj e na duhej të luanim role pleqsh. Bënim thinjat duke u ngjyer me pudër. Unë, Faosi, Muhamet Sheri, Mina Koxhaku, Dhimitër Jano. Nuset tona të reja, Natasha, Hajria, Xhuljeta, luanin plakat duke u ngjyer me pudër dhe ato. Bënim një numër të madh shfaqjesh, që na i ndiqnin dhe na i pëlqenin artdashësit fierakë… Kuintalë me pudër na viheshin në dispozicion… Drama me temën e luftrave për liri, me temën e rilindjes kombëtare. Pleq të urtë të ormisur me pudër për thinjat. Flitej sikur prapa ndërtesës së teatrit mund të ngrihej një punishte pudre, për repertorin dhe thinja tona.
Pastaj autoritetet hoqën dorë dhe në vend të saj,ngritën aty Degën e Punëve të Brendëshme! Një lloj tjetër punishteje! Edhe ajo prodhonte thinja, por me metodat e saj… Dhe ne luteshim Zotit të mos i provonim ato lloj thinjash!….
Më pas unë u vura të bëj regjisorin… Fatosi preferoi të qëndronte aktor…
Dhe, o Zot, sa fat paskam patur në jetë! Kisha një aktor që duhet të na e kishin zili të gjithë teatrot e botës! Jo vetëm për portretin! Jo vetëm për shtatin! Jo vetëm për atë zë të plotë dhe të ngrohtë! Jo për temperamentin e tij mahnitës! Duhet të na e kishin zili atë punëtor të palodhur, me energji të pashterrura, që shënjtëronte provat dhe shfaqjet me përkushtimin, me puritanizmin e tij, atë qënie njerëzore të avulluar në frymëzim, në farkëtim të çdo figure, të çdo karakteri, të vogël dhe të madh. Avni Rustemi, tek “Dy Krismat…”, Arseni, tek “Balada për një grua”, Beu, te “Lumi i Vdekur” Ziveri, tek “E bukur shtëpi e vjetër”, Salieri, në skenen e Teatrit Kombëtar ato për ekranin e kinemasë dhe sa e sa role të ndërmarrë me përkushtimin e tij të pashembullt. dhe të paharruar…
E kujtoj sot, që ketej nga një qoshe e Floridës amerikane, në ditën që Tosi i dashur na la…
Ah!….Na la 12 vjet të shkuara, në atë moshë premtuese për figura edhe më të bukura se tërë ato perlat që mbahen ndër arritjet më të mëdha të artit kombëtar të skenës

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull