“Goditi” ekstradimin, Kushtetuesja pranon pjesërisht ankimin e “mafiozit” rus

2 Minuta Lexim

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë një shtetasi rus, të akuzuar për vrasje dhe lidhje mafioze, në pretendimet e tij për shkelje të të drejtave nga ana e gjykatave në Shqipëri, të cilat lejuan ekstradimin e tij në Federatën Ruse.

Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht ankimin e bërë nga 62-vjeçari Igor Kokunov, duke konstatuar cenim të të drejtës së tij për të mos iu nënshtruar një trajtimi çnjerëzor ose degradues. Po ashtu, Kushtetuesja ka vlerësuar se shtetasit rus i është cenuar e drejta për të mos u dëbuar.

62-vjeçari Igor Kokunov u arrestua në Shkodër në vitin 2023. Ai kërkoi të mos ekstradohej në Rusi, me pretendimin se në vendin e tij mund t’i nënshtrohej një trajtimi çnjerëzor, por Gjykata e Shkodrës lejoi ekstradimin, vendim që u miratua edhe nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.

Kokunov u dorëzua autoriteteve ruse më 30 dhjetor 2024. Në Kushtetuese, përmes avokatit të tij Isuf Shehu, Kokunov kundërshtoi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit në Shqipëri që lejuan ekstradimin e tij. Po ashtu, ai kundërshtoi veprimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pasi ekstradimi i tij u krye në të njëjtën ditë që Kushtetuesja e pezulloi atë.

Brenda 30 ditëve, Gjykata Kushtetuese pritet të zbardhë arsyetimin e vendimit që pranoi pjesërisht pretendimet e Kokunov.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull