Rama kërcënoi me mbyllje të RTSH, punonjësit e televizionit publik: Na jepni autonominë që ta ringremë vetë median publike

3 Minuta Lexim

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar për paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Publik Shqiptar.

UGSH thotë se do të dalë të hënën me një qëndrim zyrtar ndaj projektit apo propozimit te Kryeministrit duke qenë kategorikisht kundër mbylljes se medias publike në Republikën e Shqipërisë.

Sakaq, UGSh ka publikuar edhe një peticion të punonjësve të RTSH që i kërkojnë politikës që t’i rikthejë autonominë reale të medias publike shqiptare dhe në këtë mënyrë, ta ringrejnë vetë nga brenda këtë institucion.

Peticioni i punonjësve të RTSH:

Për Autonomi Reale dhe Zgjedhje të Lira në RTSH

Ne, punonjës, profesionistë të medias dhe qytetarë të shqetësuar për të ardhmen e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), i drejtohemi opinionit publik dhe institucioneve përgjegjëse me këtë peticion, për të kërkuar rikthimin e autonomisë reale të medias publike shqiptare.

RTSH, sipas Statutit dhe ligjit, është organ publik i pavarur. Në praktikë, për më shumë se 30 vite, ky institucion ka qenë subjekt i ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, kryesisht përmes emërimeve nominale dhe zinxhirore nga politika.

Parlamenti dhe mazhorancat e njëpasnjëshme:

emërojnë Drejtorin e Përgjithshëm,

emërojnë anëtarët e Këshillit Drejtues,

ndikojnë drejtpërdrejt në emërimin e drejtorëve dhe strukturave të tjera drejtuese.

Ky model ka prodhuar një RTSH:

dhe shpesh të përdorur si instrument politik.

Kur ky sistem dështon, përgjegjësia u hidhet padrejtësisht punonjësve, gazetarëve dhe stafit teknik, të cilët çdo ditë punojnë në kushte të vështira, pa siguri profesionale dhe nën presion të vazhdueshëm.

Janë të shumta rastet kur pozicione kyçe drejtuese janë mbushur:

vetëm përmes telefonatave apo vendimeve politike,

duke dëmtuar rëndë cilësinë e prodhimit televiziv dhe besimin publik.

Zgjedhje të lira dhe transparente për organet drejtuese të RTSH-së, me pjesëmarrje reale të stafit dhe komunitetit profesional.

Largimin e politikës nga emërimet direkte në strukturat drejtuese të RTSH-së.

Autonomi editoriale dhe menaxheriale reale, të garantuar me ligj dhe mekanizma kontrolli.

Meritokraci dhe profesionalizëm në çdo emërim dhe ngritje në detyrë.

Llogaridhënie publike të drejtuesve të RTSH-së përpara stafit dhe qytetarëve.

Mbrojtje institucionale për punonjësit, që refuzojnë censurën dhe presionin politik.

Ky peticion nuk është kundër individëve, por kundër një modeli të dështuar që e ka mbajtur RTSH-në në letargji për dekada. Ne besojmë se RTSH mund dhe duhet të shndërrohet në një media publike europiane, të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.

Përpara se RTSH të goditet apo të përdoret si justifikim politik, na jepni mundësinë ta ringremë vetë nga brenda këtë institucion.

Punonjës të RTSH-së

Profesionistë të medias

Qytetarë të Republikës së Shqipërisë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull