Tatimet dalin në terren për deklarimin e pagave në ndërtim

3 Minuta Lexim

Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.

Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e  përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore.

Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit  në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe masat për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.

Administrata Tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisjes vendore, Agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore,  faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, ajo që furnitorët tuaj deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.

Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:

Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar
Deklarimin real të pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të Punës *
Për cdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave te fiskalizuara me NIVF/ NSLF (përfshirë edhe parapagimet)
Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore
Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit
Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambjenteve
Përdorimin vetëm të softëare-ve të çertifikuara të fiskalizimit

Ndërsa mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull