Nga Polo Çipa-
Ka njerëz që lindin në një ditë. Ka të tjerë që lindin në një epokë. Dhe ka të rrallë, shumë të rrallë, që lindin bashkë me këngën. Katina Beleri lindi më 15 gusht 1964, në një ditë të shenjtë, në Pashkën e Vogël, në ditën që përkon me lindjen e Shën Mërisë. Një datë që nuk është rastësi, por shenjë. Sepse ajo ditë solli në jetë një zë, ndërsa po atë ditë u shua një tjetër – gjyshi i saj, korifeu i madh i këngës himariote, Koço Çakalli, njeriu që Neço Muko Himarioti e quante me admirim “Karuzoja i polifonisë”, soprano virtuoz, shpirt i pastër i këngës së Jonit.
Kështu, si në një ligj të pashkruar të trashëgimisë shpirtërore, një zë u shua që një tjetër të ndizet. Dhe amaneti i këngës nuk mbeti jetim.
Thonë se Katina e nisi udhëtimin e saj artistik që në barkun e nënës. Dhe nuk është thjesht një metaforë. Ajo u rrit mes këngës, mes detit dhe gurit, mes valës dhe iso-s, bijë e Jorgj dhe Ksanthipi Belerit, por mbi të gjitha, bija e një fisi ku kënga nuk ishte zbukurim – ishte frymëmarrje.
Katina Beleri është mbesa e Koço Çakallit, dhe kënga e saj është vazhdimi i një trungu që nuk u tha kurrë. Sepse thuhet se kur Koço Çakalli u nda nga jeta, la amanet që kënga të mbijetojë në gjakun e familjes së tij. Dhe amanetet e këngës nuk bien në tokë.
Ajo theu një tabu shekullore. Në një botë ku kënga himariote udhëhiqej nga burra, Katina u bë kapitene. Një grua që mori timonin e këngës, që e drejtoi me dinjitet, me forcë, me finesë. Një amazonë e polifonisë, që nuk kërkoi leje për të kënduar – por këndoi dhe u bë histori.
Nën përkujdesjen dhe formimin e madhit Dhimitër Varfi, Katina u rrit artistikisht, u edukua me disiplinë, me respekt për traditën, por edhe me guxim për ta ëmbëlsuar atë. Sepse ajo nuk i ndryshoi këngët e vjetra himariote – ua shtoi mjaltësinë, ua rriti dritën, ua thelloi shpirtin.
Repertori i saj është i pamatë. Askush nuk e di saktë sa këngë ka kënduar. Ndoshta janë po aq sa valët e Jonit, që vijnë e ikin, por deti mbetet.
Katina ka kënduar bukur polifoninë edhe në gjuhën greke, por gjithmonë duke i dhënë asaj seksin e bukur shqiptar-himariot, atë ngjyrim që nuk imitohet, por lind.
“Këngët e saj janë plagë që këndojnë”, thonë.
“Vogëlushe hane, hane”,
“Pa sikur të isha djalë”,
“Një thëllëzë e shkruar prilli”,
“Kur më shkon si amazonë”,
“Qiell i zi”,
“Atë natë, natën e Pashkës”,
“Marika moj”…
Janë këngë që nuk dëgjohen – përjetohen.
Ajo ka bashkëpunuar me grupe të tjera labe, ka marrë pjesë në festivale kombëtare e ndërkombëtare, duke e çuar këngën himariote përtej kufijve, përtej gjuhëve, përtej kohës.
Vlerësimet e saj janë të shumta, titujt e saj janë dëshmi, por sot ajo mban me dinjitet titullin “Mjeshtre e Madhe” – një titull që nuk i shton asgjë zërit të saj, por që zëri i saj ia ka dhënë kuptimin.
Katina Beleri këndon si thëllëzë mali, e kthjellët dhe e lirë, por edhe si valë e Jonit, herë e butë, herë e fuqishme, gjithmonë e pavdekshme.
Dhe sa herë që ajo ngre zërin, duket sikur nga thellësia e kohës, Koço Çakalli buzëqesh. Sepse amaneti u mbajt.
Sepse kënga jeton.
Sepse Katina është kënga vetë.
Patra-Greqi

