Ndërprerja e njëanshme e koncesionit të terminaleve të Portit të Durrësit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë mund t’u kushtojë shqiptarëve mbi 100 milionë euro gjobë.
Arbitrazhi ndërkombëtar i Bankës Botërore, ku Kurum ka depozituar padinë që më 23 shtator të 2020, ka nisur procesin e administrimit të provave dhe dokumentacioneve të dosjes.
Ky është hapi i fundit procedurial, për të kaluar më pas në procesin e shqyrtimit të padisë dhe në fund të vendimmarrjes.
Padia kundër Shqipërisë është regjistruar nga kompanitë e regjistruara në Shqipëri, ‘Durrës Kurum Shipping shpk’, ‘Durrës Container Terminal Sha’, ‘Metal Commodities Foreign Trade Corp’, e regjistruar në SHBA dhe ‘Altberg Developments LP’ në Britaninë e Madhe.
Padia u ngrit pas prishjes së kontratës nga një gjykatë shqiptare dhe sekuestrimin e terminalit nga përmbaruesit. Kompanitë kërkojnë një dëmshpërblim prej 100 milionë eurosh, shifër që mund të rritet edhe më tej, nëse procesi gjyqësor humbet dhe shtohen edhe kostot e mbrojtjes.
Ndërprerja e njëanshme e kontratës nuk kontratës duket se nuk ka qenë e pamenduar, por një skenar i mirëfilltë korruptiv. Pak muaj pasi ky koncesion iu hoq Kurumit, që e kishte fituar që në 2013-n, iu dha kompanisë ‘Hili Company Limited’, e regjistruar në Maltë me numër C62988.
Koncesioni iu dha kompanisë së re për 3.8 miliardë lek, ose 32 milionë euro për pesë vite. Kontrata u nënshkrua më 8 mars të 2021-t.
Malta njihet si parajsë fiskale. Nga të dhënat e deklaruar në QKR, pas kompanisë Hili qëndron një numër i madh aksionerash. 60 për qind të aksioneve i zotëron kompania ‘M.E.H Holdings’ në pronësi të shtetasi maltez, Marin Hili.
Konsorciumi i Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigatëve, ICIJ e lidhe emrin e Marin Hilit me një rrjet prej të paktën 25 kompanish, të regjistruara në Maltë dhe vende të tjera të njohura si parajsa fiskale.
Emri i tij del edhe në publikimin e fundit të morisë së dokumentave në skandalin e ‘Pandora Papers’. ICIJ ngre dyshime se Hili shërben si maskim, ndërkohë që të ardhurat e siguruara përmes koncesioneve dhe tenderave të dyshimtë përfundojnë në xhepat e pushtetarëve që qëndrojnë pas tij.
Dyshimet e ICIJ mbeten të paprovuara në rastin e Portit të Durrësit, por nëse nisemi nga teoria e rrjetit ndërkombëtar të gazetarëve investigativë, atëherë pyetja që ngrihet është se kush qëndron pas Marin Hilit te PPP-ja e Portit të Durrësit?
Në këtë rast, lista emërore mund të reduktohej në një grusht personash nëse kihet parasysh vendosmëria e autoriteteve për të ndërprerë koncesionin me Kurumin, edhe pse kjo mund t’u kushtojë shqiptarëve një gjobë të majme mbi 100 mln euro dhe se kush ka qenë në krye të Ministrisë së Infrastrukturës që ka udhëhequr, si procesin e largimit të Kurum, edhe procesin e tenderit të ri.
Të gjitha rrugët të çojnë te një emër, ai i Belinda Ballukut. Balluku e mori detyrën në janar të 2019-s. Pak muaj më vonë nisi beteja e Autoritetit Portual të Durrësit dhe Ministrisë me Kurum dhe kompanitë e tjera që qëndronin pas këtij koncesioni.
Kompanitë paditën në gjykatë vendimin e autoriteteve për ndërprerjen e njëanshme të kontratës, por në vendime të konsideruara të dyshimta prej tyre, gjykatat i dhanë të drejtë Ministrisë së Infrastrukturës.
E gjithë çorba është gaturar, siç duket me një qëllim të vetëm; marrjen e një koncesioni fitimprurës me kosto shpenzimesh zero. Por, koston në këtë rast rrezikojnë ta paguajnë shqiptarët, që për pesë vite mund t’u kushtojë 100 milionë euro e një gjobe të mundshme dhe 32 milionë eurot që do të paguhet Marin Hili, apo ata që qëndrojnë pas tij.