Nga Dashnor Kokonozi-
Në bibliotekën e diktatorit shqiptar E. Hoxha, libri “Princi” i N. Makiavelit doli të ishte ndër më të nënvizuarit. Ky fakt më ka ndjekur pas gjithmonë. Kam dashur të di si e ka kuptuar dhe interpretuar ai atë libër. Pse i është kthyer aq shumë? Së fundi, a ka sjellje makiaveliste në ushtrimin e pushtetit të tij?
Është e pamundur të gjesh dikë me të cilin ai mund të ketë diskutuar. Në disa raste kam dashur të kuptoj nëse E. Hoxha mund t’i jetë qasur N. Makiavelit sipas vizionit të teoricienëve marksistë. Por edhe këtu është thuajse e pamundur të gjesh ndonjë gjurmë të integrimit të Makiavelit në teorinë marksiste. Megjithatë, ka disa punime të Fabio Frosinit (një profesor italian mjaft i vlerësuar edhe në Francë), ku del se Marksi e ka studiuar fiorentinin tonë në kuadrin e kërkimeve që bënte mbi historinë politike të luftës së klasave. Dhe aty ai sheh një mendimtar të “politikës reale”, Realpolitik për ta thënë në gjermanisht, sepse na vjen nga Bismarku.
Më tej, thotë F. Frosini, është A. Gramshi (Frosini është një njohës i madh i Gramshit) ai që ka vënë në dukje lidhjen e Makiavelit me marksizmin. Në Fletoret e burgut (cituar sipas Frosinit), Gramshi thotë se “Makiaveli është i pari që e pa politikën si një shkencë dhe art të popullit”.
I thashë këto jo thjesht për të gjetur ndonjë lidhje të Hoxhës me teoricienë që do t’ia lehtësonin përdorimin e makiavelizmit si manual për qerimin e hesapeve me kundërshtarët e tij, por thjesht për të kujtuar se makiavelizmi nuk ishte ndonjë shkencë princash e për princat. Madje diku kam lexuar se Lorenzo i Dytë i Mediçive, të cilit i kushtohej libri, jo vetëm që nuk e ka lexuar, por as ka treguar ndonjë interes për të.
E pra, kështu ai merr pamjen e një manuali të mirë në shërbim të atyre që vijnë nga poshtë për të marrë e ruajtur pushtetin që nuk mund ta trashëgonin.
Po çfarë propozoi Makiaveli që ndryshonte nga mënyra e qeverisjes dhe e ruajtjes së pushtetit para Rilindjes?
Për ta kuptuar këtë, fare shkurt po them se detyrimi i mbretërve, perandorëve apo princave gjatë gjithë Mesjetës ishte të qeverisnin sipas parimeve të krishtera: të mbronin fenë, të ruanin paqen, të mbronin të dobëtit, t’i nënshtroheshin vullnetit të Zotit. Pra, çdo veprim politik duhej përligjur nga kritere etike e fetare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për botën islame.
Makiaveli është në thyerje të plotë me këtë politikëbërje. Princi është një libër për pushtetin: si ta marrësh atë dhe, mbi të gjitha, si ta ruash nëpërmjet mënyrave pak të ngjashme me të mëparshmet.
Kështu, në kreun e 7-të ai sjell rastin e Çezare Borxhias, të cilin e sheh si model qeverisjeje për një princ të ri. Dhe rasti është vërtet emblematik në mizorinë e tij.
Për të forcuar e përjetësuar pushtetin e tij në Romanjë, Borxhia përdor besnikun e tij Ramiro d’Orco, i cili me dorë të hekurt e pa mëshirë kryen një masakër të vërtetë (Sinigaglia) ndaj kundërshtarëve të të zotit që i shërbente. Por ajo që ndodhi ishte aq e vrazhdë sa shkaktoi indinjatë të fortë në të gjithë popullsinë. Me kohë, gishti i akuzës po drejtohej nga vetë Borxhia. Atëherë ky i fundit, urdhëroi që Ramiro d’Orco të copëtohej me thikë në sheshin e Cesenës.
Populli e duartrokiti i kënaqur dhe nuk i kurseu lavdet për Borxhian që ndëshkoi “tiranin”.
“Dhe në këtë qëndrim, thotë N. Makiaveli, nuk ka asgjë të kritikueshme”.
Po Koçi Xoxe në këtë mes?
Nëse nuk kam qenë fort i qartë deri tani, po vazhdoj.
Pasi ndëshkoi e pushkatoi një numër të madh njerëzish që shiheshin si “armiq të popullit” (disave nuk u gjenden eshtrat as sot), K. Xoxe pa gijotinën t’i vërtitej mbi kokë atij vetë. Nuk e kuptoi deri në fund se çfarë po ndodhte, nuk e kuptoi se ishte përdorur për punët e ndyra të Hoxhës.
Sot jemi më të qartë. Qoftë edhe nga një frazë e vetme që Xoxe shqiptoi në gjyqin e tij:
— “Pyeteni komandantin, pyeteni dhe le të më thotë se kë kam dënuar pa urdhrin dhe miratimin e tij?”
Me mizoritë që kishte kryer besnikërisht, ai, sikundër Ramiro d’Orco, shpresonte krejt tjetër gjë. Nuk e kishte kuptuar se me këtë rast edhe në Shqipëri kishte ardhur koha e Realpolitik-ës së individëve të paskrupullt.
Xoxe do të ishte i pari në një listë të gjatë.
Termat e tjerë që u përdorën në atë rast, si “në emër të popullit”, “pushteti i popullit”, “ndërtim i shoqërisë komuniste” etj., ishin trendi i kohës. Qëllimi ishte qëndrimi në pushtet!

