Lea Ypi, e mirëpritur nga bota por e përfolur nga bashkëkombësit

12 Minuta Lexim

Nga Çapajev Gjokutaj-

Romani i parë i Lea Ypit ‘Të lirë’ u prit me entuziazëm të spikatur në rrafsh ndërkombëtar. U përkthye në rreth 30 gjuhë dhe u fut në listat e ngushta të disa prej çmimeve më prestigjioze. Media kryesore ndërkombëtare si The Guardian, The New York Times, Financial Times, The Economist etj. e vlerësuan si një krijim elegant dhe të fuqishëm, që arrin të shndërrojë kujtimet e një fëmije të Shqipërisë komuniste në një reflektim universal mbi lirinë dhe tranzicionin politik. Kritika ndërkombëtare e pa si një dritare të rrallë mbi një vend pak të njohur, por edhe si një vepër që flet për dilemat e gjithë Europës Lindore pas rënies së komunizmit.
Me romanin e saj të dytë ‘Të poshtëruar’ Ypi po konsolidon profilin e saj si autore që ndërthur autobiografinë me filozofinë politike. I promovuar në Londër dhe në Paris, libri deri tani ka siguruar kontrata për botim në mbi pesëmbëdhjetë gjuhë, duke dëshmuar pritshmëri të larta për sukses ndërkombëtar. Shkrimet kritike promovuese të botuara në media prestigjoze ndërkombëtare e kanë vlerësuar për elegancën stilistike dhe për mënyrën se si kombinon kujtesën, arkivat dhe imagjinatën për të rindërtuar jetën e gjyshes së saj. Ky roman shihet si vazhdimësi e temave tek të ‘Të lirë’, por më introspektiv dhe filozofik, duke e shndërruar historinë familjare në reflektim mbi dinjitetin dhe të vërtetën.
Në të dyja rastet, suksesi ndërkombëtar i Ypit lidhet me disa elemente që kritikët i pranojnë gjerësisht: eleganca e stilit, fuqia e dëshmisë personale, universaliteti i temave të lirisë dhe dinjitetit, si dhe aftësia për të shpjeguar përmes përvojës shqiptare dilemat globale të shekullit XX. Kjo pas gjasash po e bën Lea Ypin një zë premtues në letërsinë bashkëkohore.
2.
Në Shqipëri, pritja e romaneve të Lea Ypit ka qenë e përzier dhe ndonjëherë, sado rrallë, edhe e shoqëruar me polemika. Krahas pritjes së ngrohtë dhe vlerësuese, bie në sy se një pjesë e opinionit ka vënë në dyshim raportin mes të vërtetës historike dhe përjetimeve subjektive personale: kujtimet e autores, të shndërruara në narrativë letrare, nuk shihen gjithmonë si pasqyrim besnik i realitetit shqiptar. Kjo ka ngritur pyetje mbi kufirin mes dëshmisë individuale dhe historisë së përbashkët, duke synuar me hir a me pahir që ‘Të lirë’ të perceptohet si i njëanshëm.
Një tjetër kritikë lidhet me tonet nostalgjike dhe me zbehjen e represionit totalitar. Disa lexues e kanë parë ‘Të lirë’ si një rrëfim që, duke u fokusuar tek përjetimet intime të fëmijërisë, nuk i jep peshën e duhur dhunës dhe kufizimeve të sistemit totalitar. Ky element ka krijuar ndarje të forta mes atyre që e lexojnë si guxim për të treguar një realitet kompleks dhe atyre që e shohin si relativizim të së keqes totalitare.
Debati ka prekur sadokudo edhe natyrën e veprave: romane apo ese akademike? Shumë e kanë perceptuar stilin e Ypit si më afër reflektimit filozofik dhe analizës teorike sesa romanit tradicional, gjë që i bën tekstet të duken të shkruara për një lexues elitar, kryesisht i huaj dhe jo për lexuesin shqiptar që pret një narrativë më të drejtpërdrejtë e më pranë traditës së letërsisë fiksionale.
Në tërësi, kritikat në Shqipëri ndaj romaneve ‘Të lirë’ dhe ‘Të poshtruar’ lidhen me ndjesinë se autorja i ka dhënë përparësi dimensionit filozofik dhe universal mbi përvojën kolektive vendase. Kjo ka sjellë lavdërime ndërkombëtare për finesën dhe guximin, por brenda vendit ka nxitur rezerva për mënyrën se si rrëfehet e shkuara dhe për faktin që librat perceptohen më shumë të menduar për botën sesa për lexuesin shqiptar.
3.
Fenomeni që një shkrimtar pranohet dhe lavdërohet nga bota, ndërkohë që në vendin e tij shpesh mohohet ose kontestohet, është dukuri e njohur gjerë dhe thuajse globale. Bëjnë pjesë në këtë dukuri autorë si Orhan Pamuk, Gabriel García Márquez, Ismail Kadare, Chinua Achebe, V.S. Naipaul, Milan Kundera etj. Të bën përshtypje se shumica e këtyre autorëve janë nga vende periferike në zhvillim, vende që kanë probleme identitare dhe përballen me sfidat e modernizimit.
Në një pjesë të rasteve, kjo kontradiktë lidhet me sfidim të narrativave politike dhe ideologjike. Autorë si Orhan Pamuk në Turqi kanë guxuar të prekin tema të ndaluara, masakrat ndaj armenëve, dhe për këtë janë parë si provokatorë në vendin e tyre, ndërkohë që bota i ka vlerësuar si zëra të guximshëm të së vërtetës. Chinua Achebe në Nigeri është kritikuar nga qarqet pranë pushtetit për satirën ndaj korrupsionit, por ndërkombëtarisht është pranuar si një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë afrikane.
Një tjetër arsye e kontradiktës në fjalë lidhet me identitetin kulturor dhe qasjen universale. Shkrimtarët që flasin me gjuhën e botës shpesh perceptohen si “të huaj” në vendin e tyre. Milan Kundera, i larguar nga Çekia, u pa për dekada si i distancuar nga rrënjët e tij, ndërsa V.S. Naipaul u akuzua në Trinidad si bir plangprishës, megjithëse bota e pranoi si një nga romancierët më të mëdhenj të postkolonializmit. Ky tension mes provinciales dhe kozmopolites është i përsëritur: vendi shpesh kërkon pasqyrimin e vet të ngushtë, ndërsa bota vlerëson universalen.
Dimensioni estetik dhe stilistik është po aq i rëndësishëm. Publiku lokal shpesh preferon traditën dhe narrativat e njohura, ndërsa bota vlerëson risinë dhe eksperimentin. Ismail Kadareja akuzohej se shkruante për të huajt dhe jo për ‘tabanin’. Gabriel García Márquez, gjatë fillimeve të tij u pa si i çuditshëm në Kolumbi, po u bë i famshëm botërisht me realizmin magjik, i cili u shndërrua në pasaportën e tij ndërkombëtare. Me sa duket risia shpesh nuk pranohet menjëherë nga lexuesit e vendeve periferike, por pikërisht ajo e bën autorin të madh në sytë e botës.
Ka edhe arsye sociale dhe historike. Shoqëritë me trauma të forta e shohin shkrimtarin si tradhtar kur ai ekspozon plagët e tyre. Në vendin e tij, autori bëhet pasqyrë e pakëndshme, ndërsa jashtë shihet si dëshmitar i guximshëm. Kjo shoqërohet shpesh me rivalitetet e establishmentit letrar: kritikët dhe akademikët vendas minimizojnë suksesin për të ruajtur hierarkitë e tyre.
Së fundi, publiku i gjerë shpesh nuk e ndjen afërsinë me temat universale që trajtojnë shkrimtarët që fitojnë njohje ndërkombëtare. Brenda vendit shihen si të vështirë ose të pakuptueshëm, ndërkohë që jashtë vendit vlerësohen si mjeshtër vizionarë. Ky kontrast mes pranimit global dhe mohimit lokal është, me sa duket një dukuri e përsëritur: shkrimtarët e këtij lloji duhet të largohen nga shtëpia për t’u pranuar si zë i saj. Dhe pikërisht ky tension mes vendit dhe botës është prova e kurajos intelektuale që e bën letërsinë të vlefshme përtej verigave nacionale.
4.
Duke përmendur Markezin, Pamukun, Kadarenë, Ruzhdien e të tjerë nuk kam si synim të them se edhe Lea Ypi është krijuese e këtyre përmasave. Zakonisht kërkohet kohë dhe një varg procesesh vlerësimi e seleksionimi që një rishtre në letërsi si Ypi ta konsiderosh në nivelet më të larta të letërsisë botërore. Krahasimet e mësipërme mbështeten vetëm paradigmën: të vlerësuar nga bota vs të përfolur nga një pjesë e konsiderueshme e bashkëkombësve.
Edhe nga një vështrim i shpejtë bie në sy se prirja e një pjese të opinionit vendas për ta përfolur a mohuar suksesin ndërkombëtar të Lea Ypit ushqehet nga motive të përafërta. Megjithatë mbizotërojnë prirjet që diskutimi për Ypin, edhe kur gjallon a regëtin, të lerë në periferi probleme estetike që kanë të bëjnë me dy romanet e saj dhe përqendrohet në probleme të aspektit mimetik dmth raportet mes realitetit dhe pasqyrimit të tyre nga shkrimtarja.
Fatkeqësisht në shumicën e rasteve vëmendja e publikut shqiptar nuk është përqendruar aq te dy romanet sesa tek vet autorja.
Një pjesë e atyre, që flasin e përflasin Lea Ypin, u duket e çuditshme që një shqiptare e brezit dhe e prejardhjes familjare të saj, të jetë e majtë, të lektrojë për marksizmin, të kujtojë me nostalgji fëmijërinë nën regjimin totalitar etj.
Duket se në këtë mes ndikon një keqkuptim lidhur me të majtën dhe të djathtën në Shqipëri. Shpesh e më shpesh kjo ndarje bëhet mekanikisht: të djathtë qenkan pasardhësit e ballistëve, kuislingëve etj., ata që në periudhën totalitare vuajtën persekutimin e luftës së klasave, kurse të majtë qenkan pasardhësit e partizanëve. Harrohet se Dekalogu i Ballit Kombëtar ishte një platformë politike socialdemokrate dhe se një pjesë e mirë e lidershipit të këtij grupimi ishin socialdemokratë.
Është për të ardhur keq që sot, 80 e kusur vjet më vonë një pjesë e publikut shqiptar anon nga skema anakronike dhe nuk arrin as nivelin e Asllan dhe Xhafer Ypit tek romani ‘Të poshtruar’ që, megjithëse babë e bir qëndronin në pozita të kundërta politike, biri me bindje socialdemokrate, baba në pozita çifligaro-borgjeze.
Prirja për të ikur nga dy romanet dhe për t’u përqendruar tek autorja u shfaq në trajta groteske sidomos gjatë vizitës së fundit të Lea Ypit në Tiranë. Autorja kishte ardhur për promovimin e romanit ‘Të poshtëruar’ kurse një pjesë e mexhlisit mediatik të Tiranës përflisinin një narrativë konspiracioniste: po përgatiste terrenin për t’u venë në krye të maxhorancës socialiste ngaqë amerikanët ia paskishin bërë benë Edi Ramës dhe pritej zëvendësimi i tij me sot e me nesër.
Në vend që promovimi i romanit të përdorej për të diskutuar probleme me peshë të interesit estetik, social e historik u thirr ‘nën armë’ për interesa pushteti të dala boje. Kësaj i thonë të lesh dasmën e të shkosh për shkarpa, të lesh të iki rastin për të diskutuar probleme të rëndësishme të interesit të gjerë shoqëror e letrar dhe ta grishësh miletin të vazhdojë gërmërin shumëvjeçar ‘jo Berisha po Rama, jo Rama po Berisha’. Jemi apo s’jemi popull politik apo më saktë kapso politik?

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull