Do të duhej të kishte nisur më 1 janar, por procesi i rivlerësimit të pronave ende nuk është hapur. Pas vonesave në dekretim nga Presidenti Bajram Begaj, ligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” është i paplotë. Është ministria e Financave që duhet të hartojë dhe dorëzojë aktet nënligjore me qëllim dhënien e “dritës jeshile” të rivlerësimit me 5 për qind.
“Janë vonesa të panevojshme që po shkaktojnë shumë kaos dhe humbje. Institucionet kanë pasur të gjithë kohën e nevojshme”, u shpreh për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Në pritje të futjes së projektligjit në kalendarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të tregut ankohen se shitblerja e pronave veçanërisht në Tiranë ka ngecur. Nëse kjo vijon, sipas tyre humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme.
“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij”, deklaroi për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Fushata e rivlerësimit nuk do të ulë çmimet e apartamenteve vlerësojnë aktorë nga tregu i pasurive të paluajtshme.
“Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të rritet aktiviteti, të stimulohet oferta për blerësit e parë dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet”, tha për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.
Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.

