EDVIN SHVARC – “Mirënjohja e Annës” është një lule që mbiu dhe u rrit Vlorë

10 Minuta Lexim
(Disa përsiatje, në vend të pasthënies)
Libri i Anna Kohenit mund të ngjajë me ndonjë nga ato përrallat që tregonin dikur gjyshet gjatë netëve të ftohta e të gjata të dimrit për nipërit dhe mbesat, por në thelb, është një rrëfenjë mbijetese individuale dhe familjare, ku gërshëtohen dijet, urtësia dhe përvojat jetësore të dinastisë Kohen në veçanti, me ato të kombit hebre, të përziera edhe me krenarinë, bujarinë dhe humanizmin shqiptarëve. Tek e fundit autorja e pohon me gojën e vet se ndihet: “një hebreje shqiptare, ose hebreje shqiptaro-greke”, madje i ka kushtuar kësaj çështjeje një kapitull më vete dhe mjaft kuptimplotë, të titulluar: “Tepër shqiptare dhe shumë hebreje”.
Anna Koheni është një hibrid i përsosur i vlerave më të mira të kombit të saj hebre, të rrënjëve të saj romanjote si dhe edukatës familjare, të plotësuara më së miri me ato tipare karakterizuese të një vlonjateje par excellence. Historia e përshkruar imtësisht brenda këtyre faqeve përmban jo vetëm sagën njëqindvjeçare të dinastisë Kohen (titull biblik që do të thotë klerik i lartë e që dikur iu dha profetit Aaron, vëllait të madh të patriarkut Moisi), por edhe të mbijetesës së tyre nga shfarosja prej nazistëve gjermanë, e ikjeve dhe largimeve të detyruara e të shpeshta në të paktën dy kontinente, të hedhjes rrënjë diku, në një tokë e vend të ri shpeshherë të panjohur e mbi të gjitha me gjuhë të reja për t’u mësuar, të përpjekjeve për të ndërtuar një të tashme apo edhe të ardhme të begatë, gjithmonë pa harruar mësimet e hidhura të së shkuarës së pamëshirshme, por edhe tekat e papritura të fatit, ulje-ngritjet e rrugëtimit ekzistencialist në këtë botë, rrëzimet dhe ngritjet sërish në këmbë – të gjitha këto të lidhura pazgjidhshmërisht nga filli qartazi i dallueshëm i optimizmit, mosdorëzimit, sakrificave dhe vullnetit të çeliktë për t’ia dalë mbanë. Si për ironi të fatit, ekziston një traditë e fortë dhe e mirënjohur se një “koheni”, një kleriku që rrjedh nga tribuja e Levit, nuk i lejohet të studiojë për mjekësi, por ja që zonja Kohen bëri ç’bëri, nguli këmbë, punoi e mësoi dhe më në fund, e mori diplomën e saj të stërmerituar, duke u njohur sot gjerësisht si “doktoresha Anna”.
Përgjatë shekujve kombi shqiptar ka pasur përfaqësuesit e vet të denjë, të cilët janë shquar dhe kanë ngritur lart në sytë e njerëzimit emrin e këtij vendi të bekuar. Një ndër shqiptaret më të njohuara e të vlerësuar në botë ka qenë dhe mbetet Shën Nënë Tereza. Nëse do të pyesësh hebrenjtë që ajo tërhoqi nga Shqipëria dhe u mundësoi një jetë të re në Bruklin, emigrantët shqiptarë të porsaardhur në Amerikë, bashkatdhetarët nga Kosova, burra, gra, të rinj e të reja, fëmijë e të rritur, apo edhe pacientët e saj të panumërt të të gjitha feve, kombësive e racave, shumë prej syresh mund të thonë me plot gojë se Anna Koheni është një “Nënë Terezë” në miniaturë, me përmasa dhe efekte të tjera natyrisht, por me një zemërgjerësi, bujari dhe dhembshuri të pashoqe. Ndihmesa, bamirësitë dhe misionet e saj humane jo vetëm kanë prekur shumë e shumë jetë njerëzish, por madje edhe ua kanë ndryshuar rrjedhat e fateve të tyre për të mirë. Në një farë mënyre, gjatë gjithë jetës së saj qoftë personale, qoftë familjare apo edhe profesionale, Anna Koheni ka luajtur qiell e tokë duke bërë të pamundurën që ta përmirësojë këtë botë sadopak dhe t’u japë njerëzve shpresë për një të ardhme më të mirë.
Gjithçka që ka bërë, me atë vullnetin e saj të çeliktë dhe këmbënguljen e pahepur, që nganjëherë dukej sikur prekte edhe kufijtë e të qenit “e padurueshme apo edhe e papërballueshme” kur kërkonte të bënte një mizvah, siç i thonë hebrenjtë mirësisë, Anna Koheni e ka bërë thjesht se ashtu e ndjente në zemrën dhe mendjen e saj. Vetëm e vetëm për të dhënë diçka apo edhe gjithçka të afërmve, bashkësisë, shoqërisë apo edhe dy kombeve të lashta mes të cilëve ishte rritur. Të krijohet përshtypja se duke qenë bijë e denjë e një familjeje romanjote të mbijetuarisht nga Holokausti, një vajzë hebreje vlonjate e rritur nën një diktaturë të pashembullt komuniste, e martuar me një hebre polak të amerikanizuar, të cilit nazistët ia kishin pushkatuar të vëllanë para syve, me rrënjë dhe lidhje faresfinore në tre kontinente, një dentiste e përsosur në profesionin e saj të vështirë, por njëkohësisht tërheqës dhe frytdhënës, një aktiviste e rrallë shoqërore në llojin e vet, ajo ka arritur gjithçka ka dashur në jetë sikur të kishte qenë me gjithë mend “një princeshë e vërtetë hebreje”. Ndoshta Anna Kohenit i ka mbetur ende diçka e parealizuar akoma në këto gati shtatë dekada e kusur të ekzistëncës së saj: Gjithmonë ka dashur dhe ëndërruar të ketë një shtëpizë në plazh, buzë detit, në Vlorën e saj të dashur, por nuk i dihet, më mirë vonë se kurrë… Ajo që dihet është se saga e dinastisë Kohen vazhdon me Felishian dhe Olekun e me Alanën e vogël, dhe se fëmijët e Annës, të vëllezërve e të motrës së saj, të farefisit, krenarë për origjinën e tyre, përpiqen përditë ta pasurojnë edhe më tej emrin e mirë dhe traditën e fisshme të tyre. Një gjë është sigurt: Që “xhevahiret e familjes Kohen vazhdojnë të trashëgohen e të kalojnë dorë më dorë, brez pas brezi, pa e humbur aspak shkëlqimin e tyre të dikurshëm”.
Dikush ka thënë se “Mirënjohja është një pemë që nuk rritet në Shqipëri.” Pasi lexuesi të ketë shfletuar edhe faqen e fundit të këtij libri të veçantë e të ketë kundruar fotografitë mbresëlënëse bardhezi të dinastisë Kohen, mund të marrë frymë thellë dhe të mendojë me plot të drejtë, se ajo “lulja” e vogël që mbiu dhe u rrit dikur në Vlorën mahnitëse buzë detit, lulëzoi hirshëm dhe duke hedhur shtat dita-ditës, u shndërrua në një bimë mahnitëse, e cila fare mirë mund ta kishte emrin “Mirënjohja e Annës”. Duket që trualli pjellor ku u ngjiz, dheu paksa i ashpër vlonjat, flladi dhe puhizat e buta adriatiko-joniane, “plehu” i dashurisë dhe dhimbshurisë me të cilën e mëkuan Nona Anneta dhe Papu Elia, prindërit e çmuar Davidi dhe Nina, përkrahja e vëllezërve të shtrenjtë, Eljos dhe Ejbit si dhe e motrës, Aliqit, përkujdesja e “thiave” dhe “thiove”në Shqipëri, Greqi dhe Izrael, e shoqeve dhe e shokëve të fëmijërisë e të rinisë, mbështetja e palëkundur e të shoqit, Markusit, bënë që Anna Koheni dhe rrëfimi mbresëlënës i jetës së saj të kthehet në një shembull se si mundet një grua jo vetëm t’u bëjë ballë tallazeve dhe sfidave të jetës, por edhe të triumfojë me sukses mbi to vetëm në saje të virtyteve dhe parimeve të forta e të palëkundura, punës së palodhur dhe përpjekjeve të pareshtuara, duke frymëzuar edhe plot njerëz të tjerë se e mira, herët a vonë, e mund të keqen gjithmonë.
​Ndoshta një shembull ilustrues i tekave dhe kthesave të fatit, ose i thënies se “Zoti me një dorë të hedh, e me tjetrën të pret”, na paraqitet sot nga fakti se kryerabini i Athinës dhe i Greqisë, është një hebre i ri vlonjat me origjinë romanjote, i quajtur Gabriel (Gerion) Negrini, i nipi i Moize Negrinit, njërit prej personazheve të këtij libri të mrekullueshëm, i cili mundësoi strehimin e familjes Kohen në shtëpinë e Lazajve në fshatin Trevllazër. Bashkësia e hebrenjve romanjotë në Greqi për pak u zhduk e gjitha nga nazistët gjermanë, por ja që disa prej tyre i mbijetuan Holokaustit duke gjetur strehë e shpëtim në Vlorë dhe fshatrat përreth, në saje të bujarisë, mikpritjes dhe besës shqiptare. Një pasardhës i denjë i tyre, u rikthye në tokën e të parëve të tij dhe në ditët tona, udhëheq me vendosmëri dhe urtësi bashkësinë e lashtë të hebrenjve grekë drejt vlerave dhe parimeve më të mira fetare, etike dhe morale.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull