Kryeministri shqiptar, Edi Rama, është ndër të paktët njerëz, të cilët i ka qëndruar pranë homologut të tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, kur Shkupi përballej me krizën diplomatike përballë Sofjes, e cila kishte bllokuar hapjen e negociatave, me kushtin e rishikimit të kushtetutës për pakicat bullgare në Maqedoninë e Veriut.
Kështu ka folur vetë Kovaçevski në fjalën e tij mbyllëse, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila u zhvillua në Shkup të hënën e 14 nëntorit.
Sipas kryeministrit maqedonas, ajo ka qenë një periudhë politike shumë e vështirë për atë vetë, duke qenë i detyruar të bëjë zgjedhje të vështira për të ardhmen e vendit të tij.
Por, një emër i vetëm, i ka qëndruar pranë dhe ai është homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
Ndaj, për këtë arsye, Kovaçevski përsiati se miqësinë që ka krijuar me liderin shqiptar, nuk do humbasë asnjëherë. Përkundrazi, do e ruajë përgjithmonë.
Vetë Rama, në fjalën e tij mbyllëse, tha se e shihte bashkëpunimin mes dy vendeve si një hap shumë i madh drejt bashkëpunimit të plotë rajonal dhe avancimit për në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, për hapat me të cilat është ecur, ai shtoi se vite më parë, nuk do të ishte menduar kurrë ky lloj angazhimi mes vendeve.