Ditën e sotme është larguar nga detyra kryeinspektorja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, pas 18 muajsh në atë detyrë.
Bici u riemërua në atë post në muajin korrik të vitit 2024, pas një periudhe të shkurtër në krye të Kadastrës Shtetërore.
VoxNews ka mësuar se në krye të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit është emëruar Adriatik Kupi, i cili ka qenë drejtor në OSSH. Lëvizja e qeverisë duket se është një rifreskim në një nga institucionet që kontrollon kryesisht ndërtimet pa leje. Gjatë këtyre muajve inspektorët e IKMT-së kanë lëvizur në dhjetëra qytete, për aksionin e lirimit të hapësirave publike.
Në të njëjtën kohë, qeveria po ndërmerr disa nisma ligjore për të bashkuar inspektoriatet, ato vendore dhe të përgjithshme. Aktualisht jemi në fazën e hartimit të bazës ligjore, ku vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar se këto Inspektoriate do të reformohen, duke hequr hallka, sidomos ato vendore, të cilat nuk bëjnë asnjë punë në terren, por vetëm “presin urdhrat nga lart”.
Ndërkohë, në vendin e Dallëndyshe Bicit në krye të IKMT-së do të jetë Adriatik Kupi, një nga njerëzit e mazhorancës. Fillimisht ka qenë administrator i Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë dhe më vonë drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

