Gazetari Artan Hoxha është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ku raportohet se ka dorëzuar audiopërgjimin origjinal të 21 janarit.
Prej 15 korrikut 2024 dosja hetimore për vrasjen e 4 protestuesve me 21 janar 2011 është në duart e prokurorëve të SPAK.
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Në SPAK procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

