Shijakastit triumfuan me përmbysje, 1-2 në “derbi” përballë Teutës në javën e 12-të, me ndeshjen që u zhvillua në Rrogozhinë, në stadiumin “Egnatia Arena”.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola dhe pse skuadrat u shfaqën në portat respektive, por si shijakasit ashtu edhe të besuarit e Bledi Shkëmbit nuk ia dolën t’i shfrytëzonin mundësitë e tyre.
Në pjesën e dytë u luajt tjetër simfoni, me durrsakët të cilët zhbllokuan shumë shpejt, pasi në minutën e 48-të, Lorenco Vila ia doli të gjente saktësisht rrugën e rrjetës duke kaluar në avantazh Teutën.
Gjithsesi, shijakasit nuk u dorëzuan dhe pavarësisht momentit reaguan shumë shpejt, pasi në minutën e 54-të Amir Kahrimanoviç barazoi rezultatin duke vendosur përsëri baraspeshën në këtë përballje.
Skuadrat krijuan një volum loje të lartë dhe në minutën e 69-të Nonato shfrytëzoi në maksimum pasimin e Ademit dhe çoi në delir shijakasit duke përmbysur rezultatin.
1-2 dhe asgjë nuk ndryshoi deri në fund, me Erzenin që tashmë kalon nga faza e një skuadre surprizë, te një skuadër e konfirmuar dhe prek koutën e 20 pikëve, momentalisht në vendin e dytë, ndërkohë Teuta “fundoset” në vendin e fundit me 8 pikë dhe me katër javë pa fitore.