Autoriteti i Dosjeve nis bashkëpunimin me Fondacionin “Besa”: Holokausti si mësim qytetarie dhe instrument edukimi kundër urrejtjes

9 Minuta Lexim

Me studentët e masterit “Mësues në Histori”, në Klubin e Librit “Mësojmë nga e kaluara” diskutojme mbi romanit “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit” të shkrimtarit Marçel Hila.

Tiranë, 26 janar 2023 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Fondacionin “Besa”, mbajti Klubin e Librit “Mësojmë nga e kaluara” me diskutimin e romanit “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit” të shkrimtarit Marçel Hila.

Me praninë e mësuesve të historisë dhe edukimit qytetar, studentë të masterit “Mësues në Histori”, pedagogë, përfaqësues institucionesh, si dhe gazetarë dhe studiues të fushës së historisë dhe kujtesës, takimi ishte një hapësirë reflektimi mbi kujtesën historike, edukimin qytetar dhe përgjegjësinë morale të shoqërisë.

Kujtesa e Holokaustit, siç u theksua gjatë aktivitetit, flet dy herë për Shqipërinë: së pari, për pasojat shkatërruese të urrejtjes, mohimit të së vërtetës dhe sistemeve që zhveshin njeriun nga dinjiteti;

së dyti, për Besën, fjalën e dhënë dhe solidaritetin njerëzor të treguar nga shqiptarët ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalën e hapjes, Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, theksoi se Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit nuk është thjesht një datë kalendarike, por një provë morale për shoqëritë dhe një thirrje për kujtesë aktive. Ajo nënvizoi se Shqipëria, në një Evropë të përkulur nga frika, urrejtja racore dhe konformizmi ideologjik, zgjodhi ndryshe: vendosi njeriun mbi politikën dhe jetën mbi urdhrin.

“Rezultati është një fakt historik i pakontestueshëm: Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj të shpëtuar sesa kishte përpara luftës. Kjo nuk ishte rastësi, por kulturë morale dhe zgjedhje njerëzore – ishte Besa”, u shpreh znj. Sula.
Ajo vuri theksin gjithashtu te rëndësia e përcaktimit të piketave të kujtesës historike në kurrikulat mësimore, si dhe te përdorimi i burimeve arkivore si instrument edukimi, duke theksuar se dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përbëjnë një burim të çmuar për mësuesit, studiuesit dhe studentët e historisë.

“Në këtë frymë, Klubi i Librit në AIDSSH dhe bashkëpunimi i ri me Fondacionin Besa synojnë të shkojnë përtej përkujtimit simbolik, që Holokausti të mos mbetet një kapitull i largët në tekstet shkollore dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri të mos reduktohet në legjendë folklorike.
Por të kthehet në mësim qytetar, në instrument edukimi kundër urrejtjes, në shembull të zgjedhjes morale edhe sot.

Dosjet e elitës politike, administrative dhe intelektuale të periudhës së Holokaustit ndodhen sot në fondin e ish-Sigurimit të Shtetit, duke përbërë një burim të çmuar për studiuesit dhe mësuesit e historisë. Këto dokumente ofrojnë mundësinë për të njohur më thellë faktet, vendimmarrjet dhe personazhet e kohës – jo përmes mitizimit, as veshtrimit bardh-a zi por përmes provës historike.”

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Besa”, z. Albi Greva, përshëndeti bashkëpunimin institucional me Autoritetin e Dosjeve duke theksuar se edukimi mbi Holokaustin dhe historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri përbëjnë një detyrim moral dhe kulturor për shoqërinë shqiptare dhe më gjerë.

Në këtë kuadër, z. Greva theksoi se Fondacioni “Besa” ka marrë përsipër iniciativën për ndërtimin e Muzeut “Besa”, një hapësirë e dedikuar kujtesës historike dhe marrëdhënies së veçantë mes shqiptarëve dhe hebrenjve. Sipas tij, ky muze synon të dokumentojë dhe të përcjellë ndër breza historinë e mikpritjes, solidaritetit dhe shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, jo si një narrativë mitizuese, por si një dëshmi të bazuar në fakte, dokumente dhe histori njerëzore.
Muzeu “Besa” do të shërbejë si një qendër edukimi dhe reflektimi, veçanërisht për të rinjtë, ku kujtesa historike do të ndërthuret me edukimin qytetar, duke promovuar vlerat e tolerancës, respektit për tjetrin dhe përgjegjësisë morale. “Ruajtja dhe transmetimi i kësaj historie është një mënyrë për të ndërtuar rezistencë shoqërore ndaj ideologjive të urrejtjes dhe për të forcuar kulturën e bashkëjetesës në shoqërinë tonë,” u shpreh z. Greva.

Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, u ndal në rolin e veçantë të Beratit dhe komunitetit të tij në mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Berati- tha ai- përfaqëson një nga shembujt më domethënës të bashkëjetesës, tolerancës fetare dhe mikpritjes në historinë shqiptare, ku familje myslimane dhe të krishtera hapën dyert e shtëpive të tyre për hebrenjtë e rrezikuar nga shfarosja naziste, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
“Kadri Cakrani, gjatë Luftës së Dytë Botërore, udhëhoqi me guxim mbrojtjen dhe shpëtimin e qindra hebrenjve në qytetin e Beratit, duke rrezikuar jetën e tij dhe të familjes. Me urdhra të prerë dhe organizim të fshehtë, ai siguroi strehim, dokumente dhe mbrojtje për ta, duke mos dorëzuar asnjë hebre pushtuesve nazistë. Falë veprimit të tij, Berati u shndërrua në një strehë shpëtimi në një nga periudhat më të errëta të historisë evropiane. Sot, Kadri Cakrani nderohet ndërkombëtarisht si një hero i Holokaustit dhe simbol i besës, solidaritetit dhe humanizmit shqiptar.”

Autori Marçel Hila prezantoi librin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, një vepër që sjell histori konkrete dhe dëshmi njerëzore të familjeve hebreje të strehuara në Shqipëri, ku në qendër qëndron familja me origjinë hebreje Rabinovitz. Përmes rrëfimit letrar, libri kthen kujtesën historike në përvojë të jetuar dhe ngre pyetje thelbësore mbi raportin mes frikës, mbijetesës dhe mikpritjes.

Aktiviteti u moderua nga gazetarja Monika Stafa, autore e librit “Hebrenjtë në Shqipëri”, e cila theksoi se studimi i saj ka pasur si synim të hedhë dritë mbi ekzistencën e komunitetit hebre në Shqipëri që nga antikiteti e deri në vitet ’90, si dhe të shpjegojë arsyet historike, kulturore dhe shoqërore të bashkëjetesës paqësore mes hebrenjve dhe shqiptarëve.

Sipas Stafës, kjo bashkëjetesë nuk ishte rastësore, por e ndërtuar mbi vlera të rrënjosura thellë në shoqërinë shqiptare, si mikpritja, toleranca fetare dhe respekti për tjetrin, vlera që u shfaqën në mënyrën më domethënëse gjatë periudhës.

Simon Mirakaj, ish-i përndjekur politik dhe ish-anëtar i Autoritetit, vuri në dukje aktet pozitive dhe thellësisht domethënëse që administrata shqiptare e kohës së luftës ndërmori për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët. Ai theksoi se kjo datë na vë përballë kujtesës historike dhe ideologjive të çmendura që plagosën hebrenjtë dhe mbarë njerëzimin, ndërsa ende ndiejmë pasojat e rënda të totalitarizmit komunist. Sipas tij, shoqëria jonë shpesh ka frikë të përmendë të vdekurit dhe madhështinë e veprave të tyre. Në këtë kuadër, ai përmendi aktin e Kadri Cakranit, i cili strehoi rreth 200 hebrenj gjatë luftës në pronat e tij, si edhe kontributin e Kolë Bibë Mirakës, Mustafa Krujës, Eqerem Bej Libohovës dhe Zef Kadarjes, që nuk ua dorëzuan hebrenjtë pushtuesve, por i strehuan dhe u siguruan pasaporta vendase.

Diskutimi i hapur mes autorit, gazetarëve, mësuesve, studentëve dhe pedagogëve u fokusua në mënyrat se si letërsia, dëshmitë personale dhe dokumentet arkivore mund të përdoren si mjete edukative për të nxitur mendimin kritik dhe për të shmangur banalizimin e së shkuarës.
Në përfundim, u theksua se Klubi i Librit “Mësojmë nga e kaluara” synon të lidhë letërsinë me historinë, arkivat me edukimin qytetar dhe përkujtimin me përgjegjësinë, duke e kthyer kujtesën e Holokaustit në një instrument aktiv për formimin e brezave të rinj dhe ndërtimin e një shoqërie më humane, më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme.

Tiranë, 26.1.2026

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull