Gjykata Kushtetuese ka rihapur gjykimin për Arben Frrokun, lidhur me vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Seanca për Frrokun do të mbahet më 17 shkurt, në orën 10:00.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të rihapet dosja e Arben Frrokut, i cili është dënuar përjetë për vrasjen e Lamajt në 2013.
Strasburgu vlerësoi se procesi ndaj tij ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe duhet të rigjykohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Arben Frroku është i dënuar përjetë nga Apeli i Krimeve të Rënda për vrasjen e komisarit Lamaj, por ai ndodhet në burg në Holandë, shtet i cili ka refuzuar ekstradimin e tij.
Frroku iu drejtua Gjykatës së Strasburgut pasi ankimi i tij iu rrëzua edhe në Gjykatën e Lartë më 8 qershor 2017, si edhe në Gjykatën Kushtetuese më 24 prill 2018, duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë.
Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Mark Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje.

