Shqiptari Vasil Palo është një nga shtatë tifozët e PAOK-ut që humbën jetën pas një aksidenti tragjik në Rumani. Tifozët ishin nisur nga Greqia drejt Francës për të ndjekur ndeshjen ndaj Lyonit, por udhëtimi i tyre u kthye në tragjedi, ku shtatë persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital.
Mediat në Rumani raportojnë se në furgonin e tyre është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike, ndërsa bëhet e ditur se gjatë manovrës së parakalimit shoferi e kishte lënë mjetin në pilot automatik.
Ndërkohë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shprehu ngushëllime familjarëve. “Ata po udhëtonin drejt Francës për pasionin, dashurinë ndaj skuadrës së tyre të zemrës dhe futbollit. Futbolli bashkon, por sot fatkeqësisht na bashkon dhimbja. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe që na lë pa fjalë. E bëhet edhe më e trishtë kur mësuam se mes viktimave ishte edhe një tifoz shqiptar, Vasil Palo, të cilin do ta kujtojmë me respekt të veçantë. Mendimet e lutjet tona sot janë me familjet e viktimave të aksidentit tragjik në Rumani, me familjen e Vasilit, me skuadrën e PAOK-ut dhe futbollin grek. U prehshin në paqe”, shkruan Duka.

