Qeveria miraton “Planin Schengen 2026-2030”, objektiv anëtarësimi në BE brenda 4 viteve, policia me pajisje inteligjente, gjurmim digjital të armëve të zjarrit

5 Minuta Lexim

Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar udhërrëfyesin strategjik që synon të përgatisë vendin teknikisht dhe ligjërisht për t’u bërë pjesë e Zonës Schengen dhe Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Me vendim, Këshilli i Ministrave miratoi “Planin e Veprimit Schengen 2026–2030”, një dokument që prek çdo hallkë të sigurisë kombëtare.

Sipas dokumentit të botuar në Fletoren Zyrtare, objektivi strategjik i qeverisë është: “Deri në vitin 2030, që përbën objektivin kryesor të qeverisë për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria të ketë përmbushur të gjitha kërkesat e Schengen-it.”

Struktura e re, “koordinatori kombëtar

Për të menaxhuar këtë proces, qeveria ka vendosur krijimin e një hierarkie të re. Ministria e Punëve të Brendshme merr një rol qendror, duke u caktuar si “Koordinatori Kombëtar i Schengen-it”. Ky autoritet, i mbështetur nga një Strukturë Drejtuese ndërinstitucionale, do të mbikëqyrë zbatimin e reformave dhe do të raportojë për progresin.

11 shtyllat e planit

Dokumenti strategjik është ndarë në 11 objektiva specifikë, që mbulojnë të gjitha aspektet e sigurisë dhe lëvizjes së lirë:

Menaxhimi i kufijve

Modernizimi i infrastrukturës në pikat e kalimit dhe harmonizimi i plotë i legjislacionit me atë të BE-së.

Sistemet e informacionit

Krijimi i bazave të të dhënave të ndërveprueshme me sistemet europiane (SIS, VIS), duke rritur sigurinë kibernetike.

Politika e vizave

Përafrimi i regjimit të vizave të Shqipërisë me politikën e përbashkët të BE-së.

Politika e kthimit

Rritja e efikasitetit në kthimin e emigrantëve të parregullt dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Armët e zjarrit

Harmonizimi i plotë i ligjit për armët me acquis të BE-së dhe gjurmimi digjital i tyre.

Antikorrupsioni

Reforma për integritetin e stafit në pikat kufitare dhe agjencitë ligjzbatuese.

Një pikë e planit është edhe përgatitja për skenarin e anëtarësimit. Dokumenti parashikon zhvillimin e kornizave ligjore për momentin kur kontrollet kufitare me fqinjët (që janë pjesë e Schengen) do të hiqen, duke kaluar në një bashkëpunim policor pa barriera fizike.

Kontrolli i armëve, digjitalizim dhe gjurmim

Një nga prioritetet madhore mbetet kontrolli rigoroz i armëve të zjarrit. Sipas dokumentit, Shqipëria tashmë ka regjistruar mbi 75% të poseduesve të armëve në regjistrin elektronik kombëtar “SIMA”. Megjithatë, objektivi i ri për periudhën 2026-2030 është harmonizimi i plotë me legjislacionin e BE-së. Për këtë, Policia e Shtetit do të përdorë sisteme të avancuara si “iBase” dhe “iArms” të Interpolit, si dhe sistemin e ri “Traffic” për informacionin balistik.

Sipas vendimit, në pikat e kalimit kufitar parashikohet rritja e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, përfshirë njësitë K9 dhe pajisje moderne zbulimi, për të parandaluar trafikimin e armëve.

Antikorrupsioni, fokus te sektorët me risk të lartë

Kapitulli 10 i dokumentit i dedikohet funksionimit të autoriteteve antikorrupsion. Strategjia e re 2024-2030 targeton fushat më problematike: pronat, prokurimet publike, shëndetësinë, arsimin dhe doganat.

Një ndryshim i rëndësishëm strukturor është transferimi i Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit nën varësinë e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Qeveria angazhohet për rishikimin e ligjit për sinjalizuesit (whistleblowers) brenda vitit 2026, për ta përafruar plotësisht me Direktivën e BE-së, si dhe forcimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të pastruar radhët e uniformave blu.

Drejtësia

Në fushën e drejtësisë penale, Shqipëria konfirmon thellimin e bashkëpunimit me Eurojust dhe Zyrën e Prokurorit Publik Evropian (EPPO). Dokumenti vlerëson se Shqipëria është lider në Ballkanin Perëndimor për numrin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Objektivi është që deri në vitin 2027, legjislacioni shqiptar për bashkëpunimin gjyqësor të jetë plotësisht i harmonizuar me atë të BE-së, duke lehtësuar ekstradimet dhe njohjen e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore.

Financimi dhe monitorimi

Kostoja e këtij transformimi rrënjësor do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga fondet e donatorëve (BE). Për të garantuar suksesin, plani parashikon dy momente kyçe kontrolli: një vlerësim afatmesëm në fund të vitit 2027 dhe një vlerësim përfundimtar në vitin 2030.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull