Rikthehen “skemat piramidale” on line, platforma “Ivuu”, me qindra qytetarë po bien pre e mashtrimit

2 Minuta Lexim

Janë rikthyer sërish në vend skemat mashtruese të ngjashme me firmat piramidale. Kujtojmë që muaj më parë një skemë e tillë u përhap masivisht në të gjithë vendin duke mashtruar mijëra qytetarë, të cilët humbën shumë para.

Por, në atë kohë institucionet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë veprim konkret për ta ndaluar këtë skemë mashtruese dhe nuk u zhvillua një hetim i thelluar për të identifikuar përgjegjësit, duke krijuar kështu terren të favorshëm për rikthimin e kësaj skeme sërish.

Në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit si Lezha dhe Fieri, skema më e re, e quajtur “Ivuu”, po funksionon përmes aplikacionit “Telegram”. Pre e saj, sipas të dhënave, janë bërë shumë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, duke rikthyer në kujtesë mashtrimin e pak kohëve më parë.

Rreth një vit më parë qytetarët investuan shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit. Skema funksiononte në formë zinxhiri, ku çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione. Shumëfishimi i parave realizohej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, të cilat rrisnin buxhetin në një portofol elektronik dhe nxisnin investime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë, mjaftonte një investim fillestar prej 1 deri në 2 mijë euro, së bashku me dorëzimin e kartës së identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej në “Telegram”. Shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa përfituesit realë ishin vetë organizatorët e skemës së mashtrimit. E njëjta skemë, me të njëjtën formulë, në të njëjtin kanal komunikimi, po zhvillohet sërish, e përsëri po bën viktima shumë persona.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull