Rrefim nga Dhermiu i vajzes bregdetase Iris Hoxha

11 Minuta Lexim

Nga Marin Mema-

Sot kam marrë një letër, shkrim nga një vajzë me origjinë nga bregu, zona e Himarës. Vajza quhet Iris Hoxha! Uroj ta lexoni të plotë, sepse vërtetë ja vlen! Ajo dëshmon të vërteta të shprehura thjesht dhe qartë. Lexojeni të plotë më poshtë! ❤️ Ps : Mos pyesni për mbiemrin, sepse njeriu ka edhe gjyshe apo merr mbiemrin e bashkëshortit kur martohet! Vajza nga gjyshja është puro nga Dhërmiu, madje nga familje e njohur!
Rrëfim nga Dhërmiu
Kam lindur në Tiranë, në një familje me origjinë nga zona e Himarës, kryesisht nga Vunoi dhe
Dhërmiu. Për mua, kjo origjinë nuk ka qenë kurrë një çështje politike. Ka qenë thjesht jeta ime e
përditshme dhe mënyra se si jam rritur. Vunoi, siç dihet, mbart një identitet të shëndetshëm shqiptar dhe flet një dialekt të veçantë, me ngjashmëri të dukshme me dialektet arbëreshe të Italisë. Gjyshja ime ishte nga një fis i njohur i Dhërmiut. Gjuha e saj primare ishte greqishtja — ashtu fliste me vëllain dhe motrën, me prindërit dhe me njerëzit e saj. Ajo ishte krishterë ortodokse dhe shumë besimtare, si shumica e banorëve të Dhërmiut. Kur qëndronim tek gjyshërit, gjyshja na mësonte ndonjë fjalë greqisht, si të numëronim apo ndonjë shprehje të thjeshtë. Jo si imponim dhe jo si propagandë, por si lojë dhe si një mënyrë për të zhvilluar kureshtjen e fëmijëve. Kur vinte motra e saj për vizitë, ato flisnin greqisht mes tyre që unë dhe motra ime të mos kuptonim çfarë thoshin — siç bëjnë të rriturit kudo në botë. Identiteti familjar nuk ka qenë në diskutim. Ne ishim shqiptarë. Disa flisnin greqisht, disa shqip. Për disa, të dyja gjuhët bashkë. Disa fetarë, disa ateistë ose sekularë. Disa të majtë, disa të djathtë, disa apolitikë. Gjithçka ishte e natyrshme dhe pa nevojë për shpjegime.
Është e rëndësishme të kuptohet se gjuha e folur nuk është gjithmonë tregues i origjinës etnike — kur bëhet fjalë për gjuhë që për shekuj me radhë janë shtrirë përtej territorit të tyre përmes fesë, perandorive apo administratës, si greqishtja,frëngjishtja apo anglishtja. Sot, shumë vende afrikane flasin frëngjishten apo anglishten si gjuhë amtare, pa pasur asnjë lidhje gjenetike me Francën apo Anglinë. Është thjesht çështje rrethanash historike.
Në rastin e Dhërmiut/Himarës, këto rrethana janë të njohura dhe të dokumentuara. Banorët ishin thellësisht fetarë dhe, gjatë periudhës osmane, kur gjuha shqipe ishte e margjinalizuar dhe shpesh e ndaluar në arsim, greqishtja mbeti pothuajse e vetmja alternativë për shkollim dhe praktikë fetare. Kësaj i shtohen edhe vitet e gjata që shumë prej tyre kaluan në ishujt grekë, si pjesë e tregtisë detare apo gjatë periudhave të agresionit osman. Këto janë fakte historike të dokumentuara dhe nuk ka nevojë të rihapen. Me kalimin e kohës (pas vitit 1991), politika hyri në këtë realitet dhe filloi ta ndotë harmoninë në
të cilën ne shqiptarët jetonim. Fqinjët tanë në jug ofruan përfitime pensioni për ata që ata i konsideronin “vorioepirotë”, dhe shumë njerëz zgjodhën të përfshiheshin. Jo sepse donin të shfaqnin ndonjë favorizim kombëtar, dhe jo sepse po “shisnin identitetin e tyre, por sepse kishte nevojë reale ekonomike. Këto pensione u lejuan shumë të moshuarve të ruanin njëfarë pavarësie financiare, pa u bërë barrë për fëmijët e tyre. Ishte një periudhë tranzicioni pas-komunist, e mbushur me pasiguri dhe vështirësi të thella ekonomike. Por këto pensione ishin edhe një shpatë me dy tehe.
Ndërsa ndihmuan shumë në aspektin material, ato krijuan edhe një krizë identiteti për disa njerëz nga kjo zonë — veçanërisht për ata që kishin emigruar tashmë në Greqi. Nën presionin e ksenofobisë ndaj shqiptarëve dhe nevojës për t’u integruar, disa zgjodhën të fshehin origjinën e tyre shqiptare dhe të mbaheshin pas asaj që ishte më e lehtë për t’u pranuar. Jo domosdoshmërisht nga bindja personale, por si formë mbijetese. Ky mekanizëm nuk është i ri. Në historinë amerikane njihet edhe fenomeni i “white passing” , ku individë apo familje me prejardhje afro-amerikane fshihnin identitetin e tyre të vërtetë për të mbijetuar shoqërisht. Mekanizmi është i njëjtë kudo —përshtatje për të mbijetuar. Një gjë tjetër që nuk duhet ngatërruar me këtë është miti i prejardhjes. Shumë njerëz nuk e fshehin identitetin për të mbijetuar, por thjesht trashëgojnë rrëfime familjare që me kalimin e kohës kthehen në “të vërteta”.
Nuk duhet harruar se shumë prej këtyre njerëzve ishin njerëz të thjeshtë, që kishin punuar gjithë jetën në kooperativa bujqësore. Ata nuk kishin as mjete, as informacion, as akses për të verifikuar shkencërisht apo historikisht prejardhjen e tyre. Nëse i pyet sot disa njerëz nga zona, do të thonë se janë pasardhës të ndonjë greku misterioz, por nuk janë në gjendje të tregojnë emra, dokumente apo vendin konkret nga ku ai supozohet se ka ardhur. Janë rrëfime të ndërtuara mbi legjenda familjare, jo domosdoshmërisht mbi fakte. Ky fenomen ndodh kudo në botë. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, shumë familje pretendojnë se kanë prejardhje nga amerikanët autoktonë. Rasti i senatores Elizabeth Warren është i njohur: një pretendim i trashëguar nga rrëfimi familjar që nuk përputhej me faktet gjenetike u bë skandal politik për javë të tëra gjatë fushatës elektorale. Kjo nuk e bën domosdoshmërisht dikë keqdashës — thjesht tregon sa shpesh mitet familjare nuk janë në përputhje me realitetin. Duke pasur akses në informacion dhe mundësinë për të bërë kërkim, vendosa edhe unë të shkoj një hap më tej. Vendosa të bëj një test ADN-je. Jo për të provuar diçka, por për të mësuar.
Testi u krye nga 23andMe, një nga kompanitë më serioze të testimit gjenetik të disponueshme për publikun. Rezultati ishte i qartë: 100% shqiptare, por nga një haplogrup mitokondrial që është shumë i
rrallë si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Shkenca nuk gënjen. Nëse do të kishte ndonjë përbërës grek në historinë e familjes sime, ai do të pasqyrohej këtu. Harta e origjinës gjenetike përfshinte vetëm Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën — vende kryesisht shqiptare gjenetikisht. Sigurisht, unë nuk pretendoj që familja ime të jetë pasqyrë e të gjithë banorëve të Himarës. Por testi të lidh edhe me persona të tjerë nga e njëjta zonë. Duke parë rezultatet e tyre, u vu re se pothuajse asnjëri nuk kishte përbërës grek në ADN-në e vet.
Kjo nuk përjashton migrime individuale. Është e mundur që në periudha të ndryshme historike të kenë ardhur individë grekë dhe të jenë integruar në zonë. Kjo ndodh kudo në botë. Por të thuash se rajoni është grek, apo se banorët e tij janë etnikisht grekë, nuk është vetëm historikisht e pasaktë — është edhe shkencërisht e pambështetur. Dhe për ta thënë qartë: të qenit grek nuk të bën më të mirë apo më superior. Ashtu siç të qenit shqiptar nuk të bën automatikisht më të vlefshëm. Kombësia nuk është medalje morale.
Por ka një realitet që shpesh nuk thuhet: edhe ata që sot e quajnë veten “vorioepirotë”, në Greqi nuk shihen ose pranohen realisht si grekë. Në rastin më të mirë, shihen si më pak problematikë sesa “shqiptarët”. Nënvlerësimi dhe shikimi nga lart vazhdojnë të ekzistojnë. Dhe megjithatë, sot jemi në një moment krejt tjetër. Nuk jetojmë më në kohën kur duhej të mohonim veten për të mbijetuar.
Sot njerëzit po vijnë këtu për të investuar, për të na njohur dhe për të zbuluar Shqipërinë. Madje, vetëm së fundmi, edhe Ivanka Trump ishte shumë pranë, gjatë vizitës së saj në Shqipëri. Dhe pikërisht në këtë kontekst, më ka mbetur në mendje një skenë në Himarë: një grua që u afrohej turistëve pa iu kërkuar askush dhe u thoshte turistëve se “ne jemi pakicë greke”. Turistët nuk e kishin pyetur dhe, në fakt, dukeshin të hutuar dhe të painteresuar. Përvoja e tyre nuk u pasurua, përkundrazi, u bë e sikletshme. Nga këndvështrimi i të huajve, kjo nuk na bën më interesantë. Na bën të dukemi të paqëndrueshëm, qesharakë dhe të paarsimuar. Mesazhe të tilla nuk tërheqin respekt, por konfuzion. Kjo zonë ka një histori jashtëzakonisht të ndërlikuar, ndryshe nga çdo rajon tjetër në Shqipëri. Pikërisht kjo e bën të veçantë. Në vend që të përpiqemi të kopjojmë kulturën apo identitetin e një vendi tjetër, duhet ta kuptojmë këtë veçanti, ta studiojmë dhe ta shpjegojmë. Sepse vetëm kështu kemi diçka reale dhe interesante për t’u treguar njerëzve që vijnë këtu.
Zona e Himarës është shqiptare, por me një histori dhe kulturë unike, të formuar nga rrethana të veçanta, shekuj bashkëjetese dhe dyndje nga zona të ndryshme të Shqipërisë, të cilat e kanë pasuruar dhe formësuar atë. Kjo nuk është diçka për t’u fshehur apo për t’u zëvendësuar me diçka tjetër. Është diçka për t’u kuptuar dhe për t’u treguar me krenari. Sepse kur je origjinal, nuk ke nevojë të bindësh askënd. Origjinaliteti flet vetë.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull