Nga Aleksandër Çipa
Gjatë dy javëve të fundit, Pekini ka tërhequr vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare. Kryeministri i Kanadasë dhe ai i Finlandës dhe Presidenti i Francës Makron, zhvilluan vizita zyrtare që morën shumë vëmendshmëri.
Veçanërisht kryeministri britanik i mbërritur në Pekin, pas një mungese të tillë qysh prej vitit 2018, shoqërohet nga një delegacion prej rreth 60 udhëheqësish britanikë biznesi dhe të kulturës. Sir Keir Starmer në nisje drejt Pekinit u shpreh se “Për vite me radhë, qasja jonë ndaj Kinës ka qenë e paqëndrueshme – duke alternuar periudha të ngrohta dhe të ftohta. Por na pëlqen apo jo, Kina ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar… një marrëdhënie strategjike dhe e qëndrueshme është në interesin tonë kombëtar.”
Më 29 janar, Presidenti Xi Jinping u takua me Kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili ndodhej në një vizitë zyrtare në Pekin/Foto nga VCG
Paralelisht me këtë kalendar vizitash, Berlini ka bërë të ditur se kancelari gjerman do të vizitojë Kinën muajin e ardhshëm. Të marra së bashku, këto lëvizje përbëjnë më shumë sesa një përkim kalendarik. Ato tregojnë një prirje të qartë: një rikthim gradual të vendeve perëndimore drejt angazhimit me Kinën, në një moment kur ekonomia globale dhe rendi ndërkombëtar po kalojnë një fazë të pasigurt transformimi. Kjo valë vizitash vjen menjëherë pas Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku Kina artikuloi edhe një herë qëndrimin e saj në favor të hapjes, bashkëpunimit dhe multilateralizmit. Në një skenë të mbushur me debate mbi fragmentimin e globalizimit, politikat e “de-risking” dhe tensionet gjeopolitike, Pekini u përpoq të dërgonte një mesazh stabiliteti: Kina mbetet e interesuar për një ekonomi botërore të hapur dhe për mekanizma shumëpalësh që rregullojnë bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky mesazh, pavarësisht skepticizmit që ekziston në disa kryeqytete perëndimore, duket se ka gjetur një terren realist për t’u dëgjuar.
Arsyeja kryesore është e thjeshtë dhe e vështirë për t’u anashkaluar: Kina mbetet një faktor kyç i ekonomisë botërore. Për shumë vende perëndimore, sidomos ato evropiane, marrëdhëniet ekonomike me Kinën janë thellësisht të ndërthurura me interesat e tyre industriale, tregtare dhe financiare. Gjermania, për shembull, ka ndërtuar për vite me radhë një varësi të ndërsjellë me tregun kinez, ndërsa Mbretëria e Bashkuar e sheh Kinën si një partner të rëndësishëm për sektorin financiar dhe eksportet. Prania e delegacioneve të mëdha biznesi në këto vizita nuk është simbolike, por thelbësore: ajo tregon se bota e biznesit po kërkon vazhdimësi, qartësi dhe stabilitet, jo shkëputje të menjëhershme me kosto të larta. Në këtë kuadër, retorika e viteve të fundit për “decoupling” po zëvendësohet gradualisht nga një qasje më e matur dhe më realiste. Vendet perëndimore flasin gjithnjë e më shpesh për uljen e rreziqeve, jo për prishjen e marrëdhënieve. Vizitat në Pekin janë pjesë e kësaj përpjekjeje për të menaxhuar varësitë ekzistuese, për të rinegociuar rregullat e bashkëpunimit dhe për të mbajtur të hapura kanalet e dialogut në një mjedis gjithnjë e më të polarizuar.
Më 27 janar, Presidenti Xi Jinping u takua me Kryeministrin finlandez Orpo, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Pekin./Foto nga Xinhua
Një dimension tjetër i rëndësishëm është ai politik. Rivaliteti strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka vendosur shumë vende perëndimore përballë zgjedhjeve të vështira. Megjithatë, këto vizita tregojnë se jo të gjitha kryeqytetet janë të gatshme ta reduktojnë politikën e tyre ndaj Kinës në një logjikë blloqesh. Sidomos në Evropë, po forcohet ideja se ruajtja e dialogut me Pekinin është pjesë e një autonomie më të gjerë strategjike, e cila synon të balancojë aleancat tradicionale me interesat kombëtare afatgjata. Në këtë sfond, multilateralizmi shfaqet si një pikë takimi e domosdoshme, edhe nëse jo gjithmonë e lehtë. Çështje si ndryshimet klimatike, tranzicioni energjetik, stabiliteti financiar apo siguria e zinxhirëve të furnizimit nuk mund të adresohen pa përfshirjen e Kinës. Edhe ata që shprehin rezerva ndaj politikave të Pekinit e pranojnë se izolimi nuk është një strategji funksionale në një botë të ndërvarur.
Në fund, vizitat e shpeshta të liderëve perëndimorë në Kinë pas Davosit tregojnë një realitet më kompleks sesa ndarjet e thjeshta gjeopolitike. Ato nuk sinjalizojnë një kthesë dramatike apo një afrim pa kushte, por një rikthim të diplomacisë së interesit, ku pragmatizmi po fiton terren ndaj retorikës. Në një botë të pasigurt dhe të fragmentuar, angazhimi, dialogu dhe bashkëpunimi selektiv po shihen gjithnjë e më shumë jo si dobësi, por si mjete të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të menaxhuar një rend ndërkombëtar në ndryshim.

