Nga Genc Llakaj-
Avokat
Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, më datë 22.01.2026, e përfaqësuar nga një gjyqtare model i drejtësisë, znj. Manjola XHAXHO, mori një vendim të drejtë dhe dinjitoz lidhur me mosmarrëveshjet e krijuara brenda Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo pezulloi gjykimin e çështjes Nr. 1065/109 Regj. Them., duke iu referuar logjikës juridike dhe arsyetimit ligjor, në përputhje me parimet themelore të së drejtës procedurale civile dhe me respekt të plotë për institucionin që kjo organizatë përfaqëson në historinë kombëtare shqiptare. Ky vendim nuk ishte thjesht një akt procedural, por një qëndrim institucional që dëshmon se drejtësia, kur zbatohet me ndërgjegje, është në gjendje të ndajë konfliktin nga e vërteta, zhurmën nga ligji dhe interesat e ngushta nga interesi publik. Gjykata veproi mbi parimin “ratio legis” (arsyeja e ligjit), duke kuptuar se një proçes gjyqësor nuk mund të ecë përpara mbi baza të paqarta përfaqësimi dhe mbi veprime të dyshimta që cënojnë vetë thelbin e legjitimitetit institucional. Në qendër të kësaj çështjeje qëndron figura e Kryetarit legjitim të OVP-LANÇ, Prof. Dr. Hulusi Hako, i zgjedhur më 10.04.2023, pas propozimit nga Kryesia dhe me vendim të Komitetit Kombëtar të Organizatës, në përputhje të plotë me statutin dhe ligjin. Ky është një fakt juridik i dokumentuar, i pakontestueshëm dhe me efekte “erga omnes” (ndaj të gjithëve). Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë realitet nuk është debat juridik, por devijim institucional. E drejta procedurale civile është e qartë: përfaqësimi nuk është formalitet, por kusht thelbësor për vlefshmërinë e çdo veprimi gjyqësor. Parimi universal “nemo plus iuris transferre potest quam ipse habet” (askush nuk mund të transferojë më shumë të drejta sesa ka vetë) vlen njësoj për individët dhe për institucionet. Një sekretar i përgjithshëm, sado funksional të jetë në aspektin administrativ, nuk mund të marrë përsipër kompetenca që ligji dhe statuti nuk ia njohin, aq më pak të autorizojë një avokat për të vepruar në emër të Kryetarit legjitim, pa vullnetin dhe pa dijeninë e tij. Në këtë rast, përfaqësimi i pretenduar nga një avokat, i mbështetur në një autorizim të dhënë nga një organ që nuk ka tagër përfaqësues, përbën veprim “ultra vires” (tej kompetencës). Një veprim i tillë është juridikisht i pavlefshëm “ipso iure” (i pavlefshëm që në lindje) dhe nuk mund të prodhojë pasoja ligjore, pavarësisht formës që i vishet. Situata bëhet edhe më e rëndë nga fakti se Kryetari i OVP-LANÇ ka qenë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit. Në këto kushte, çdo përpjekje për ta “përfaqësuar” atë pa pëlqimin e tij shkel parimin “voluntas domini” (vullneti i zotit të së drejtës). E drejta nuk njeh përfaqësim “sine voluntate” (pa vullnet), dhe një veprim i tillë konsiderohet “non existent: (juridikisht i pakryer). Gjykata, duke u përballur me këtë realitet procedural, zgjodhi rrugën më të matur dhe më të drejtë: pezullimin e gjykimit, në mbështetje të nenit 297, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Civile, normë që parashikon pezullimin kur zgjidhja e çështjes varet nga një çështje tjetër paraprake. Ky vendim dëshmon respekt për “due process of law” (procesin e rregullt ligjor) dhe për parimin e sigurisë juridike (legal certainty). Por kjo çështje nuk ndalet vetëm te përfaqësimi procedural. Ekzistojnë dyshime serioze, të mbështetura në indicie dhe dokumentacion, se në disa raste firma e Kryetarit, Prof.Dr. Hulusi Hako, është përdorur pa dijeninë e tij, duke ngritur dyshime të forta për veprime që mund të përbëjnë abuzim institucional dhe, nëse provohen, edhe përgjegjësi penale. Në mënyrë të veçantë, flitet për dyshime mbi abuzime financiare të kryera nën autoritetin formal të Kryetarit, por pa dijeninë dhe miratimin e tij. Në gjuhën juridike, këto janë veprime “sine mandato” (pa mandat), të cilat, nëse vërtetohen, cenojnë rëndë besimin publik dhe vetë themelet morale të Organizatës. Këtu duhet bërë një dallim i qartë: ngritja e dyshimeve nuk është akuzë, por detyrim qytetar dhe institucional për transparencë. Parimi “bona fides” (mirëbesimi) kërkon që çdo strukturë, veçanërisht një organizatë me peshë historike si OVP-LANÇ, të reagojë qartë dhe hapur ndaj çdo hije dyshimi, për të ruajtur pastërtinë morale të saj. Vendimi i Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përforcon besimin se sistemi gjyqësor, pavarësisht problemeve që mund të ketë, është ende në gjendje të veprojë me paanshmëri (impartialitas – paanshmëri) dhe dinjitet-atdhetar. Ky është një sinjal i rëndësishëm për shoqërinë dhe për vetë anëtarët e OVP-LANÇ, se konfliktet e brendshme nuk mund dhe nuk duhet të zgjidhen përmes manovrave procedurale apo uzurpimit të kompetencave. Në këtë kontekst, mbrojtja e figurës së Prof. Dr. Hulusi Hako nuk është mbrojtje e një individi, por mbrojtje e parimit të legjitimitetit dhe e rendit statutor. Sulmi ndaj mandatit të tij, përmes mjeteve të paligjshme ose të dyshimta, është sulm ndaj vetë organizatës dhe ndaj historisë që ajo përfaqëson. Një thirrje e sinqertë duhet t’u drejtohet të gjitha degëve të OVP-LANÇ në rrethe, ashtu siç kanë vepruar me përgjegjësi qytetare Kurbini, Puka dhe Durrësi, që të reagojnë qartë dhe me maturi ndaj kësaj situate. Heshtja në raste të tilla nuk është neutralitet, por rrezik për degradim institucional. Vetëm përmes reagimit të ndershëm dhe ligjor, OVP-LANÇ mund të qëndrojë e pastër, e bashkuar dhe besnike ndaj misionit të saj historik. Në fund, kjo çështje është një provë për të gjithë: për drejtësinë, për organizatat shoqërore dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Është një provë për të treguar nëse parimet e shtetit të së drejtës janë vetëm fjalë, apo vlera reale që zbatohen edhe kur prekin interesa të forta. Dhe në këtë provë, vendimi i Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, është një hap i qartë në drejtimin e duhur moral dhe ligjor!

