Testamenti i Dobrica Qosiqit: Ne lufte me shqiptaret e humbem Kosoven

7 Minuta Lexim

Nga Fahri Musliu-

Të dashur miqë,
me që sot i publikova qëndrimet e shkrimtarit, politikanit e disidentit serb, që e quanin “baba i kombit serb”, Dobrica Qosiqit, me kërkesë të shumë lexuesve, nga intervista e gjatë që quhej Testament i tij, e publikuar në javorën “Nedeljnik” të Beogradit, më 1 maj 2014, 18 ditë para vdekjes së tij, e shkëputa dhe përktheva pjesën e intervistës ku ai flet shkurt dhe qartë mbi Kosovës.
KOSOVA ËSHTË HUMBUR
Me te më nuk duhet të shpenzohet asnjë atom force, thotë Qosiq
*A mund të ndryshojnë rrethanat që serish të kthehemi në Kosovë?
-Për mua çështja e Kosovës është zgjidhur. Kjo do të thotë se ajo më nuk ekziston si krahinë jugore serbe. Ne, në luftë me shqiptarët e humbëm Kosovën. A është kjo përfundimtare, për këtë sot nuk mund të gjykojmë, sepse askush nuk e di se si historia evropiane dhe ballkanike mund të tregohet në shekujt e ardhshëm. Ose shekullin.
*Ju, megjithatë, jeni intelektuali i parë që tha qartë se çështja jonë jugore është çështja më tragjike e historisë serbe. Edhe në Maqedoni edhe në Kosovë na kanë mbetur vetëm varre.?
-Politika jonë kombëtare ndaj Kosovës është ndërlidhur për çlirimin e Serbisë jugore dhe të Maqedonisë. Çështja e Kosovës ishte barazohej me çështjen maqedonase. Maqedonia pas Luftës së Dytë Botërore u bë shtet, dhe Kosova gjithashtu, me këtë luftë, 1999, është humbur politikisht, dhe nuk duhet të shpenzohet më asnjë atom force në këtë çështje.
*Ju i pari e ngritët idenë mbi ndarjen e Kosovës. A ishte kjo ide ndonjëherë reale?
-Çështjen e Kosovës e shtrova për herë të parë publikisht në Plenumin e Komitetit Qendror në vitin 1968, edhe pse mbi atë pata menduar qysh në fillim të dekadës së shtatë, në shënimet e mia të ditarit e zbuloj vajza dhe bashkëpunëtorja ime Ana dhe e botoi në librin “Kosova”. Mendimet e mia për ndarjen e Kosovës si zgjidhje të përhershme të “çështjes së Kosovës” datojnë që nga fillimi i viteve të 80-ta . Këtë ide e kamë ndryshuar, por kurrë nuk e kam mohuar kuptimin e saj themelor: Serbia duhet patjetër të vendosë paqe me shqiptarët të bazuar në kompromiset e së drejtës etnike dhe historike. Kur isha në detyrën e presidentit të Jugosllavisë (Federata serbo malazeze, 1992-2003 vr. FM), kisha mbështetjen e grekëve, të cilët natyrisht edhe ishin më të interesuar për marrëdhëniet serbo-shqiptare, sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke.
*Me çështjen e Kosovës u morët edhe kur negociuat në Gjenevë, dhe në Londër, dhe përherë e keni ngritur çështjen e ndarjes së Kosovës, madje edhe kur flitej për Kroacinë dhe Bosnjën… Një nga skenat më emocionuese në “Shënimet e Shkrimtarit” është kur lordët Oven dhe Vens ju çuan ju dhe Sveta Stojanoviqin në një vilë të fshehtë në Liqenin e Gjenevës, ku keni zhvilluar bisedime. Vens atëherë ju pati thënë: “Mos e inicioni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshëm”…
-Edhe kur pati ardhur tek unë në shtëpi, ai thoshte: “Shiko, Dobric, nuk është momenti për çështjen e Kosovës. Shtyjani atë…” Edhe Karamanlis më thirri dhe më këshilloi të njëjtën gjë. Më tha: “Ju keni të drejtë, por e drejta juaj sot nuk mund të realizohet. Shtyjani zgjidhjen e çështjes serbe, ky është interesi juaj jetësor”.
*Në fund doli se vetëm ju keni qenë vizionar. Kur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me ju polemizoi Noam Chomsky, edhe ai u pajtua se ajo ishte ide e shkëlqyer, por që nuk u zbatua në praktikë, se njerëzit e kujtuan shumë vonë atë idenë tuaj… Megjithatë, as këtu kurrkush nga politikanët nuk guxoi të përmendte ndarjen e Kosovës sepse do ta shpallnin tradhtar. Juve të paktën askush nuk mund t’ju imputonte këtë. Atëherë, a është koha që këtë ta iniciojë ky pushtet që mbart parashenjën nacionaliste?
-Unë e këshilloj brezin tuaj të mos shpenzojë forcë në çështjen e Kosovës, sepse historia këtë e ka zgjidhur jashtë jush. Ju nuk mund të ndikoni më në epilogët e saj. Nuk e di nëse edhe politika e sotme shtetërore merret me këtë. Sipas mendimit tim, edhe kur kam dëgjuar se diç po flisnin në këtë temë, më dukej gjithmonë se kjo nuk ishte kompetente.
*A ishte atëherë përpjekja e fundit e Zoran Gjingjiqit e ndarjes e Kosovës, për ta imponuar këtë temë?
-Mendoj se po. Gjingjiq ka qenë miku im dhe kemi përfaqësuar ide të ngjashme mbi modernizimin e Serbisë, edhe pse për një kohë nuk kemi pasur kontakt. Pak para atentatit ne u patëm marrë vesh që ai të dal në opinion me idenë e ndarjes së Kosovës.
*Mendoni se kishte shanse për ta zgjidhur këtë çështje, po ta kishte mbijetuar atentatin?
-Nuk kishte shanse. Por politikani nuk vlerësohet vetëm nga betejat e fituara dhe sipas kur ka të drejtë. Politikani vlerësohet sipas asaj çfarë përfaqëson, e ai, sipas mendimit tim, përfaqësonte parime të drejta.
*A e ndaloi atë Koshtunica në këtë ide, të cilin e njihni gjithashtu për shumë vjet. Dhe a keni pritur fare nga Koshtunica mbështetjen e propozimit tuaj?
-Nuk e prisja, sepse Koshtunica ishte njeri i papërgatitur për kompromise. Ai është njeri me parime të ngurta kombëtare, për dallim nga Gjingjiq i cili ishte politikan pragmatik dhe dinamik, i gatshëm të ballafaqohej me zgjidhjen e të gjitha problemeve.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull