Dodik kërcënon: BE-ja do të shpërbëhet brenda një viti

3 Minuta Lexim

Milorad Dodik, pas kthimit në Banja Llukë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku qëndroi gjatë ditëve të fundit, sërish kërcënoi me shkëputje, duke pretenduar se në Uashington ka marrë mbështetje për politikat që ai përfaqëson.

Dodik, së bashku me anëtaren e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, dhe ushtruesen e detyrës presidente e RS-së, Ana Trishiç Babiq, ishin këtë javë në Uashington. Të tre mundën të udhëtojnë pasi administrata e Donald Trumpit ua hoqi sanksionet shumëvjeçare nën të cilat kishin qenë.

Ata morën pjesë në një mëngjes lutjesh ku foli edhe Trumpi dhe u fotografuan me disa zyrtarë, mes tyre edhe me ministrin e Mbrojtjes, Pit Hegseth.

Pas kthimit në Banja Llukë, Dodik u tha gazetarëve se qëndrimi i tij në Uashington është dëshmi se RS më në fund ka arritur të thyejë izolimin dhe bllokadat.

Ai tha se, bashkë me Cvijanoviq dhe Trishiç Babiq, janë takuar me 14 kongresmenë dhe dy senatorë dhe se kanë zhvilluar “takime publike dhe të fshehta”, përfshirë edhe disa në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, atje ka gjetur mirëkuptim për gjithçka që ka deklaruar, përfshirë edhe vlerësimin se në Bosnje e Hercegovinë “myslimanët i rrezikojnë të krishterët”.

“Nuk kemi hequr dorë nga qëllimet tona themelore. U kemi thënë se Marrëveshja e Dejtonit është shkatërruar”, tha Dodik, duke shtuar se Bosnje e Hercegovina është “e papranueshme” për serbët dhe se për këtë qëndrim do të kërkojë mbështetje nga Serbia, si nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit.

Ai gjithashtu paralajmëroi se do t’i mbështesë kroatët në çdo përpjekje për të mbrojtur të drejtat e tyre si popull konstituiv, u tha boshnjakëve se shpërbërja e Bosnje e Hercegovinës është e pashmangshme dhe parashikoi se edhe Bashkimi Evropian do të shpërbëhet brenda një viti.

“Do të ndahemi në mënyrë paqësore”, tha Dodik, duke konfirmuar se nuk heq dorë nga politika separatiste.

Ai shtoi se tashmë ka plane që nuk dëshiron t’i bëjë publike dhe se nuk do ta bëjë këtë derisa të përgatitet terreni për zbatimin e tyre, duke pretenduar se ndryshimet globale krijojnë “rrethana të favorshme për RS-në”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull