Sekreti i Lamartinit

3 Minuta Lexim
Nga Dashnor Kokonozi-
Poeti frëng Alphonse de Lamartine është mjaft i cituar në historinë e letërsisë shqipe. Eshtë ai që i shkroi De Radës, « poezia ka lindur në brigjet tuaja dhe atje duhet të kthehet… ».
E kam lexuar dhjetëra herë atë copë letër sa një kartëvizitë që gjendet në dosjen 54 (nëse nuk gaboj, se kanë kaluar nja katêr dekada) të De Radës në Arkivin e shtetit.
Ngjarja ka ndodhur në Napoli. Rrethanat ishin ca delikate, Lamartini kishte shkuar gjysmë fshehurazi për turizëm në Napoli në shoqëri të dy vajzave të bukura.
Befas, te porta karrocës me të cilën po u vizitonte qytetin dikush i afrohet dhe i zgjat poezitë e tij në një gjuhë që nuk e njihnin as shqiptarët e anës tjetër të Adriatikut (megjithë versionin italisht përballë).
Por Alfons de Lamartini e bëri të veten. Para se të largohej i dërgoj De Radës atë copën e letrës që përmenda në krye.
Nder i madh ishte sigurisht sepse kishte emër të madh si poet në Evropë, por unë nuk e kuptoj se çfarë ka dashur të thotë me atë “poezinë që ka lindur në brigjet tuaja”, sa kohë që edhe njëqind vjet më pas, nuk di të njihej ndonjë poet i atyre anëve në Francë.
Ca tekste folklorikë (që i mblodhen vetë frëngët) do të dalin mjaft më vonë, por sigurisht nuk bëhet fjalë për epikën historike apo ciklin e kreshnikëve.
Atë mrekulli Vuk Karaxhiçi do ta botojë më parë në gjermanisht (më duket me ndihmën e një kunati a baxhanaku që ishte drejtor i bibliotekës së Vjenës) dhe që atëherë ai cikël mori nacionalitet sllav.
Pa dyshim që Lamartini është nga figurat më të mëdha të Republikës së Dytë.
Pas revolucionit të 1848-ës ai ngarkua si ministër i Punëve të jashtme të Republikës Franceze dhe falë tij u bënë mjaft reforma e modernizime. Madje edhe flamuri tre ngjyrësh i njihet atij.
Por ka edhe një sekret të vogël.
Alfons de Lamartini vuri kandidaturën edhe për president të Republikës. Por fitoi vetëm…0.23 % të votave!
Ky dështim kolosal u kuptua më vonë.
Mjaft njerëz, madje shumica e njerëzve të thjeshtë që nuk lexonin poezi as që e njihnin Alfons de Lamartinin si politikan.
Ata, siç u muar vesh më vonë, vetëm se kishin refuzuar të votonin për një grua të panjohur me emrin Martine (La Martine)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull