Nga Çapajev Gjokutaj–
Të jesh a të mos jesh nuk rezulton të jetë dilemë e kohës sonë. Hamletin e kemi lënë pas se një tjetër dilemë na ndjek kudo: të imitosh apo të jesh vetja?
Dhe s’di të thuash nëse gjetja e vetes, sidomos nga adoleshentët dhe të rinjtë e sotëm, është bërë një proces më i lehtë apo më i vështirë krahasuar, të themi, me vërsënikët e tyre të pesëdhjetë vjetëve më parë.
Gjithsesi një gjë mund ta thuash me siguri, adoleshenti dhe i riu i sotëm nuk e kanë aq të lehtë sesa ne të gjysëm shekulli më parë. Dhe arsyeja është e thjeshtë: sot modelet nuk vijnë nga mëhalla, fshati a qytetit ku jeton, po falë televizionit dhe rrjeteve sociale vijnë nga e gjithë bota dhe vetkuptohet steka është shumë më e lartë, trysnia bëhet thuajse e papërballueshme.
Mes kësaj trysnie odiseja për të gjetur veten kalon mes një Shile dhe Haribde moderne, që shfaqen në trajtën: është më mirë të jesh origjinal, të dalësh nga rreshti, edhe nëse kjo të kushton vetmi; apo mos vallë ia vlen më shumë të imitosh, të përshtatesh, të mos rrezikosh, sepse imitimi të jep siguri, të fut në një kornizë të pranuar?
Mbase dilema nuk duhet shtruar si “ose… ose…”. Mos vallë është më e ndershme të pranojmë se njeriu është një qenie që mëson duke imituar, por rritet duke krijuar? Apo të pranojmë tjetrën: që origjinaliteti nuk lind nga hiçi, por nga përthithja e modeleve, nga përvetësimi i arritjeve të të tjerëve dhe asimilimi deri në atë shkallë sa të bëhen pjesë e gjakut tënd?
Është më mirë të jesh vetja, por cila është kjo “vetja”? Një shpikje nga zero apo një përzierje e asaj që kemi parë, dëgjuar, ndjerë. Mos vallë vetja është gjithmonë një mozaik imitimesh, një origjinal i ndërtuar mbi kopje?
Jo rastësisht Borges thoshte se çdo shkrimtar i madh është një lexues që shkruan. Mos vallë origjinaliteti është thjesht një mënyrë e sofistikuar për të imituar?
Dhe kështu dilema mbetet e hapur: të imitosh apo të jesh vetja? Ndoshta përgjigjja nuk është një zgjedhje, por një udhëtim ku të dyja bashkëjetojnë. Se në analizë të fundit, pa ndikimin e të tjerëve, njeriu do mbetej një liliput i mjerë, modest në vlera dhe varfanjak në bëma…
Njeriu nuk bëhet dot njeri pa modele, po problemi është kush i zgjedh këto modele, familja dhe institucionet e edukimit apo aktorë komercialë?
Plus një problem i dytë: në kushtet kur rrjetet sociale dhe shumica e mediave, përditë e më shumë po bëhen aktorë komercialë, synimi për të ofruar modele konstruktive është i arritshëm apo ëndërr prej Donkishoti?

