Khajami që nuk kemi njohur

5 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Brezi im i ka lexuar dhe pëlqyer së tepërmi rubairat e Omer Khajamit. I kemi recituar hapur, por ndonjëherë edhe pranë ndonjë veshi që hiqej si shurdh. Gjithsesi, asnjëherë nuk kam menduar, dhe as nuk kisha sesi ta mendoja, se Fitzgerald-i, më shumë se Khajamin, na ka dhënë të lexojmë një farë poeti romantik dhe pak ashik të periudhës viktoriane.
Këtë e kam marrë vesh vonë, teksa lexoja një sintezë biografike të Fitzgerald-it.
Sidoqoftë, askush nuk ia mohon meritën se ishte ai që zbuloi dorëshkrimin e pluhurosur të katërvargësheve të Khajamit në bibliotekën Bodleian të Oksfordit. Problemi është se njohuritë e tij të persishtes ishin tepër të përcipta, pa harruar se nuk kishte as formimin e një orientalisti.
Ato pak njohuri, edhe pse më pas iu referua ndonjë specialisti të fushës, vetëm sa i kanë vlejtur të kapë ndonjë fjalë dhe të magjepset tek mësonte se rreth tetë shekuj më parë një astronom dhe matematikan i njohur (O.Khajami ulej të hidhte ndonjë varg kur i mbetej pak kohë e lirë), fliste me aq frymëzim për verën, vajzat e bukura, trëndafilat, për jetën që kalonte aq shpejt…
Kjo, në të vërtetë, është një meritë e madhe. Ai e zbuloi Khajamin për evropianët, por besoj se edhe për vetë persët, të cilët vetëm vonë i kanë ngritur një mauzole në Nishapur, më shumë i konceptuar si vend turistik.
Por gjithçka mbyllet aty. Khajami nuk shkroi veçse rreth 40 katërvargësha, ndërsa sot qarkullojnë rreth 200 të tillë. Disa thonë 500. Pra, shumica janë shtuar me kalimin e shekujve nga kopjues, admirues apo poetë që dëshironin të përfitonin nga fama e tij.
Nga ana e tij, Fitzgerald-i i riorganizoi vargjet që gjeti, duke shtuar mjaft imazhe dhe një strukturë rrëfimtare që nuk ekzistonte në origjinal.
E megjithatë, botimit të tij të vitit 1859 askush nuk i kushtoi vëmendje. Fitzgerald-i u zhgënjye dhe, me siguri, do të ketë menduar se duhej të sajonte edhe më shumë e më mirë.

Por heshtja vrasëse nuk zgjati. Libri u zbulua, më mirë të themi, u rizbulua, pak vite më vonë nga një rreth artistësh e poetësh, kryesisht njerëz në kërkim të ekzotizmit dhe spiritualitetit, të një filozofie mistike e hedoniste që nuk binte ndesh me moralin viktorian.
Më tej libri qarkullonte dorë më dorë, kopjohej e diskutohej në rrethe gjithnjë e më të gjera, derisa u shndërrua në një fenomen kulturor.
Por e vërteta është se Perëndimi zbuloi një Khajam të rikrijuar. Të lë ca edhe përshtypjen e një sarhoshi, por nuk po e zgjasim shumë, se mbase edhe Noli ka ca dorë në këtë punë..

Origjinali ka frymë tjetër, thonë njohesit e persishtes. Rubairat e vërteta janë më të ngatërruara, më të errëta e më pesimiste. Khajami nuk ka kërkuar asnjëherë të përcjellë mesazhin se jeta duhet gëzuar pa shumë kokëçarje. Ai vetëm ngre pa reshtur pyetje mbi kuptimin e saj. Ka nga ata që mendojnë se pesimizmi i tij vinte edhe nga fakti se kërkimet e tij shkencore e çonin drejt përfundimeve që shpesh binin ndesh me doktrinën fetare.
Fitzgerald-i u përpoq të riprodhonte metrikën dhe ritmin e katërvargëshit persian, por në një formë të asimilueshme nga kërkesat e poezisë angleze të kohës. Në mjaft raste, thonë studiuesit bashkëkohorë, ai i riorganizon strofat ose shmang fare ndonjërën prej tyre. Kjo është arsyeja pse shpesh cilësohet si përkthyes-krijues, gjë që ka sjellë si kritika, ashtu edhe admirim për bukurinë e rikrijimit.
Sot njihen edhe përkthyes të tjerë të Khajamit nga origjinali, si Heron Allen, Arberry apo Christensen, por për çudi, megjithë mungesën e besnikërisë, versioni i Fitzgerald-it, më mirë të themi përshtatja e tij, mbetet më i kërkuari.
Në fakt, ai e bëri Omar Khajamin pjesë të letërsisë botërore.

(Jam disi i tunduar të sjell dy rubai, njërën me përkthimin e Fitzgerald-it dhe tjetrën nga Heron Allen, por pata frikë se mos i atribuoj vetes cilësi tekstologu që nuk i kam.)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull