Gjuha e heshtur e veshjes!

3 Minuta Lexim
Nga Irena Beqiraj-
Njerëzit janë krijesa që tregojnë histori përmes gjuhës, muzikës, vallëzimit, artit dhe arkitekturës. Por ne tregojmë shumë edhe në mënyrë të heshtur çdo ditë, përmes veshjes.
Në shikim të parë, kjo mund të të duket qesharake, por veshja në të vërtetë ka vlera të thella simbolike, të fuqishme dhe universale. Ajo duhet të përputhet me dinjitetin e trupit, të cilin synon ta mbrojë. Ky mësim gjendet edhe në rrëfimin biblik: kur Adami dhe Eva filluan të kuptonin të mirën dhe të keqen, ata vendosën të fshehin lakuriqësinë e tyre. Ata e kuptuan se pamja e tyre kishte një dimension moral, për të cilin veshja ishte jetike. Mënyra se si paraqiteshin nuk ishte moralisht neutrale.
Për më tepër, ideja që një grua ka për bukurinë është e ngulitur në të gjitha rrobat e saj. Është pikërisht kjo ide që e hekuros ose e rrudhos fustanin, e zgjat apo e shkurton fundin, i rrumbullakos ose i ngurtëson gjestet. Në planin afatgjatë, ideja që një grua formëson mbi bukurinë do të gjejë rrugën e saj delikate në tiparet e saj. Ndaj çdo grua përfundon duke i ngjarë asaj që dëshiron të jetë.
Gjuha e heshtur e veshjes jo vetëm që flet për ne, por ndikon te secili prej nesh në mënyra të thella. Ajo që veshim nuk është thjesht një pëlhurë; është shenjë vetëdijeje, hyrje në një rol, pozicion ose komunitet të caktuar dhe njohje e kërkesave të tij. Thuhet se Volteri vishej ndryshe kur shkruante filozofi dhe ndryshe kur shkruante poezi.
Duke veshur rroba të caktuara në kohë dhe vende të caktuara, krijohen kufij të shëndetshëm midis sferave të ndryshme të jetës. Kjo dikotomi kërkon që rrobat e punës të jenë të ndryshme nga rrobat e adhurimit apo veshjet sportive. Vetëm kur “gramatika” e veshjes përputhet me gjuhën e vendndodhjes dhe të rolit, ajo siguron që veshja të flasë me respekt, njohuri dhe rrjedhshmëri.
Ndaj, sa herë që shoh nëpër zyra e takime gra me minifund, mendoj për gjuhën e heshtur të veshjes, e cila është shumë e fuqishme për t’u injoruar.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull