Çfarë tregon struktura e investimeve të huaja në Shqipëri?!

5 Minuta Lexim
Nga Irena Beqiraj-
Në vitin 2025, fluksi total i investimeve të huaja direkte arriti në 1.64 miliardë euro, me një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024.
Struktura e investimeve të huaja direkte paraqitet si më poshtë:
• 51% e totalit përbëhet nga fitimet e realizuara nga kompanitë ekzistuese dhe të riinvestuara. Thënë ndryshe, 51% vjen si rezultat i zgjerimit të kompanive ekzistuese përmes fitimeve të realizuara në vend.
• 31% përbëhet nga investimet e të huajve në pasuritë e paluajtshme.
• Pjesa e mbetur, rreth 18%, është investuar në sektorë të tjerë, si ndërmjetësimi financiar, bankat dhe energjia.
Megjithëse nga Kryeministri ky nivel i lartë u paraqit si një arritje e madhe ekonomike, duhet theksuar se investimet e huaja nuk janë apriori as shpëtim dhe as sabotim për një ekonomi. Përkundrazi, ato janë një mjet që, kur përdoret siç duhet, mund të sjellë ndryshime të vërteta dhe pozitive. Por, nëse investohen pa rritur produktivitetin, mund të shkaktojnë dëme afatgjata në ekonomi.
Për ta thjeshtuar sadopak shpjegimin, po i krahasoj për një moment me investimin që secili nga ne bën te fëmija. Investimi në edukimin dhe zhvillimin e aftësive të fëmijës krijon mundësinë për formimin e një individi të qëndrueshëm, produktiv dhe të pavarur. Po ashtu, në një ekonomi, kur investimet e huaja direkte rrjedhin në sektorë produktivë si prodhimi, industria dhe teknologjia e informacionit, ato ndikojnë në rritjen e aftësisë prodhuese të ekonomisë, pasi krijojnë vende pune dhe transferojnë teknologji e njohuri, duke nxitur kështu rritje ekonomike të qëndrueshme.
Ndërsa, kur investojmë më shumë në veshje të shtrenjta, telefona, kufje apo lodra për fëmijën, padyshim që në një afat të shkurtër si prindi ashtu edhe fëmija do të ndihen mirë, por rezultati në afat të gjatë mund të jetë “një përtac i llastuar në shtëpi”.
Të tilla janë edhe investimet në sektorë me produktivitet të ulët, si ndërtimi, turizmi apo blerjet e pasurive të paluajtshme nga individët e huaj, të cilat nuk rrisin produktivitetin e ekonomisë dhe nuk transferojnë teknologji apo njohuri. Kur investimet e huaja bëhen në sektorë ku vendet e punës kanë produktivitet dhe paga të ulëta, apo ku qeveria ofron prona publike dhe lehtësime fiskale, ato e lënë vendin thuajse duarbosh.
A mundet që fëmija juaj të zhvillojë aftësitë e tij më shpejt dhe më mirë se moshatarët, kur vetëm 18% e investimit tuaj shkon për rritjen e aftësive të tij dhe 82% për dukjen dhe argëtimin? Pavarësisht shumës së investuar, kur ndarja është e tillë, rezultati dihet.
A ka nevojë ekonomia shqiptare për më shumë ndërtim, të cilin për ta zbukuruar dhe për ta shitur si zhvillim e veshim me kostumin turistik, ndërsa për ta bërë më shpejt rentabël për investitorin i shtojmë si “bizhu” kazinotë?
Pra, investimet e huaja direkte, ku 51% zë zgjerimi i kompanive ekzistuese me burim fitimet e realizuara në Shqipëri dhe 31% blerjet e banesave nga jorezidentët, janë tregues i natyrës së investimeve jo produktive që tërheq ekonomia shqiptare. Ndërkohë që këto transaksione shpesh shihen si një shenjë që investitorët e vlerësojnë vendin si një destinacion premtues dhe solid, fatkeqësisht, duke mos rritur produktivitetin, ato rrisin edhe rrezikun e destabilitetit financiar.
Thënë këtë, investimet e huaja janë një shpatë me dy tehe. Nëse nuk përdoren për të përvetësuar njohuri të reja, për të ndërtuar kompani me punëtorë që mund të konkurrojnë globalisht dhe që janë të afta të avancojnë në zinxhirin e vlerës, ato, në vend që të jenë zgjidhje, bëhen problem.
Ndërsa, kur investohen në sektorë produktivë dhe shoqërohen me politika realiste makro-mbrojtëse, investimet e huaja janë më shumë sesa para. Ato bëhen një urë drejt produktivitetit më të lartë dhe vendeve më të mira të punës — pra, një rrugëdalje nga varfëria.
Ndaj, kur politikanët duan t’ju mahnisin me shifrat e investimeve të huaja, mos u mashtroni. Struktura e tyre ka vlerë!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull