Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me studentët se Shqipëria aktualisht nuk po përballet me ngadalësim në procesin e integrimit drejt Bashkimit Europian.
Ai theksoi se perceptimet për një “ngadalësim” shpesh krijohen nga pasqyrat mediatike, të cilat sipas tij, nuk i verifikojnë gjithmonë informacionet dhe shpesh garojnë për vëmendjen e publikut.
Rama nënvizoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se refuzimet e mëparshme nga BE-ja nuk lidhen me performancën e vendit, por me qëndrime politike të vendeve anëtare. Kryeministri gjithashtu vuri theksin mbi rëndësinë e këtij momenti historik, duke e cilësuar si një mundësi që shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë për të avancuar procesin e integrimit.
“Unë besoj që prokuroja e ka krijuar këtë idenë ngadalësimit nga pasqyrat mediatike, të cilat për fat të keq, përgjithësisht janë shumë të dyshimta për ato që thonë, shkruajnë dhe flasin. Sepse është bërë kaq e shpejtë bota dhe kaq ritmike koha e informacionit, edhe është bërë kaq frenetike dëshira për të marrë vëmendje saqë nuk ka as kohë dhe as interes për t’i verifikuar gjërat që shkruhen dhe thuhen. Por, vetëm hidhe vetëm për të marrë vëmendje, sepse edhe pasqyrat janë në garë më njëra-tjetër. Këto janë gjëra që paralizojnë shumë cilësinë e informacionit.
Ne jemi në një moment, ku për herë të parë në histori fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Aktualisht nuk jemi në kushtet që ka ngadalësim. Ne jemi propozuar për të hapur negociatat dhe tre herë jemi refuzuar. Na ka propozuar komisioni sepse ne kemi bërë të gjitha detyruar. Pse jemi refuzuar? Sepse një vend anëtar nuk na ndodhte. Nuk kishte asgjë me Shqipërinë, por kishte një problem të krijuar me shqiptarët…politikë. E vetmja gjë që kërkojnë forcat politike, kërkojnë një armik, sepse armiku motivon votuesit.
Në shumë vende të Europës armiku u kthye në emigrant. Shumica e vendeve ishin në rregull, por del një vend. Në këtë sens procesi ngadalësohet. Që procesi të ngadalësohet ka dy gjëra: vendi që do të shkojë atje bën gabime, vetëvendoset në një pozicion të pafavorshëm, ose politika e një vendi apo të një vendi tjetër ngre rezerva. Në këtë kohë ne nuk jemi në këto kushte, por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është se sa kohë kemi. Nuk i bie çdo brezi që të bëjë histori. Është një moment për ne tani që të bëjmë histori duke hyrë në Bashkimin Europian. Është hapur një derë dhe ajo derë mund të mbyllet, e rëndësishme është që të mos bëhemi ne sebepi. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë maksimumin për këto vite që kemi përpara ku dera është qartësisht e hapur”, tha kryeministri Rama.
ipas tij, Shqipëria do bëjë të pamundurën që të mos bëhet sebep që kjo derë të mbyllet, por theksoi se “mund të mbyllet se ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë “po prit njëherë””.
“Është një moment që mund të bëjmë historinë, duke hyrë në BE. Është hapur dera, por dera mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe ne nuk do bëhemi sebep. Por dera mund të mbyllet, pas një viti, dy apo tre vitesh. Mund të mbyllet se ata mund të rikthehen në një situatë dhe të thonë “po prit njëherë”. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë maksimumin këto vite ku duket që dera është e hapur. Nuk duhet të humbasim fokusin me lloj lloj…se nuk jam këtu për të bërë politikën e përditshme që bëhet këtu, por jam duke folur për politikën që duhet të bëjë çdo shqiptar dhe për mënyrën se çdo shqiptar duhet ta dallojë politikën e madhe. Politika e madhe është të bëhemi anëtar i BE, pjesa tjetër është politikë këtu”, tha Rama.
Ai u shpreh se më në fund yjet e fatit të Shqipërisë janë rreshtuar siç duhet, pasi sipas tij një vend i vogël si Shqipëria mund të bëjë të gjitha “detyrat e shtëpisë” por nuk avancon në proces për shkak se vendet anëtare të BE-së, nuk janë dakord që të vijohet me integrimin.
“Po na buzëqesh fati se janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetje të kësaj ëndrre që ka qenë shekullore. Kemi bërë një punë të madhe, e them me plotë gojë, për ta ndryshuar. Shqiptarët që janë jashtë ose ikin jashtë, sapo tregonin pasaportën, diçka nuk shkonte me policin në kufi. Por ne kemi ndryshuar disa gjëra. Ti mund t’i bësh detyrat e tua të shtëpisë, por nëse vendet e mëdha, që vendosin fatet e të vegjëlve, s’e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, ti se kapërcen dot. Sot jemi në kushtet kur vendet e BE duan të na marrin me vete. Siç thoshin dikur ata që udhëhiqnin dikur ku flisnin për horizontin e kuq, dhe këta mund të thonë; po ju pret horizonti blu. Por nuk është me fjalë, është me punë. Ne kemi qenë të zotë, por nga ana tjetër kemi pasur një palë që ka qenë e interesuar aq sa ne. Nëse pedagogu të sheh me paragjykim, apo i dhemb koka, dhimbja e kokës së tij mund të reflektohet te nota jote. Te vendet e mëdha, kjo është shumë e zakonshme. Nuk ka dalë ajo fjala kot që vendet e mëdha, bëjnë çfarë duan, vendet e vogla heqin çfarë duhet!”, tha ai.

