PRILLI I MARGARITA XHEPËS

17 Minuta Lexim
Nga ENVER KUSHI
Margarita Xhepa, lindi më 2 prill të vitit 1934, sapo pranvera kishte hyrë në muajin e saj të dytë. Ky muaj nga më të bukurit e të tjerëve, mund të quhet i Margarita Xhepës. Ndoshta protoprilli i atij viti në Lushnje, ka qënë me qiell të pastër apo dhe me re të bardha, që vinin nga hapësirat e paana të fushës së Myzeqesë dhe pasi kalonin mbi qytetin e vogël, iknin tutje kodrave të buta. Me siguri ka qënë një ditë me shumë dritë, siç janë shumica e ditëve në Myzeqe. Dhe nga kjo dritë ka marrë shumë Margarita Xhepa. Është një dritë e veçantë që më vonë do të shpërfaqet në portretin, sytë, buzëqeshjen dhe mirësinë e saj.
Dhe si për rastësi ose ndoshta jo, pas Mrgarita Xhepës, po në qytetin e vogël dhe të butë të Lushnjes, më 5 dhjetor të vitit 1935, erdhi në jetë Faslli Haliti, një nga poetët sui-generis të letërsisë shqipe dhe një prej njerëzve më të mirë që kam patur fatin të njoh. Pastaj, më 7 maj 1936, lindi Vath Koreshi, prozatori dhe skenaristi i madh shqiptar, njeriu me shpirt të madh, që unë i jam mirënjohës për ndihmesën që më ka dhënë për formimin tim si shkrimtar. Dhe po në këtë qytet, prapë në fillimprill, ose më saktë më 7 të këtij muaji lindi Vaçe Zela, këngëtarja e shquar e botës shqiptare. Duket që Margarita Xhepa i solli fat Lushnjes dhe ja shtoi dritën këtij qyteti. Shtëpia, ku lindi Margarita, më duket se nuk është më. Siç më ka rrëfyer ajo dhe motra e saj e pandarë, Nasta, shtëpia e tyre ishte jo shumë larg godinës historike, ku u mblodh Kongresi i Lushnjes. Aktorja e madhe u rrit në një mjedis të ngrohtë, jo vetëm me shumë diell, por edhe me lule, pemë të shumta, mbjellë në oborrin e kësaj shtëpie. Ajo u rrit rrethuar me hallet e kohës. Margarita herë-herë sjell ndër mend nënën që e la jetime, pastaj nënën “njerkë”, që e donte aq shumë, pastaj një nënë çame, ndoshta jo shumë larg shtëpisë së saj, që u sillte ndonjë copë byrek apo ëmbëlsirë, që bënte me duart e veta. Margarita Xhepa u madhua në Lushnjen e saj të dashur, ku kthehej dhe rikthehej shpesh e përmallur, për t’u takuar me fëmininë e saj, bashkëmoshatarët, një pjesë prej të cilëve janë larguar nga kjo jetë, apo bashkëqytetarët e saj të sotëm, që e dauan dhe krenohen me të.
Prilli çuditërisht është jo vetëm datëlindja e saj, por edhe vdekja. Margarita Xhepa ndërroi jetë pas mesnatës së 3 prillit të vitit 2025. Të vish në këtë jetë në prillin e bukur dhe të ikësh nga kjo jetë po në prill, ndoshta nuk është rastësi. Margarita Xhepa, aktorja e papërsëritshme e skenës dhe filmit shqiptar, me lavdinë e saj i kalon kufijtë e Shqipërisë së vogël. Ajo është aktore e përmasave ballkanike dhe europiane. Në këtë shkrim do përpiqem të sjell copëza rrëfimesh e përjetimesh të miat, në përvjetorin e datëlindjes dhe datëvdekjes së saj.
Energjia tronditëse e Margarita Xhepës
Po u rikthehem vlerësimeve të mia modeste për aktoren e madhe. Margarita Xhepa është një nga ato aktore, ndoshta të rralla në historinë e shkollës interpretative shqiptare, që ka rrezatuar në tërë qenien e saj shumë dritë. Mendoj se është një dritë e brendshme, që nga lindja e saj dhe që më pas është bërë pjesë e pandarë e portretit, gjestikulacionit, të folurit …. Mos ndoshta kjo dritë apo rrezatim lidhet me vendlindjen e Margarita Xhepës? Them se po. Margarita Xhepa ka shumë nga drita e tokës dhe e qiellit myzeqar. Myzeqeja ka shumë dritë. Është një dritë që vjen jo vetëm nga qielli, por edhe nga toka…. Nga ana tjetër në portretin e saj ka shumë mirësi , butësi si dhe bukuri e hijeshi prej aristokrateje. Mendoj se gjatë karierës së saj të gjatë, janë dy elementë që përbëjnë thelbin e talentit të papërsëritshëm të Xhepës: goja dhe sytë. E para lidhet me fjalën dhe mënyrën si artikulohet ajo dhe e dyta, pra sytë, fshehin dhe shfaqin botën e brendshme të njeriut.
Fjala, mënyra sesi ajo artikulohet, vibracionet e zërit deri në magji, duke shprehur butësinë dhe dallgëzimet e shpirtit njerëzor te aktorja Margarita Xhepa, duket sikur kanë shenjtërine e fillesave të botës dhe dramat e njeriut nga lindja deri në vdekje. Ajo e trajton fjalën si të shenjtë. Nga ana tjetër, ajo i bën ato të heshtin, të këndojnë, të qajnë, ulërijnë nga dhimbja….Margarita Xhepa i jep fjalës ngjyrim emocional. Kur sheh dhe dëgjon këtë aktore në skenë, harron se je në tokë. Befas, me zërin e saj të veçantë, ajo të çon në ca hapësira mes qiellit dhe tokës apo hapësira ëndrre. Zëri i saj, shkruan Angjelina Xhara në librin “Margarita Xhepa, artiste e popullit”, është si tingull harpe që pushton jo vetëm një sallë të stërmadhe, por një botë të tërë. Po risjell në kujtesmes shumë roleve të interpretuara nga ajo, atë të nënës myzeqare në filmin shqiptar “Pylli i Lirisë”, ku vaji i Margarita Xhepës është tej kuptimimit të fjalës dhimbje dhe tronditje.
Zëri ëndërr i Margarita Xhepës
Tirana është gri, një gri e përgjumur ëndrre. Jemi në palcën e dimrit, mendoj duke nxituar për të shkuar në studion e mikut tim, regjisorit Kujtim Gjonaj. Tashmë filmi ynë “Ëndrra e Çamërisë” ka përfunduar.
I kam dhënë shumë shpirt këtij filmi, thotë shpesh Kujtimi. Jam bërë pjesë e komunitetit çam kudo që ndodhet. Jam bërë pjesë e dhimbjes çame, shton ai. Ka të drejtë miku im, Kujtim Gjonaj. Tashmë që filmi është montuar dhe unë e kam parë disa herë pa muzikë dhe tekst, kam ndjerë emocione të veçanta. Eci nëpër grinë e Tiranës dhe nuk mbaj mend se ç’kam shkruar për tekstin e filmit. Herë- herë më vinë nëpër mend pjesë teksti për lumin Aheron, Dodonën, Nikopojën, Sulin, Marko Boçarin, Daje Sakon, rënien e Janinës. Vetëm tekstin e prologut të filmit nuk mund ta harroj kurrë. Atë e kam shkruar natën vonë, ndoshta pasmesnate. Ishte janar, kur nëpër gjumë më erdhi zëri i nënës time… Pastaj edhe zëri i Nusë, Ilmijes. Edhe zëri i Hatixhes. Zëri i Nesos, Zelos, Hallë Fahros, babait tim e gjyshërve të mi të vdekur, gjyshes Hafize. U ngrita menjëherë, ndeza dritën e kuzhinës dhe nisa të hedh në letër zërat e nënave çame, zërat e të vdekurve dhe të gjallëve.
… Futem në oborrin e studios, ku do të regjistrojmë tekstin e prologut të filmit. Aktorja e madhe Margarita Xhepa vështron e befasuar oborrin e shtëpisë së vjetër tiranase, trëndafilat, limonat dhe portokallet… Unë i flas për Faik Konicën, ku në një nga shkrimet e tij flet për kopshtijet e Tiranës dhe trëndafilat që lulëzojnë edhe në palcën e dimrit. Aktorja e madhe, me përmasa ballkanike dhe europiane, e cila ka interpretuar mrekullisht në Athinë tek “Trojanët”, e menduar futet në studio…E teksa ulet përballë mikrofonave, në portretin e saj të bukur, përpiqem të shoh diçka nga gjëma e nënave trojane dhe gjëma tjetër ballkanike, ndodhur disa dekada më parë, në Çamëri.
Lulzim Sula, montazhieri i filmit “Ëndrra e Çamërisë”, ka bërë gati aparaturat… Kujtimi qëndron në këmbë pranë Margaritës, ndërsa unë në pjesën tjetër të studios, pranë Lulit. Ti je një nënë e vjetër çame, thotë Kujtimi. Ajo ka mall për Çamërinë dhe flet si në ëndërr. Më kupton Margaritë? Është një zë ëndrre…
Aktorja e madhe nuk flet… Ajo nuk është më në këtë studio. As para mikrofonave… Është larg, shumë larg. Unë i kam folur aktores për nënën time, e cila shpesh thotë: “Më çoni në Qafë Botë. Më mbillni sitë e atje lermëni. Me si të mbillur vete në Spatar. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe gurët më njohin. Edhe zogjtë më njohin….”.
Gati, thotë Luli. Regjistrim.
Dhe Margarita Xhepa nis interpretimin e tekstit të prologut:
“Në si i kam ato vende. Në si i kam ullinjtë, bahçetë me limona e portokale, gurët e bardhë, detin. Dhe varret… Atje jam, në vendin tënë. Më shpie ëndrra atje me krahët e saj. Në ëndërr më hapen portat e Çamërisë. Kapërcej Qafën e Botës dhe marr dhromnë për në Çamëri. Mbill sitë dhe ashtu eci, me si të mbillur. Se më njeh çdo gjë atje. Edhe drurët më njohin. Edhe gurët, edhe zogjtë më njohin…”.
Befas Luli më vendos kufjet. Aktorja e madhe vazhdon leximin e tekstit, ndërsa mua më duket sikur nuk është një zë, por janë mijëra zëra. Vështrimi më mjegullohet, teksa zëri i aktores më shpie qindra kilometra larg kësaj studioje, pranë brigjeve të lumenjve Kalama dhe Aheron…
“Ktheuani zërin të vdekurve të mi. Kthejani zërin djelthit e mi Çamërisë. Më merr malli dhe në ëndërr llafosem me të vdekurit dhe vëndin tënë, Çamërinë …”.
Ajo ka përfunduar leximin… Heq menjëherë kufjet dhe mes vështrimit të mjegulluar nga emocionet, përqafoj aktoren e madhe Margarita Xhepa. M’u duk sikur përqafova mijëra nëna çame dhe preka ëndrrën, ëndrrën për Çamërinë.
Zonja nga Parga dhe Margarita Xhepa
Në vitin 2019 u botua novela ime “Zonja nga Parga”. Margarita Xhepa ishte nga lexueset e para të kësaj novele. Mbaj mend telefonatën e saj aty nga nëntori i atij viti. Më vjen keq që nuk i shkrova në letër ato që ajo më tha. Fliste me entusiazëm dhe me emocion. Mbaj mend që më tha, se e kishte rilexuar disa herë këtë novelë dhe se e gjente vehten, nëse do të xhirohej një film me skenar për “Zonjën nga Parga”, në rolin e kësaj gruaje çame. Këtë mendim e shprehu edhe në promovimin e novelës, më 5 shkurt të vitit 2020, që u organizua, falë kontributit të sponsorizimit të librit dhe veprimtarisë nga Alket Veliu. Emocionet këtij promovimi ja shroi fjala dhe interpretimi i nje fragmenti nga kjo novelë e aktores Margarita Xhepa. Është ky fragment, që po publikoj më poshtë, që Margarita i dha shumë shpirt, duke i emocionuar të pranishmit e shumtë nga ky recitim. Është momenti kur Kristua bashkëshorti grek i zonjës nga Parga, e çon atë në një tempull për të folur me shpirtrat e të parëve të saj.
“Bila ime. Bila ime”, dëgjova zërin që vinte nga kubeja. Ishte zëri i gjishit… Zëri i gjishit tim, thashë me vehte. Ku je fshehur? M’u shfaq…M’u shfaq prapë të të shoh… Ah korba ‘U. Korba ‘U!
“Bila ime e mirë. Gjishi jam… Drita e gjishit,…’U të flas. Dëgjomë e mira ime. Gëzohem që je mirë. Gëzohem që të shoh. Ah bila ime e mirë… Ku na mbete? Ku të lamë e mira ime?… Botë e Shqipërisë më ka mbuluar bila ime e bukur si ill… Edhe ghishja jote nga botë e Shqipërisë është mbuluar… Edhe Nuja… Edhe babathua… Këtu janë me muas. Të vështrojnë e gëzonenë që të shohin mirë bila ime. Hidhi pas krahëve ato që të kanë glaRË. Selam bëju gurëve të Çamërisë. Selam bëji detit dhe Pargës. Selam bëju ullinjve. Selam bëju ature që janë në Pargë, Agji, Morfat, Rrapes… Puthi sitë djalit tënd. Selam bëji Kristos dhe fëmilës së tij. Selam… Selam… Selam…”.
Të flasësh me detin
Po e mbyll këtë shkrim me një rrëfim nga më të bukurit e aktores Margarita Xhepa:
“Në shtator të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota lëngonte nga murtaja e këtij shekulli, Covid-i, u nisa për në Himarë. Mbaj mend, që ishte një vjeshtë e bukur, shumë e paqtë. Bashkë me mua ishte dhe skulptori Mumtaz Dhrami dhe të tjerë. Më kanë pëlqyer vazhdimisht udhëtimet, në të gjitha stinët dhe në viset e Shqipërisë. Shihja nga xhami i makinës peisazhet e bukura të vendit tim dhe qetësinë që të japin ato. Dukej sikur Covidi i tmerrshëm ishte larg këtyre peisazheve. Pastaj Llogaraja dhe mrekullia që shfaqet kur je duke zbritur poshtë. E dua detin. Atë ditë ai shtrihej i paanë, i kaltër, çuditërisht i qetë dhe me një bukuri që mua më prekte. Ishte mesditë, kur arritëm në Himarë. Ku janë njerëzit, pyeta , organizatorët e veprimtarisë. Ata ngritën supet, duke më thënë se frika nga Covidi i kish mbyllur brenda. Mirë, u thashë. Unë kisha menduar, që t’u recitoja atyre disa poezi. Këtë do ta bëj me një spektator tjetër, që ka ardhur dhe është fare pranë nesh. Ah. ah, harrova të them Enver. Ku është Lefter Çipa, poeti i madh që i ka kënduar si rrallë kush Labërisë, Pilurit, HimarëS, shpirtit njerëzor dhe shpirtit të detit? Më thanë se nuk ishte mirë me shëndet… Atëhere hodha disa hapa dhe iu afrova detit. I fola me zë: “Mirë se të gjeta!” Ai m’u përgjigj në heshtje, nëpërnjet dallgëve të lehta dhe ca fjalëve, që vetëm unë i kuptoja, se ç’donte të thoshte deti. Pastaj nisa recitimin. Ishte një nga interpretimet më të çuditshme që kam bërë në karierën time të gjatë si aktore, ku përballë meje nuk ishin spektatorët, po deti, hapësira e tij e paanë, thellësia e tij, që më ndoqi me vëmëndje. Kur mbarova, dëgjova jo duartrokitje, por ca zëra si amanete, që vinin nga spektatori DET. Dëgjova pastaj, jo vajzën e valëve, por qindra vajza valësh. Dëgjova zërat e të shkuarës, të sotmes dhe të ardhmes. Miku im, sklptori Mumtaz Dhrami, dukej si i ngrirë dhe pasi më përqafoi më tha : “Margaritë, recitimi yt ishte një mrekulli!”
Tiranë, prill 2026

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull