Nga Sulejman Mato-
Letërsia në shoqërinë shqiptare gjithnjë e më shpesh duket si një skenë ku rolet shpërndahen jo mbi bazën e talentit, por mbi bazën e interesit, qoftë ky interes politik, personal, erotik apo thjesht ekonomik. Nuk është e rrallë që autorë të tërë të zhduken nga skena sapo vdes apo tërhiqet kritiku që i ka shpallur “zbulim”, “prani të fuqishme” apo “zë të veçantë”. Kjo tregon se nuk kishim të bënim me një krijues që u ndërtua mbi veprën, por me një produkt që u shpik nga kritikët, jo si rrjedhojë e një procesi estetik, por si rezultat i marrëdhënieve të deformuara, ku kritika nuk gjykon, por prodhon vlera sipas shërbimeve që pranon të kryejë.
Nëse sot do të bënim një inventar të autorëve që janë shuar nga skena sapo është shuar drita e kritikëve që i mbështetën, do të vinim re një varg të gjatë emrash që nuk janë më as aktivë, as të lexueshëm, e as të nevojshëm për diskursin letrar. Sepse ishin ndërtuar jo si zëra autentikë, por si projekte personale të kritikëve të urdhëruar nga lart, që përmes tyre ruanin pushtetin e vet brenda skenës kulturore. Këta autorë ishin shpesh të përkëdhelurit e sistemit jo për veprën, por për pozicionin politik që mbështetnin, për shantazhin që dinin të përdornin, apo edhe për lidhjet intime që e bënin lavdërimin kritik të tingëllonte më si akt erotik sesa si akt estetik. Është absurde, por realiteti letrar shqiptar, në shumë nga format e tij, ka funksionuar si një treg ndjenjash dhe dobësish, ku emrat janë bërë të njohur jo nga lexuesit, por nga ndarjet e influencës së individëve që kontrollojnë qendrat e shpërndarjes së lavdërimit.
Në të gjitha trojet shqiptare, mund të vërehet kjo dukuri: autorë që çalojnë në gjuhën shqipe e që nuk mund të shkruajnë pa ndihmën e një redaktori, autorë që nuk lexojnë, që nuk kanë bagazh teorik apo estetik, por që kanë fituar terren sepse pas tyre qëndronte një kritik i frikësuar, i trembur nga regjimet, nga pushteti apo nga pleqëria e vet, ose edhe i joshur nga “pushteti sorosian”; autorë që shtyhen nga “kryeministri” apo “ministri”!
Shumë prej këtyre kritikëve, që dikur ishin të respektuar për dijen dhe qartësinë e tyre, kanë përfunduar në lojëra të vogla mbijetese, kanë bërë kompromise me vlerat për të mbrojtur pensionin, për të marrë ndonjë angazhim në komisione e borde, për të ruajtur influencën. Dhe në vend që të ruanin kriterin, kanë ruajtur lidhjet. Në vend që të kultivonin kanonin, kanë kultivuar favoret.
E çfarë ndodh kur vdes ky lloj kritiku? Me të, vdes edhe autoriteti i atyre që i kishte ngritur. Kjo nuk është thjesht krizë personale, por simptomë e një sëmundje strukturore: në mungesë të një sistemi kritik që funksionon në mënyrë kolektive, institucionale dhe transparente, lavdërimi i një kritiku të vetëm bëhet ligj. Dhe kur ai largohet, bie gjithë fasada e vlerës që kishte ngritur. Letërsia që mbështetet në një emër, në një marrëdhënie, në një rrethanë personale, është letërsi e destinuar të shembet. Sepse nuk është ndërtuar mbi dialogun me lexuesin, por mbi marrëveshjen e heshtur me lavdëruesin.
Por më e rënda është tjetërkund: shumë nga këto lidhje nuk janë më as të fshehta. Janë të ditura, të njohura në qarqet kulturore, të pranuara si pjesë e normalitetit. Një pjesë e kritikëve të vjetër e justifikojnë përfshirjen e tyre në këto skema si çështje “mirësjellje” apo “mbështetjeje për të rinjtë”, ndërkohë që në të vërtetë është një mënyrë për të shitur emrin, për ta kthyer autoritetin në monedhë tregu. Dhe kur pyeten përse e kanë mbështetur dikë që është qartësisht i padinjitetshëm në shkrim, shumë kritikë thonë se janë detyruar nga rrethanat, apo se ishin nën presion, ose më keq, nuk thonë asgjë. Heshtin. E heshtja në këtë rast nuk është neutralitet, por bashkëfajësi.
Në këtë realitet të shëmtuar, lexuesi mbetet i mashtruar. Ai i beson një recensioni që e shkruan një figurë me autoritet, pa e ditur se lavdërimi nuk është i ndershëm, por i blerë. Dhe për më keq, jo gjithmonë me para, por me shantazh emocional, me dashuri, me favore të ndërsjella apo me frikën se “nesër mund të jetë radha ime për të qenë i përjashtuar”. Kështu, në emër të lojalitetit personal, vritet ndershmëria publike, dhe me të, e ardhmja e një kulture që nuk ka më asnjë strukturë ku fjala e kritikut të ketë peshë, nëse nuk ka pas saj interesa.
Ky fenomen duhet të denoncohet. Duhet të shkruhet për të, të studiohet, të bëhet pjesë e analizës akademike dhe mediatike. Nuk mund të vazhdojmë të tolerojmë një sistem ku lidhja intime me kritikë, me anëtar jurie apo me redaktor, është çelësi për t’u bërë autor “i suksesshëm”. Sepse kjo nuk është më letërsi, është trafik lavdërimi. Dhe çdo trafik që përfshin të vërtetën estetike, është krim ndaj lexuesit.
Në një kohë kur letërsia ka nevojë për rikthimin e seriozitetit, për pastrim të terrenit dhe për guxim të vërtetë kritik, ky lloj impon imi përmes shantazhit personal duhet të marrë fund. Kritiku nuk është as nënë, as dashnor, as tregtar i lavdërimit. Kritiku është ndërgjegjja e leximit, ai që mbron lexuesin nga mashtrimi, që mbron letrat nga përbuzja dhe që mbron të ardhmen nga baltosja e së tashmes. Dhe nëse ai nuk e kryen këtë funksion, nëse bëhet bashkëpunëtor i imponimit të pseudo-vlerës përmes marrëdhënieve të errëta, ai duhet të përjashtohet nga diskursi publik si tradhtar i profesionit të tij.
Sepse shoqëria shqiptare nuk i ka borxh askujt as lavdërim të rremë, as heshtje për shkeljet. Dhe kritiku që shet emrin për një grusht favore, nuk ka dhënë kontribut në letërsi, ka dhënë dëshmi për degradimin e saj.
/HEJZA/

