Një tjetër histori suksesi nga diaspora shqiptare vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku Besa Sharrah, profesioniste shqiptaro-amerikane është emëruar anëtare e Komisionit për Evropën Lindore në shtetin e Ohio.
Emërimi është bërë nga guvernatori i këtij shteti, Mike DeWine, në një kohë që konsiderohet vendimtare për zhvillimet në Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, në sfondin e sfidave aktuale dhe luftës në rajon.
Në reagimin e saj, ajo e cilësoi këtë si një nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar angazhimin për të promovuar vlerat demokratike dhe për të mbështetur forcimin e institucioneve në këto vende. Sipas saj, bashkëpunimi ndërmjet aktorëve të ndryshëm është thelbësor për të garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe demokracia të vazhdojë të zhvillohet pavarësisht vështirësive.
Si pjesë e këtij komisioni, ajo pritet të angazhohet në trajtimin e çështjeve që lidhen me stabilitetin rajonal, qeverisjen dhe mbështetjen e proceseve demokratike në Evropën Lindore.
Ajo kujtoi rrugëtimin e saj si emigrante shqiptare, duke theksuar se kishte mbërritur në SHBA me “një valixhe të vogël dhe një ëndërr të madhe”, pa e imagjinuar se një ditë do t’i jepej mundësia të kontribuonte në nivele të tilla për shtetin dhe vendin që i kishte dhënë kaq shumë.
Ajo falënderoi guvernatorin për besimin e dhënë, duke u shprehur e vendosur që, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit, të japë kontribut konkret për një të ardhme më të qëndrueshme dhe demokratike në rajon.

