Kohë që jetohet vetëm një herë

4 Minuta Lexim

Nga Dashnor Kokonozi-

Në këtë fillim prilli, 35 vjet më parë, doli numri i parë i gazetës Sindikalisti, shprehje e vullnetit të një grupi të vogël njerëzish që besonin se interesat e politikës, cilado qoftë ajo, nuk përputheshin gjithmonë me interesat e atyre që thyenin kurrizin në punë, ditë pas dite.
Dhashë dorëheqjen nga rtsh-ja dhe aty punoja, pa rrogë, sepse sindikata nuk kishte asnjë fond. Madje as ajo nuk ishte miratuar. Iu bashkova sepse lëvizja sindikaliste premtonte shumë por ata nuk kishin askënd që të dinte të formulonte edhe një lajm për veprimtarinë e tyre.
Pasoja ishte se herë pas here më duhej të zbarkonim te vjehrra me gjithë kalamaj, për ndonjë drekë a darkë gratis.
Linja editoriale u kristalizua me kohë: në fillim ishim pak si “franc-tireur”, shtinim nga të mundnim, por gradualisht gjërat u kthjelluan. U krijuan konflikte edhe me PD-në, edhe pse në thelb ishim aleatë natyralë.
Me kënaqësi kujtoj se vetëm pak muaj më pas, një anketë e “Zërit të Amerikës” e cilësoi Sindikalistin si gazetën më të lexuar të kohës.
Kulmi i arritjeve të gazetës dhe i vetë Sindikatës së Pavarur ishte Greva e Përgjithshme e majit 1991. Brenda dy javësh, greva paralizoi jetën e vendit dhe çoi në rrëzimin e qeverisë. Ishte greva më politike e një organizate që vetë nuk ishte politike. Kujtoj qytetet fantazmë ku nuk lëvizte askush veç makinave të sindikatës që kontrrollonin zbatimin e greves…
Duke vepruar jashtë çdo manipulimi partiak, u panë edhe shenja të një anarkosindikalizmi latent. Por me krijimin e Qeverisë së Stabilitetit, sindikatat u tërhoqën shpejt në pozicionin e tyre natyral dhe përpunuan një strategji që synonte kryesisht mbrojtjen e interesave ekonomike të punonjësve. (Ky fragment është marrë nga libri im Fjalori i politikës.)
Me atë ngjarje, Sindikata dhe Sindikalisti arritën ndikimin e tyre më të madh në jetën e vendit. Theksoj se ishte Sindikata ajo që rrëzoi qeverinë e fundit komuniste.
Më pas veprimtaria e saj filloi të zbehej dhe faqet e kronikave u mbushën me luftëra të brendshme dhe çështje të tjera që për mua mbetën të paqarta deri në fund. Aty nisi edhe rënia e gazetës Sindikalisti.
Ekipi i parë u largua pothuajse i gjithi.
I shkrova këto shënime sepse sapo gjeta një film negativ me pamje nga përgatitjet e fundit në shtypshkronjë të numrit të parë të gazetës, ku kam nderin të jem bashkë me kolegët e mi Jani Duri dhe Ben Bllaci (Vangjo nuk e di ku ishte atë natë), por edhe me disa tipografë, të cilëve fatkeqësisht nuk ua kujtoj emrat, por që na ndihmuan aq shumë.
Për numrin e parë punoi shumë edhe e vetmja gazetare e ekipit, Manjola Tërshana, që i jepte ca dritë mjedisit tonë plot sherre, por ketu gjej vetëm një foto të saj në redaksi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull