Nga Albano ZHAPAJ
Problemet e sotme të arsimit shqiptar do të ishte e pamundur ti përshkruaje me detaje në një shkrim të vetëm, por gjithsesi në një këndvështrim më të përgjithshëm mund të identifikojmë dy problematika të rëndësishme, pa të cilat produkti arsimor do të ishte i pamjaftueshëm, për të mos thënë i cunguar.
Së pari, sistemi nuk arrin të lehtësojë apo të afrojë distancën e pamatë midis kërkesës dhe ofertës së punës, dhe kjo duhet të jetë prioritet në një vend ku përqindja e të rinjve të moshës nga 15 vjeç deri në 30 vjeç, që nuk kanë një punë, vazhdon të rritet me ritme të shpejta. Sistemi prodhon akoma vetëm profesione që duhen për vendin e punës në shtet.
Së dyti, gjendja e shërbimit arsimor në përgjithësi (publik apo privat) nuk ka dhënë prova të mjaftueshme për sa i përket mobilitetit social, dmth mundësisë që një student shqiptar të shkojë të vazhdojë studimet që i kanë mbetur në një vend tjetër evropian, apo edhe anasjelltas, pra që një student i huaj të vijë dhe të përfundojë këtu studimet e filluara në vendin e tij të origjinës.
Mobiliteti i studentëve, si një parimet bazë të Bolonjës, do të ndihmonte që shumë të rinj ta gjenin veten, për zgjedhje dhe meritë të tyre, të punësohen në kompani të huaja, apo shumëkombëshe. Mungon një vizion i qartë dhe një strategji për ta bërë këtë gjë.
Sot, kufizimi kryesor i sistemit arsimor qëndron në pamundësinë për të shpërblyer financiarisht meritën në nivel individual të mësimdhënësit, dhe në këtë sens, për të mund të përzgjedhur ekselencën indivuduale në nivel shkolle, të mësuesit. Në nivelin e shkollës fillore dhe të mesme, ky problem përkthehet në një vëmendje të ulët për punën e rezultateve të mësuesve.
Vëmendja e pakët mbi meritën, sjell pasojë rutinën dhe indiferencën e mësuesit, dhe si rrjedhim barazon përgjegjësitë e varfra të mësimdhënësve, me ato të stafit administrativ; rastet e fundit të denoncuara në emisionet investigativë të disa televizioneve shqiptarë, kanë treguar fenomene të mungesave, lëshimeve dhe rezultatet e dobëta në shkollat rajonale apo ato profesionale.
Universiteti publik, mungesa e vëmendjes të së cilit ka rënë ndjeshëm në lidhje me karrierat e paqarta, për të mos thënë të errëta, të promovimit të një pjese të trupës akademik, në disa fakultete publike, pasi ato private as që di njeri se ç`ndodh në to, njëkohësisht trysnon fort studentët duke dhënë rezultate të dobëta dhe duke ngelur në masë studentët, në emër të një “cilësie të institucionit” për t`i mbajtur sa më gjatë dhe të shumtë në numër, në mënyrë që të përfitojnë sa më tepër nga financimet publike, pa llogaritur këtu përfitimet personale të anëtarëve të trupës akademike.
Ky model, që do ta quaja pa frikë, si model i “universitetit parking”, është kthyer në modelin e institucionit më të urryer, kryesisht nga student, të rinj apo të reja, që janë pjesë e fashës së mesme dhe të pasur të popullsisë, të cilët këto vitet e fundit kanë gjetur si zgjidhje të shpejtë, transferimin e studimeve nga publiku tek privati, për të hequr më në fund stresin dhe ankthin e sezoneve dhe provimeve të mbartur, prej vitesh e vitesh.
Ka sinjale përmirësimi të vlerësimit të studentit, së fundmi në disa fakultete publike, dhe kjo është një gjë pozitive e që duhet ndjekur si shembull.
Emëruesi i përbashkët i të këqijave, në shkollë apo universitet, është nga njëra anë; centralizimi dhe kontrolli i tepër dhe i panevojshëm i ekzekutivit të arsimit mbi to, i cili me sa duket vjen si pasojë e dëshirës së pushtetit për ta pasur nën kontroll sistemin arsimor, dhe nga ana tjetër; mungesat ligjore dhe faktike të autonomisë në këto institucione, për sa i përket në vendimeve për promovim apo shpërblim financiar personelin ekselent, eficient dhe frytëdhënës.
Vendimmarrja e centralizuar ndikon në (për)hapjen e institucioneve ose programeve të studimit të padobishme apo të interesave klienteliste, ndërkohë që mungesa e autonomisë shkollore apo universitare zvogëlon konkurrencën midis institucioneve dhe përgjegjësinë e atyre që drejtojnë ato.