Thoma Gëllçi ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme ligjore, pasi Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke i hapur rrugë rigjykimit të çështjes. Vendimi përbën një kthesë të rëndësishme në procesin gjyqësor, duke rrëzuar dënimin e dhënë më herët dhe duke e rikthyer çështjen për shqyrtim të ri në Apelin e Posaçëm.
Ky zhvillim vjen pas kërkesës së Gëllçit në Gjykatën e Lartë, ku ai kishte kundërshtuar vendimin e Apelit, duke e konsideruar atë të pabazuar në prova dhe në kundërshtim me ligjin. Me pranimin e kësaj kërkese dhe vendimin për prishjen e dënimit, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se çështja kërkon një rivlerësim të plotë në një proces të ri gjyqësor.
Thoma Gëllçi ishte arrestuar me urdhër të SPAK më 8 tetor 2023 dhe ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Çështja lidhej me një shtyrje dyjavore të një kontrate për blerje mallrash për RTSH, e cila sipas mbrojtjes së tij dhe vlerësimeve të paraqitura në proces, konsiderohej një veprim administrativ. Në vijim të shqyrtimit në disa shkallë gjykimi, nuk u evidentua se kjo shtyrje kishte sjellë dëm ekonomik apo pasoja negative për RTSH.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Gëllçi ka fituar çështjen edhe në Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në shkurt 2025 kundër shtetit shqiptar. Gjykata e Strasburgut konstatoi se ai ishte mbajtur në paraburgim për më shumë se shtatë muaj pa prova të mjaftueshme ligjore, duke evidentuar shkelje të standardeve të të drejtave të njeriut.

