Emri/ Dhuna ndaj gazetarit Adriatik Doçi, në kërkim një efektiv policie, largoi me motor autorin e sulmit nga vendngjarja

2 Minuta Lexim

Komisariati nr. 5 ka arritur të zbulojë edhe një efektiv policie, pjesë e komisariatit nr. 4, i cili ka ndihmuar 32-vjeçarin Redon Skutera, i cili sulmoi gazetarin Doçi pranë banesës së tij. Ermir Doda, i proceduar edhe për ndërtim pa leje, ka asistuar Redon Skuterën, duke e larguar nga vendi i ngjarjes me motorr, por dyshohet se ka marrë pjesë edhe në vëzhgimin e gazetarit, i cili është ndjekur për disa ditë me radhë.

Efektivi i policisë është shpallur në kërkim për veprën penale ‘përkrahje të autorit të krimit’, ndërsa pritet të përjashtohet nga policia.  Nga hetimet e deritanishme, rezulton se Redon Skutera, emri i parë i të cilit është Redon Pëllumbi, është një person me precedentë kriminalë dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ai është arrestuar një vit më parë për plagosje me me dashje kundrejt pagesës, por nuk dihet se si i ka shpëtuar drejtësisë. Skutera, i cili dyshohet se përdoret nga grupet kriminale në Tiranë, është arrestuar edhe për lëndë narkotike.

Sipas burimeve, 32-vjeçari nga Berati kërkohet në Holandë për trafik droge. Ndërsa, efektivi Ermir Doda dyshohet se shërben si rojë edhe pranë një grupi krimal në Tiranë. Hetuesit kanë bindjen e plotë se gazetari është goditur për shkak të detyrës. Redon Skutera ka pranuar autorësinë e sulmit, ka nisur të sajojë disa alibi për shkakun. Gazetati Doçi ka deklaruar se nuk i njeh dhe nuk i ka dëgjuar kurrë as edhe si emra Ermir Dodën dhe Redon Skuterën.

Gazetari investigativ i Report Tv dhe Shqiptarja.com, Adriatik Doçi është sulmuar mesditën e së dielës (13 nëntor) shumë pranë banesë së tij dhe fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Dy ditë më parë, gazetari Doçi takoi edhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim e cila i shprehu mbështetjen.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull