Nga Aleksandër Çipa-
Mësohet nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS) se sateliti “SMILE”, i zhvilluar bashkërisht nga CAS dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), përfundoi të gjitha përgatitjet para lëshimit në Qendrën Hapësinore në Guianën Franceze në mars 2026. Ai tani është lidhur me sukses me mjetin e lëshimit “Vega-C” dhe është planifikuar të lëshohet më 9 prill sipas orës lokale, duke hyrë në fazën përfundimtare të numërimit mbrapsht.
Misioni i satelitit “SMILE” shënon bashkëpunimin e parë të Kinës në nivel misioni, gjithëpërfshirës dhe të thellë me ESA-n për eksplorimin e shkencës hapësinore. Gjithashtu është projekti përfundimtar i Programit të Kërkimit me Prioritet Strategjik të Shkencës Hapësinore (Faza II) të CAS. Sateliti do të përdorë në mënyrë pionere teknologjinë e imazherisë me rreze X të buta, për të arritur për herë të parë një imazh gjithëpërfshirës të strukturës në shkallë të gjerë të magnetosferës së Tokës, duke ofruar metoda inovative vëzhgimi për të zbuluar misteret e bashkëveprimit midis erës diellore dhe magnetosferës së Tokës. Ky mision pritet të arrijë një sërë përparimesh shkencore origjinale dhe të rëndësishme në fusha të tilla si parashikimi i motit hapësinor dhe kuptimi themelor i fizikës magnetosferike.
Aktualisht, ekipi i përbashkët Kinë-Evropë po monitoron dhe po konfirmon nga afër motin në vendin e lëshimit, si dhe statusin teknik përfundimtar të raketës dhe satelitit, duke bërë çdo përpjekje për të siguruar lëshimin me sukses të satelitit “SMILE” sipas orarit, duke nisur kështu së bashku një udhëtim të ri të bashkëpunimit Kinë-Evropë në fushën e eksplorimit të shkencës hapësinore.
Sateliti në transportim/Foto nga ESA
Nuk ka asnjë dyshim se rendi i ri global, të cilit ende nuk i dihen strukturat, sistemet, raportet dhe gravitetet e reja gjeostrategjike, paralajmëron një bosht të rëndësishëm partneriteti mes Kinës dhe Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për një bosht në nivel rendi ndërkombëtar dhe si faktor potencial dhe përcaktues në skakierën e zhvillimeve të pritshme politike dhe gjeodiplomatike në nivel botëror. Nuk ka asnjë dyshim se kompleksiteti i këtij raporti apo i kësaj strategjie partneriale mes dy kontinenteve, si akt të parë mishërues po shpërfaq të ketë marrëdhënien teknologjike dhe shkëmbimet strategjike në këtë sektor për të ardhmen e afërt. Kur shprehemi se kjo është dhe do të mbetet një marrëdhënie komplekse, kemi parasysh realitetin ku përfshihen: bashkëpunimi i thellë ekonomik, konkurrencat, tensionet gjeopolitike dhe natyrshëm edhe gravitetet e reja që do të rezultojnë përgjatë formësimit të ardhshëm të rendit të ri.
Bashkëpunimi teknologjik mes Kinës dhe BE-së bazohet dhe përfshin interesat e përbashkëta në fusha si energjia e gjelbër, inteligjenca artificiale, infrastruktura digjitale, si dhe aktivizmi në rritje i kompanive kineze në tregun europian, etj.
Qarqet diplomatike europiane shprehen se ky partneritet teknologjik ende është larg së shenjuari si aleancë e plotë strategjike. Sidoqoftë, edhe pse me kushtëzime nga interesat dhe siguria, ai po shoqërohet me një kalendar real vizitash diplomatike, sidomos përgjatë periudhës 2025-2026. Në këtë kalendar identifikohen rastet konkrete të vizitave në Pekin nga liderë të BE-së dhe shteteve kryesore, si dhe përmbajtja e agjendës së tyre, me fokus të veçantë në teknologji, industrializim dhe partneritete strategjike.

Sateliti në transportim/Foto nga ESA
Ky relacion i intensifikuar në vizita, komunikime, shkëmbime dhe sidomos pjesëmarrje në samite dhe forma takimesh, nuk rresht së mbështeturi nga aktorët tek kriteri i konkurrencës strategjike, tek projeksionet dhe zhvillimet akute gjeopolitike dhe ndikimet globale, si dhe perspektiva për të ardhmen.
Bashkimi Europian e konsideron formalisht Kinën si partner, konkurrent ekonomik dhe rival sistemik. Mirëpo çështjet e sigurisë për BE-në e detyrojnë të vlerësojë me syçeltësi rëndësinë e zinxhirëve të furnizimit kinez, ndikimin politik dhe ekonomik të saj, si dhe efektet që bien mbi marrëdhëniet gjeopolitike. Vizitat e realizuara përgjatë periudhës 2025-2026 prej krerëve të lartë të BE-së në Pekin, në Samitin e nivelit të lartë BE-Kinë (24 korrik 2025), si dhe nga Ursula von der Leyen, Antonio Costa, në kuadër të 50-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, kanë pasur si agjendë kryesore balancimin e tregtisë dhe industrisë, kontrollin e zinxhirëve të furnizimit, bashkëpunimin në klimë dhe teknologji, etj.
Por, në krye të agjendës bilaterale, mbetet shkëmbimi teknologjik, ku veç inteligjencës artificiale dhe ekonomisë digjitale përfshihen edhe farmaceutika, industria shëndetësore, etj. Më spikatëse u bë vizita e kancelarit gjerman në shkurt të këtij viti, Friedrich Merz, me delegacionin e kompanive prestigjioze, përfshirë të industrisë automobilistike, ku u përqendrua tek automjetet elektrike, prodhimi industrial i avancuar dhe teknologjitë e prodhimit.
Foto nga VCG
Në këtë nivel shkëmbimesh i shtohen këtij kalendari vizitat relevante të presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministrit britanik Keir Starmer, udhëheqësve nga Finlanda, Irlanda, e të tjerë liderë evropianë. Duke analizuar tipologjinë e këtyre marrëveshjeve dhe partneriteteve kino-europiane, vihen re marrëveshje të buta, partneritete sektoriale, diplomaci industriale e interpretime strategjike.
Ky bashkëpunim i kontrolluar qëndron ende larg së qeni një partneritet i përgjithshëm Kinë-BE, por realitetet në ndryshim dhe sidomos raportet në lëvizje, nuk përjashtojnë përcaktime të reja interesi gjeopolitik afatgjatë. Sidoqoftë, në raport me Ballkanin, vizitat në Pekin të liderëve të BE-së tregojnë një transformim të rëndësishëm strategjik, me mundësi më të mëdha industriale dhe prosperitet teknologjik.

