‘- Tragjedia e Andeve

68 Minuta Lexim

Avis Gjyshja

Ka disa histori që thjesht nuk mund të tregohen. Them se edhe historia e mëposhtëme është njëra nga ato. Është aq shumë e ngarkuar emocionalisht, sa megjithëse është vetëm një histori, ka dy emra të kundërt.
“Tragjedia e Andeve” është njëri dhe “Mrekullia e Andeve”, tjetri.
…………………………………….
…Për shumë arsye, unë vazhdoj dhe e kujtoj gjithmonë tragjedinë e 22 Nëntorit 1989, kur dy helikoptera u përplasën pa asnjë të mbijetuar në malet e Llogarasë. Atëhere unë jetoja akoma në Bregun e Detit dhe bashkë me zhurmat e fundit të helikave të helikopterëve kur rrotulloheshin nëpër errësirë mbi Himarë, unë nuk kam harruar dot as klithmat e vajet nëpër natë të familjarëve të një djali ndihmësmjek, viktimë e atij aksidenti, shtëpia e të cilëve ishte afër shtëpisë time.
Dhe sot, megjithëse kanë kaluar kaq shumë vite që nga ajo natë e keqe e fund viteve 80, unë përveç stresit e ankthit që më mundon sa herë që dëgjoj për aksidente ajrore, kam dhe një frikë që nuk më ikën kurrë dhe që e përjetoj keq sa herë që fluturoj.
Si nëpër tym, që nga koha kur jetoja në Shqipëri, më vjen në kujtesë, keq e keq e pa hollësi dhe një film, me një aeroplan të rrëzuar në dëborë e me të mbijetuar, për të cilin nuk jam i sigurtë në se lidhej me ngjarjen që dua të tregoj.
Mbase, unë nuk e kam shkruar mirë këtë tregim, mbase nuk jam origjinal dhe jam ndikuar edhe nga burimet që kam shfrytëzuar apo ndoshta dhe mënyra që kam zgjedhur e që i ngjan një kronike nuk është e duhura, por pavarësisht të gjithave, ngjarja dhe personazhet janë po ato, ndërsa ju pasi ta lexoni, nuk do ta harroni dot kurrë më këtë histori.
………………
-Diku në malet e Andeve, në një vënd ku akujt nuk ikin kurrë, gjëndet një akullnajë, dikur pa emër e që sot njihet si “Glaciar de las Lagrimas”.
Në shqip përkthehet “Akullnaja e Lotëve”.
..Më 13 tetor 1972, në malet përgjatë kufirit Kili- Argjentinë, u rrëzua një aeroplan i Forcave Ajrore Uruguajane, që kishte në bord ekipin uruguajan të regbisë “Old Christians”, i cili shkonte të luajtnte një ndeshje të planifikuar kundër ekipit kilian “Old Boys Club” të Santiagos së Kilit. Bashkë me ekuipazhin, ishin zyrtarë të klubit, familjarë e tifozë -gjithsej 45 veta në avion.
Si rrallë në aksidente ajrore të kësaj natyre, trupi krahëkëputur e bishtkëputur i avionit, shkau nga maja e malit ku u përplas dhe përfundoi rreth një kilometër poshtë, në shtratin e “Glaciar de las Lagrimas”. Brënda tij kishte të mbijetuar dhe disa prej tyre, pavarësisht se kishin gjithçka kundra, duke u ushqyer vetëm me mishin e kufomave të shokëve dhe të familjarëve të vdekur, do ja dilnin të mbijetonin për 72 ditë në borë e në akull.
Unë nuk kam qenë ndonjëherë në “Glaciar de las Lagrimas”, por kam lexuar dhe kam parë mjaftueshëm foto, sa ta di që atje, është habitati i vdekjes. Një shkretëtirë akulli dhe gurësh, mes majash të thepisura, në një vënd pa asnjë të gjallë, nën ca qiej të huaj e armiqësorë ku nuk fluturojnë kurrë zogj dhe ku përveç erës që fryn e të ftohtit që ngrin, nuk gjen as një shënjë myshku e asnjë fije bari. Në mëndjen time “Glaciar de las Lagrimas”, është sot vëndi, ku shpirtërat e të vdekurve të asaj tragjedie, kërkojnë përgjatë gjithë netëve pa pushim, skeletet e tyre të humbura.
..Në kohë vere kur shkrin bora, rreth një kilometër larg fundit të akullnajës duket një grumbull gurësh e ca copëra avioni. Ai në fakt është varri ku prehen eshtrat e viktimave të atij aksidenti. Mbi gurët është ngulur dhe një kryq që ka marrë shtrembër nga vitet e gjata dhe erërat që nuk pushojnë kurrë së fryri. Përzjerë me gurët e coprat e avionit sheh pllaka përkujtimore, flamuj të kalbur, një kishëz të vockël dhe aty pranë dhe një piramidë e vogël prej graniti të zi, në faqet e së cilës përveç pak fjalëve për ngjarjen, lexohen dhe emrat e gjithë të vdekurve dhe të gjallëve të asaj historie.
………..
Për të fluturuar nga Montevideo i Uruguajit, për në Santiago të Kilit, klubi “Old Christians”, kishte marrë me qira, nga Forcat Ajrore Uruguajane, një avion të vogël të tipit “Fairchild FH-227D”. Avioni ishte vetëm katër vjeç i vjetër, kish 792 orë fluturimi në total dhe pesë veta ekuipazh. Komandant i avionit ishte koloneli Julio Cesar Ferradas, një pilot me shumë përvojë i cili përveç të tjerave, kishte në historinë e tij të fluturimeve edhe 29 kalime të mëparëshme mbi malet e Andeve. Bashkë me të, ishte dhe një pilot i dytë, nënkoloneli Dante Hector Lagurara, i cili ishte në trajnim dhe këtë radhë kishte për detyrë të drejtonte avionin nën mbikqyrjen e Ferradas.
Më 12 tetor 1972, avioni la Aeroportin Ndërkombëtar të Karraskos në Montevideo të Uruguajt dhe mori rrugën drejt Santiagos së Kilit. Pas një cope kohe të madhe fluturimi, shërbimet sinoptike paralajmëruan për mot të keq e stuhi mbi Ande, gjë kjo që i detyroi pilotët të ndryshonin plan dhe të uleshin e të qëndronin për një natë në aeroportin e Mendozas në Argjentinë. Tani, me një plan të ndryshuar fluturimi dhe me shpresën e një moti më të mirë, të nesërmen, më 13 Tetor, avioni do të kryente dhe pjesën e mbetur të fluturimit nga Mendoza e Argjentinës për në Santiago të Kilit. Kjo distancë ishte vetëm rreth 200 kilometra vijë ajrore, por meqenëse në mes ishin malet e Andeve, lartësitë e të cilave në atë rajon shkonin deri afër 8000 metrave, lartësi këto që ishin afër tavanit maksimal të lartësisë së fluturimit të avionit FH-227D, si dhe duke qenë se ishin me ngarkesë maksimale e moti jo i mirë, u vendos që avioni të kalonte nëpër një rrugë në formë U, e cila qe gati tre herë më e gjatë se distanca në vijë të drejtë, por që shmangte rajonin e rrezikshëm me stuhi e me maja të larta. Në fillim do fluturonin drejt jugut, nga Mendoza për në Malargue po të Argjentinës dhe nga atje në perëndim drejt Kurikos së Kilit, zonë kjo ku malet nuk i kalojnë lartësitë e 5000 metrave, dhe prej këtej, si pjesë e fundit e fluturimit, drejt veriut, për në aeroportin Pudahuel të Santiagos së Kilit.
..13 Tetori i atij viti qëlloi që të ishte ditë e Prëmte dhe përveç bestytnive që e shoqërojnë gjithmonë këtë numur e këtë ditë edhe stacionet meteorologjike vazhdonin e raportonin se moti mbi Ande vazhdonte të ishte jo i mirë. Por vonë nga mesdita u lajmërua se moti filloi të ndryshonte për mirë, gjë kjo që i bëri pilotët e avionit, të vendosnin dhe të niseshin. Në orën 14:18 me orën lokale, avioni la aeroportin e Mendozës dhe sipas llogarive, në orën 15:21 pasdite, do të arrinte mbi Plançon (Planchon), një pikë ajrore kufitare, ku kontrollorët e trafikut ajror të Argjentinës i transferonin detyrat e ndjekjes së fluturimit të avionëve, tek shërbimet e kontrollit të trafikut ajror të Kilit.
-Aksidenti.
Fluturimi deri në Malargue qe pa asnjë problem, por menjëherë pas marrjes së kthesës për në perëndim, u pa se i tërë rajoni i Andeve ishte i mbuluar nga re të dëndura, gjë kjo që i detyroi pilotët që ti ngulnin sytë tek aparatet e të gjykonin sipas të dhënave instrumentale.
Në orën 15:21 pasdite, Ferradas njofton kontrollorët e trafikut ajror të Santiagos se ata kishin arritur pranë Kurikos. Në fakt pa llogaritur ndikimin e erës, ky duhej të ishte momenti kur avioni duhej të ishte jo mbi Kuriko por mbi Plançon dhe që këtu e deri mbi Kuriko, duheshin akoma dhe 11 minuta fluturim drejt perëndimit. Por çuditërisht, vetëm tre minuta pas thirrjes së parë, piloti Ferradas, ju tha kontrollorëve të Santiagos, se ata po merrnin kthesën për në veri dhe për këtë arsye kërkoi dhe leje për uljen e lartësisë së fluturimit. Kontrolluesi në Santiago, që nuk i shkoi mëndja fare se avioni vazhdonte të ishte akoma mbi Ande, dha leje për ulje në lartësinë 3500 m. Analiza e mëvonshme do të tregonte se piloti jo vetëm që kish gabuar dhe e kishte marrë kthesën shumë herët, por në vënd që të merrte drejtimin 30 gradë veri-perëndim kishte bërë edhe një gabim të dytë duke marrë vetëm 14 gradë po në veri-perëndim.
Dhe ndërsa avioni filloi të ulte lartësinë, turbulenca të forta e të papritura bënë që ai të humbiste lartësi dhe të dilte papritur nga retë…
..Dhe ky ishte dhe momenti kur gjithë tmerr, njerëzit në avion, panë mu përpara hundës së tyre, një kreshtë mali.
I alarmuar, piloti Lagurara i dha avionit gjithë fuqinë në ngjitje. Por në situatën që ndodhej, avioni nuk e kishte as hapësirën dhe as kohën e duhur për këtë lloj manovre. Me një sforco të jashtëzakonëshme, duke ngecur e duke u dridhur, avioni mori një pozicion pothuaj vertikal dhe kur gati po nxirrte hundën mbi kreshtën rreth 4200 metra të lartë, njerëzit brënda tij ndjenë një “bum-çkrraf!” e shoqëruar me një ndryshim shokues presioni dhe panë gjithë tmerr se pjesa e prapme e avionit, bashkë me krahun e djathtë të tij, u shkëputën e fluturuan tutje. E njëherësh me to, fluturuan në hapësirë dhe dy rreshtat e sediljeve të pjesës së prapme ku gjëndeshin të ulur pesë njerëz, tre pasagjerë, një stjuardes dhe navigatori i avionit…
Një grimcë kohe më vonë, krahu tjetër i avionit goditi një tjetër shkëmb dhe mes klithmave të tmerrit nga pjesa e pasme dhe e shqyer e avionit, fluturuan në hapësirë edhe dy pasagjerë të tjerë. Pjesa e ngelur e trupit të avionit, pa krahë dhe pa bisht, fluturoi përpara dhe pasi ra mbi faqen e pjerrët të një akullnaje që mbulonte gjithë atë shpat mali, duke u fërkuar nëpër dëborë e akuj e duke humbur shpejtësi, shkau deri afër një kilometër më poshtë ku u përplas e ngeci në një grumbull dëbore. Impakti i dhunshëm i ndalimit, bëri që sediljet, bashkë me njerëzit e ulur e të lidhur në to, të shkuleshin nga dyshemeja e avionit dhe të përplaseshin në pjesën e përparme të tij duke vrarë edhe disa pasagjerë të tjerë dhe duke shtypur kabinën me të dy pilotët brënda. Ngjeshja e panelit të instrumenteve në gjokset e pilotëve, bëri që Ferradas të vdiste menjëherë, ndërsa Lagurara, i ngecur dhe me instrumenta të ngulura në bark e zorrët që i vareshin jashtë, do të vuante edhe për pak orë të tjera.…
..Situata ishte e pa përshkrueshme dhe njerëzit të shokuar.
…Nga 45, kishin mbetur gjallë 33. Ndërsa Lagurara lutej që të merrnin pistoletën e tij e ta qëllonin në kokë për ti dhënë fund vuajtjeve të tmerrshme që po kalonte, ca nga pasagjerët kishin ngecur të lidhur pas sediljeve të shkulura e të përmbysura, të tjerë ishin mbuluar nga rrangullat, dëbora e akujt e futur forcërisht në trupin e shkatërruar të avionit, dikush i vdekur, dikush pa ndjenja dhe pothuaj të gjithë me thyerje kockash e të gjakosur. Ndërsa koka syshqyer e pilotit Ferradas, e detyruar nga shtypja e jashtëzakonëshme prej murit të kabinës, kish dalë nga dritarja e thyer e kabinës dhe kish ngelur drejt përpjetë mbi qafën e zgjatur në mënyrë të çuditëshme.
Frynte erë e akullt dhe përveç vajtimit të saj dëgjoheshin dhe copëra qarjesh, klithma e rënkime…
………….
Të parët që filluan të lëviznin qenë dy studentë të mjekësisë, të dy lojtarë të ekipit. Megjithëse ishin edhe vetë me plagë e me probleme dhe pavarësisht se nuk kishin asnjë medikament apo mjet për ndihmën e shpejtë, ata filluan të ndihmonin me aq sa ishte e mundur në ato rrethana. Bashkë me të vdekurit, u la dhe një nga yjet e ekipit i quajtur Nando Parrado i cili kish pësuar një goditje në kokë dhe për momentin kishte rënë në koma nga e cila do të dilte pas tre ditësh. Njërit prej të plagosurve i ishte ngulur një copë metali në bark dhe kur tentuan t’ja heqin, doli bashkë me disa centimetra zorrë. Nuk kish njeri pa plagë dhe një pjesë e tyre do të vdisnin në ditët që vinin…
-Operacioni i kërkim shpëtimit.
Humbja e ndërlidhjes me avionin bëri që kontrollorët kilianë të fluturimeve të shqetësoheshin e të jepnin alarmin. Minutat kalonin dhe shpejt u bë e qartë se kishte ndodhur diçka shumë e keqe. Me urgjencë, oficerët e Kërkim Shpëtimit Ajror Kilian, morën dhe studiuan për aq shpejt sa mundeshin transmetimet e rregjistruara në radio. Duke gjykuar nga kohët e shënuara dhe mesazhet në radio, dukej se përplasja, qe shkaktuar nga kthimi i parakohëshëm i avionit drejt veriut. Dhe sipas një llogaritje të përafërt i binte që kjo të kishte ndodhur në një terren tepër të thyer malor, diku midis Argjentinës dhe Kilit, ndoshta 80 apo 90 km më në lindje të pikës prej ku avioni duhej realisht të merrte kthesën.
Pa vonuar, katër avionë të Shpëtimit Ajror Kilian u ngritën në ajër dhe në bazë të një plani të shpejtë paraprak u nisën për në zonën e dyshuar. Kërkimet e asaj dite vazhduan deri sa u err, por pa asnjë rezultat…
Për punë orësh, humbja e avionit me sportistë u bë lajmi i parë për të gjitha mediat e Amerikës Latine e më gjërë. Pa vonuar nga shtetet fqinj filluan të vijnë mesazhet e para të gatishmërisë për ndihmë të menjëherëshme.
Të nesërmen në mëngjez në operacionet e kërkimit u përfshinë dhe 11 avionë të tjerë të ardhur nga Argjentina dhe Uruguaji.
Por zona e kërkimit ishte shumë e gjërë, terreni shumë i thyer dhe pavarësisht se në jug të planetit kjo periudhë kohore korrespondon me mesin e pranverës, e tërë zona ku po kërkohej vazhdonte të ishte e mbuluar nga bora. Në të vërtetë, specialistët kilianë nuk kishin gabuar në përcaktimin paraprak dhe avioni kish rënë saktësisht në zonën ku po kërkohej, por për fat të keq asnjë nga ekuipazhet e avionëve nuk mundi të dallonte dot në bardhësinë e borës, trupin e bardhë të avionit të rrëzuar.
Vetë të mbijetuarit i panë tre herë avionët e kërkim-shpëtimit të fluturonin sipër tyre dhe duke e kuptuar që po i kërkonin por nuk po i shihnin, u përpoqën që me ndihmën e bagazheve dhe sendeve të tjera të ndërtonin një kryq mbi dëborë, por përsëri as me këtë nuk arritën dot që të binin në sy të avionëve që kërkonin nga ajri.
-Ditët e para.
Gjatë natës së parë, temperatura ra gati deri në minus 30 Gradë Celsius dhe kjo bëri që ca nga plagët e ca nga ftohti të vdisnin edhe pesë persona të tjerë. Të gjithë të mbijetuarit që gjëndeshin në gërmadhën e avionit, kishin lindur e qenë rritur në buzë të detit dhe shumica e tyre nuk kishin parë kurrë borë me sy. Përveç kësaj asnjë prej tyre nuk dinte gjë rreth sëmundjeve të lartësive. Nën drejtimin e Marcelo Perez, kapiten i ekipit dhe djalë me autoritet, ata që ndjeheshin pak më mirë se të tjerët, filluan të lëviznin për të hequr nga trupi i avionit të vdekurit, sediljet e thyera dhe mbeturinat e tjera. Duke përdorur rrangulla të ndryshme dhe dëborë ata u munduan që të mbyllnin disi dhe fundin e shqyer të trupit të avionit. Pas kësaj kontrolluan me imtësi nëpër gjithë zgëqet e rrangullat e avionit për ndonjë gjë me vlerë dhe ushqime. Të gjithë ushqimet që mundën të gjenin, ishin vetëm tetë çokollata, një kanaçe me midhje, tre kavanoza të vegjël me reçel, një kanaçe me bajame, ca hurma, pak karamele, një grusht kumbullash të thata dhe dy apo tre shishe të vogla me verë. Gjithë e gjithë rreth dy deri tre ditë ushqim për një njeri të vetëm. Midis gjërave me vlerë u gjetën dhe një radio e vogël me bateri bashkë me një kamera fotografike me film brënda. Ndërsa mbulesat e sediljeve, të cilat ishin pjesërisht prej leshi, u hoqën që të mund të përdoreshin edhe si veshje kundër të ftohtit.
Përfundimisht të 28 personat e ngelur gjallë u shtrënguan ngushtë e ngushtë në hapësirën e përgjysmuar të kabinës së pasagjerëve.
Fernando (Nando) Parrado, një nga të mbijetuarit i cili më vonë do të luante një rol shumë të madh në shpëtimin e të mbeturve gjallë, në momentet e para të pas aksidentit qe lënë si i vdekur por ndodhi që ftohti ndihmoi që ai të dilte nga koma pas tre ditësh. Bashkë me të në atë fluturim ishin dhe nëna me motrën e tij. Dhe e para gjë që pyeti pasi u përmënd ishte për shëndetin e tyre. I thanë se nëna i kishte vdekur, ndërsa e motra 19-vjeçare, Susana qe e plagosur dhe po luftonte për jetën…
..Në atë lloj situate qarjet e vajet e kishin humbur kuptimin. Pas nënës dhe Suzana, pavarësisht përpjekjeve të të gjithëve të mbijetuarve, do të jepte shpirt në ditën e tetë pas aksidentit…
E vetmja gjë që i lidhi përkohësisht grupin e të mbijetuarëve me botën e matanë maleve ishte ajo radio e vogël me tranzistorë e cila u gjënd midis rrangullave të avionit. Një nga të mbijetuarit, mori dhe bëri si antenë një kabllo të gjatë elektrike të shkulur nga mbetjet e avionit dhe kështu që me këtë lloj modifikimi ata mundën që të kapnin valët e dobëta të ca radiove nga të cilat mësuan edhe lajmin e keq, se më 21 tetor, pas tetë ditë kërkimesh intensive, autoritetet vendosën ndërprerjen e kërkimeve të mëtejshme për ta. Pas tetë ditësh, në atë borë e në ato temperatura, shpresat e ekipeve të shpëtimit për të gjetur ndonjë njeri të gjallë ishin fikur dhe tani ata mendonin se e vetmja mundësi e mirë, për të gjetur mbetjet e avionit, do të ishte koha kur të shkrinte bora, pra muajt Dhjetor ose Janar, muaj që në hemisferën jugore janë njëlloj si Qershori dhe Korriku në hemisferën tonë veriore.
Është pak të thuash se lajmi i depresoi të mbijetuarit… Dikush ra në panik, dikush qau ndërsa Nando Parrado të cilit po atë ditë i vdiq e motra ndër duar, pa malet, kujtoi babanë e tij të mjerë në Montevideon e largët dhe i la lotët ti rridhnin.
Kishin parë e vuajtur aq shumë dhe ishin aq të uritur sa nuk kishin më forcë për të menduar për ndonjë gjë tjetër.
-Kanibalizmi.
Aksidenti i Andeve, për pjesën e tij të parë, ishte i ngjajshëm me shumë aksidente të tjera ajrore. Pak vite më parë, më 6 shkurt 1965, në malet e Andeve kish ndodhur një tjetër aksident ajror pa asnjë të mbijetuar. Njëzet e dy, midis 87 të vdekurve ishin lojtarë dhe staf i ekipit të futbollit “Antonio Varas”, të Santiagos, të cilët ishin nisur për në Uruguai për një ndeshje kundër ekipit “Camadeo” të Montevideos. Por ndryshe nga ai aksident, apo ata të Llogarasë e të tjerë, hallet e të cilëve qenë mbyllur direkt në momentet e përplasjeve, për atë të 13 Tetorit 1972, do të kishte dhe një pjesë të dytë, e cila do të patakste botën kur të mësonte se si ndodhi e çfarë qe.
-Unë nuk kam pasur rast të shkoj ndonjëherë në vëndin e atij aksidenti, por megjithatë them se e di se si është.
Në mëndjen time, “Glaciar de las Lagrimas” është habitati i vdekjes. Një shkretëtirë akulli dhe shkëmbinjsh, mes majash të thepisura në një vënd pa të gjallë, nën ca qiej të huaj e armiqësorë ku nuk fluturojnë kurrë zogj dhe ku përveç erës që fryn e të ftohtit që ngrin, nuk gjen as shënja myshku e as fije bari. “Glaciar de las Lagrimas” në imagjinatën time, është sot vëndi, ku netëve dalin shpirtërat e të vdekurve dhe kërkojnë për skeletet e tyre të humbura.
Sot, atje gjëndet varri i përbashkët i viktimave i mbuluar nga një grumbull gurësh e ca copëra avioni mbi të cilët është ngulur një kryq dhe po aty pranë është dhe një piramidë e vogël prej graniti të zi në faqet e së cilës janë gdhëndur emrat e gjithë të vdekurve dhe të gjallëve që u bënë pjesë e asaj historie makabër si dhe pak fjalë për ngjarjen në fjalë.
Përveç plagëve, frikës, stresit dhe të ftohtit që ngrinte dhe pështymën në ajër, problem i madh ishte dhe uria e tmerrshme e cila sa vinte e bëhej më e përbindëshme. Në ditët që erdhën vdiqën dhe të tjerë dhe ngaqë askush nuk kish më fuqi as për të lëvizur, kufomat e tyre ngelën të përzjera me të gjallët.
Të gjallët mendojnë se jeta është gjithçka dhe vdekja është thjesht fundi i saj. Por atje, në atë vënd të pajetë, dukej se vdekja ishte baza, e përherëshmja dhe e përgjithëshmja, ndërsa jeta ishte vetëm një kërcim i shkurtër e i brishtë mbi mbretërinë e pafund të vdekjes.
“Ne ishim tmerrësisht të uritur dhe pa shpresë për të gjetur ushqim -do të shkruante më vonë Fernando Parrado – por shpejt, uria jonë u bë aq e papërballueshme, saqë, megjithëse e dinim se materiali i çantave të bagazheve ishte i bërë prej kimikatesh, prapë ne u përpoqëm të hanim copat e tyre të lëkurës. Pastaj, me shpresë se mos gjenim kashtë brënda sediljeve të avionit, i shkatërruam edhe ato, por gjetëm vetëm shkumë plastike tapicerie. Dhe kjo vazhdoi kështu deri sa arritëm në përfundimin se përveç rrobave që kishim veshur, akullit, shkëmbinjëve dhe aluminit, nuk kishte më asgjë tjetër për tu ngrënë.”
“Prej kohësh ne kishim ngrënë gjithçka që kishim gjetur në aeroplan dhe për rreth nuk kishte ngelur më asgjë – kujton Roberto Kanesa, një tjetër nga të mbijetuarit e ngjarjes. -Ne e dinim zgjidhjen por kishim frikë qoftë edhe që ta mendonim. Kufomat e ngrira të shokëve tanë, të shtrira për rreth nesh, kishin gjërat që na duheshin ne të gjallëve.”
Mendimi për të ngrënë kufomat e të vdekurve vinte vërdallë në mëndjet e të gjithëve dhe herë me zë e herë pa zë, të gjallët i luteshin Zotit për ti drejtuar.
Por ishte e qartë se ata djem të pafajshëm, të vdekur e të gjallë, ishin të afërm gjaku, shokë, bashkëlojtarë skuadre, bashkëstudentë e të tjera. Midis të vdekurve ishin dhe nëna me motrën e Parrados. Dhe të gjithë ishin besimtarë të devotshëm katolikë e të gjithë kishin frikë nga ferri..
Duke pasur vetëm një opsion dhe asnjë mundësi të dytë për të zgjedhur, ata filluan të kërkonin justifikim për atë që dukej se po afronte. Si fetarë të përkushtuar ata e dinin se Kungimi i Shenjtë, e sheh trupin dhe gjakun e Jezu Krishtit në bukën dhe verën që u serviret besimtarëve nëpër shërbesat kishtare. Dhe si njohës të mirë të Biblës, ata kujtuan dhe një kapitull të Ungjillit ku thuhej se “nuk ka dashuri më të madhe se sa me jetën tënde të ndihmosh miqtë e tu”.
Disa nga ata ishin studentë mjekësije dhe si të tillë pyesnin se përse fundja, një transplant i një zëmre që merret nga një i vdekur, për të mbajtur në jetë një të gjallë, quhej gjë e mire, kurse të haje zemrën e po një të vdekuri për të qëndruar gjallë duhej të quhej e tmerrshme dhe krim i rëndë?!
Dhe ngadalë e në mënyrë intuitive, ata e kuptuan se në atë vend të tmerrshëm nuk mund të gjykohej më me standardet te botës së zakonëshme. Dhe kur një nga të gjallët tha se në qoftë se ai vdiste, ju jepte leje që në atë moment, atyre që do mbeteshin gjallë, që të hanin trupin e tij, të gjithë u shprehën dakord dhe kjo më shumë se një marrëveshje për të ardhmen, u kuptua si një vendim për të ngrënë të vdekurit e deri atëhershëm.
Dhe menjëherë pas kësaj, Kanesa, një student mjekësije që më vonë do të bëhej një kirurg i famshëm, mbërtheu një copë xhami të thyer avioni dhe u drejtua për nga trupat e pilotëve.
Dhe ndërsa bota as nuk u shëmb e as nuk ndryshoi, ishte ky që dha shembullin i pari duke prerë e gëlltitur një shirit të vockël mishi të ngrirë me madhësinë e një fije shkrepëseje dhe duke i dhënë rrugë kështu, një nga historive më tronditëse të kanibalizmit që bota kish dëgjuar ndonjëherë…
Pas kësaj, dy burra u ngritën për të prerë mish nga kufomat aty pranë.
Dhe kjo ndodhi në ditën e nëntë të mbijetesës…
..Në kushte normale është e vështirë të përfytyrosh se ç’do të thotë të hash mish të vdekurish. Por sipas atyre që treguan vetë të mbijetuarit, midis pengesave psikologjike dhe sa e sa neverive të tjera, si shija apo aroma e kalbët me erë dheu e vdekjes, qimet e trupit e të tjera, një nga gjërat më të padurueshme ishte dhe një si lloj lagështie e ftohtë dhe ngjitëse, gjysëm e ngrirë e gjysëm qullace e mishit të të vdekurve. Për ta shmangur këtë, ata dy që prisnin mish, para se të shpërdanin rracionet, filluan ti ndernin copat e mishit në trupin e alumintë të avionit, gjë që e bënte disi më të lehtë ngrënjen. Në fillim të mbijetuarit hanin vetëm lëkurë, muskuj dhe dhjam, por më vonë filluan të hanin edhe zemrat, mushkëritë, madje edhe trurin të cilin e nxirrnin nga kafkat që i çanin me gurë.
Jo shumë larg nga sot, Roberto Kanesa, tani një kirurg shumë i njohur, në një video konferencë për korrespondentët e huaj me qëndrim në Argjentinë, pyetjeve rreth kanibalizmit ju përgjigj duke thënë se “ndjehem sikur të vdekurit tanë transplantuan tek ne jetën e tyre.. dhe se ky ishte një nder që do të doja të më takonte edhe mua nëse do të vdisja dhe ata do të më përdornin për të jetuar”
Ai e krahasoi vehten me pacientët të cilët mbijetojnë duke marrë organe nga njerëz të tjerë të gjallë apo të vdekur dhe tha se “ndjehem sikur të vdekurit tanë transplantuan tek ne jetën e tyre”
-Orteku
Por dukej sikur cinizmi i asaj perëndie kriminele, që e kish kurdisur gjithë këtë skenar vuajtjesh, nuk kish të kënaqur.. Shtatëmbëdhjetë ditë pas rrëzimit të avionit, afër mesnatës së 29 tetorit, një ortek dëbore goditi dhe groposi trupin e shkatërruar të avionit bashkë me të mbijetuarit brënda. Ata që ishin zgjuar dëgjuan një si gjëmim të mbytur që sa vinte e rritej derisa një rrëmet dridhës u derdh mbi ta dhe dëbora e ngjeshur dhe e përzjerë me akull përveç se e mbuloi plotësisht avionin, mbushi dhunshëm edhe pjesën më të madhe të hapësirës së brëndëshme të trupit të tij duke vrarë dhe tetë të tjerë nga të mbijetuarit. Gjithçka zgjati shumë pak dhe të mbijetuarit që edhe nuk dinin nga këto gjëra as që e morën vesh se çfarë qe.
Duke e ndjerë se po ju mbaronte ajri, me përpjekje të mëdha, në errësirë absolute e pa vegla, të mbijetuarit e bllokuar brënda gërmadhës së avionit, tani akoma më e ngushtuar nga dëbora dhe akulli që u futën forcërisht në të, mezi arritën, që me duar e ca copa hekurishtesh që ju kapi dora të hapnin një vrimë për ajrim në çatinë e avionit. Dhe po me shumë vështirësi, pas gati dy ditë përpjekjesh, mundën të hapnin një tunel për të dalë nga kabina në sipërfaqe dhe ku ishin dhe kufomat me të cilat ushqeheshin. Por qindra mijra ton dëborë e akuj kishin mbuluar gjithçka ndërsa një stuhi tjetër e egër i detyroi të ktheheshin menjëherë mbrapsh e të mbylleshin përsëri brënda trupit të avionit. Vdekjet e reja, midis të cilëve ishin dhe Marcelo Perez, kapiten i ekipit dhe drejtues deri në atë moment i grupit të të mbijetuarve dhe Liliana Methol, e vetmja femër e mbijetuar e cila qe kujdesur për të gjithë si një nënë dhe shenjtore, ishin jashtëzakonisht dekurajuese për të gjithë ata që ngelën gjallë.
Për tre ditë me radhë, të mbijetuarit vazhduan të qëndronin të bllokuar brënda hapësirës jashtëzakonisht të ngushtë të trupit të varrosur të avionit. Përzjerë me të gjallët ishin aty ishin dhe kufomat e të sapovdekurve nga orteku. Pa ndonjë zgjidhje tjetër, ditën e tretë pas ortekut, të ngelurit gjallë, filluan të hanin mish nga trupat e shokëve të sapo vdekur. Prando do të tregonte më vonë se “mishi i tyre ishte i butë, i yndyrshëm, i llangosur me gjak e lagështi dhe kur e futa për herë të parë në gojë, shtrëngova dhëmbët fort që të mos villja”.
Mbas vdekjes së Perez, kushërinjtë Eduardo Strauch dhe Fito Strauch e bashkë me to dhe Daniel Fernandez morën përsipër vullnetarisht drejtimin. Ishin ata që tani e prapa do të prisnin mish nga trupat e të vdekurve dhe do të përgatisnin rracionet për të tjerët.
-Eksplorimi i zonës.
Që pas dëgjimit të lajmit për pezullimin e operacioneve të kërkim shpëtimit, disa nga të mbijetuarit kishin shprehur mendimin se duhej të lëviznin, të zbulonin se ku ishin dhe të kërkonin për ndihmë. Por gabimisht, ata besonin në atë që piloti i dytë ju kish thënë pak para vdekjes. Ata mendonin se pak kilometra më në perëndim duhej të ishin fshatrat dhe fushat e Kilit. Ata nuk e dinin se avioni i tyre qe rrëzuar pikërisht për shkak të atij mendimi të gabuar dhe se në fakt ata ishin akoma në Argjentinë, thellë midis maleve të Andeve, rreth 80 apo 90 km më në lindje se sa ata mendonin.
Vera po vinte dhe bora që kishte varrosur trupin e avionit e kish mbuluar fundin e akullnajës po shkrihnte gradualisht.. Duke përfituar nga ulja e trashësisë së saj, javët e para pas rrëzimit, të mbijetuarit që ndjeheshin më mirë bënë edhe disa ekspedita të shkurtra për rreth avionit, por shpejt sëmundja e lartësisë, dehidratimi, verbimi nga dëbora, kequshqyerja dhe të ftohtit ekstrem gjatë netëve i bënë gjithnjë e më të pamundura udhëtimet e tyre eksploruese.
Ndërsa shumica e të mbijetuarëve nuk ndjeheshin të aftë për t’i bërë ballë sprovës fizike të eksplorimit të zones, Roberto Kanesa, Fernando Parrado dhe dy të tjerë, duke e ndjerë thellë braktisjen dhe vdekjen që po afrohej për të gjithë, shprehën gadishmërinë që ti futeshin një aventure të tillë. Veçanërisht Fernando Parrado që i duhej që gjithë kohën të shihte e të mbronte kufomat e nënës dhe të motrës por dhe të mendonte se shpejt apo vonë do vinte ora që të mbijetuarit e uritur do vinin dorë dhe mbi to.
Vullnetarët ishin në fakt ndër djemtë më të fortë të grupit, por pavarësisht kësaj, atyre ju ndanë dhe racione më të mëdha mishi dhe rroba shtesë nga ato të të vdekurve. E megjithatë grupit ju desh të priste edhe shtatë ditë të tjera për temperatura pak më të larta.
Që të shkonin drejt Kilit, ata e mendonin se duhej të ecnin drejt perëndimit, por një mal i madh që ngrihej në perëndim të vendit të aksidentit, i detyroi që fillimisht të merrnin drejt lindjes me shpresë se lugina në të cilën ndodheshin, dikur do të kthente drejt perëndimit. Më 15 nëntor, pas disa orësh ecje, rreth 1,6 kilometra më në lindje, grupi gjeti pjesën e bishtit të avionit dhe pranë tij disa bagazhe e bashkë me to një kuti me çokollata, tre kuti mishi, një shishe rum, cigare, rroba shtesë, ca libra dhe pak ilaçe. Ata gjetën gjithashtu dhe radion marrëse e dhënëse të avoinit. Atë natë grupi vendosi që ta kalonte brenda në një hapësirë brënda bishtit të avionit.
Të nesërmen në mëngjes ata vazhduan për më në lindje. Në natën e dytë të ekspeditës, që ishte dhe nata e parë që flinin jashtë, ata gati ngrinë për vdekje. Pas një debati të nesërmen në mëngjes, ata menduan se do qe më e mençur që të ktheheshin tek bishti i avionit, të hiqnin bateritë e tij dhe të përpiqeshin nëse do të mund të aktivizonin radion e cila ishte tek trupi kryesor për të tentuar dhënjen e sinjalit SOS për ndihmë.
Pas kthimit tek bishti i avionit, grupi zbuloi se bateritë ishin shumë të rënda për t’u marrë e për tu çuar tek trupi i avionit. Në vend të kësaj, ata vendosën të ktheheshin dhe të binin radion aty. Por një nga të mbijetuarit, i cili ishte një amator i mirë i elektronikës, pasi pa radion, ju tha se kjo nuk mund të bëhej pasi radioja përdorte tension 115 volt alternativ dhe kështu që bateria nuk vlente për këtë punë.
Pas zhgënjimit me radion, u duk se e vetmja rrugë e ngelur ishte që ti ngjiteshin malit.
Ndërsa koha ecte, më 15 nëntor, vdiq një tjetër i mbijetuar dhe tre ditë pas tij, më 18 Nëntor, vdiq Rafael Echavarren. Të dy këto vdekje erdhën nga gangrenizimi i plagëve. Rafaeli vuajti shumë por sa qe gjallë nuk e lejoi kurrë vehten të zhytej në keqardhje e trishtim. Edhe pse mishi i këmbës po kalbej para syve të tij, ai bërtiste çdo mëngjes: “Unë jam Rafael Echavarren! Dhe nuk do të vdes këtu!”. Dhe megjithëse të gjithë e dinin se ai po vdiste, prap të gjithë ndjeheshin më të fortë sa herë e dëgjonin kur bërtiste e thosh ato fjalë.
Ndërsa më 11 Dhjetor, ditën e 60 pas aksidentit vdiq Numa Turcatti, student drejtësie, i fundit nga viktimat e aksidentit që do mbyllte sytë në atë vënd. Neveria për të ngrënë mish të vdekurish e kish katandisur Numan e gjorë në më pak se 25 kile njeri.
-Në kërkim të ndihmës.
Më 12 dhjetor 1972, Parrado, Kanesa dhe Vizintin, megjithëse pa asnjë pajisje teknike, pa asnjë hartë apo busull dhe pa asnjë përvojë në ngjitjet alpinistike, filluan ngjitjen në akullnajë për të dalë në majën përballë për të cilën ata mendonin se ju bllokonte rrugën drejt perëndimit dhe që më vonë do të mësonin se ishte 4670 metra e lartë.
Gjithmonë duke besuar tek deklarata e gabuar e pilotit se ata nuk ishin larg Kuriko-s, ata morën me vehte vetëm një furnizim treditor me mish njeriu.
Parrado kishte veshur tre palë xhinse, katër pulovra dhe katër palë çorape të mbështjella edhe me qese plastike. Pothuaj ashtu si ai qenë veshur dhe të tjerët. Duke e parë nga poshtë, si të pa eksperiencë që ishin, ata mendonin se do të arrinin në majën e atij mali brënda një dite. Por mungesa e eksperiencës dhe e çdo lloj pajisje, ajri i rrallë dhe i varfër me oksigjen e bënte ngjitjen shumë më të vështirë dhe më të ngadaltë se sa e kishin imagjinuar. Gjatë një pjese të ngjitjes, atyre ju desh që të zhyteshin dhe të çanin trashësi të mëdha bore të zbutur nga dielli i verës.
Që pasditen e parë ata u goditën nga një stuhi e egër e cila shpërtheu egërsisht dhe mezi mundën të shpëtojnë duke gjetur një strehë nën një shkëmb buzë një humnere. Në kujtimet e tij të mëvonëshme, Kanesa do të thoshte se ajo ishte dhe një nga netët më të këqija të jetës së tij. Ditën e dytë, në rrugë e sipër ata gjetën trupin e Daniel Shaw i cili ishte një nga ata që kish rënë nga pjesa e prapme e avionit në momentet e para të aksidentit, ndërsa ditën e tretë, pak para se të mbërrinin në majë do të ndeshnin edhe trupin e Carlos Valetas i cili pati të njëtin fat me Danielin.
..Në mëngjesin e tretë të udhëtimit, ata arritën në rrëzën e një muri gati vertikal plot borë e akull dhe më shumë se njëqind metra të lartë që duhej kaluar patjetër për të arritur në majë. Kjo ngjitje tejet e vështirë dhe e rrezikëshme ju mori burrave një ditë të tërë. Parrado që arriti i pari në majën e malit, u shtang kur pa se në perëndim, në vënd të luginave të gjelbra siç kishte menduar, gjëndeshin një det i madh majash të larta e plot dëborë që vazhdonin e mbyllnin horizontet nga të gjitha anët. Ai nuk e dinte se në atë moment ata po qëndronin mbi një mal pa emër, ngjitur me kufirin Argjentinë – Kili, dhjetëra kilometra larg luginave të gjelbërta të këtij të fundit dhe as që i shkonte mëndja se në fakt ai vetë ishte njeriu i parë i kësaj bote që shkelte në atë majë mali.
Pasi mbërritën dhe shokët e dielli po ulej, Parrado u bë nostalgjik dhe e pyeti Kanesën në se ai e imgjinonte dot se sa bukur do të qe sikur të shpëtonin.
Por në të kundërt me ëndërrën e Parrados, përveç atij deti majash që nuk i dukej fundi halleve të tyre i shtohej dhe problemi i ushqimit që po mbaronte. Duke i parë të gjitha këto Vizintin, tha se nuk mund të vazhdonte më dhe mori të kthehej poshtë tek shokët e grupit.
Vetë Kanesa tregon se kur arriti në majë dhe pa se për kilometra e kilometra të tëra rreth tyre nuk kishte asgjë tjetër përveç maja malesh të mbuluara me borë, mendimi i parë që i erdhi në mëndje, ishte se ata ishin absolutisht të vdekur e pa asnjë shpresë për të mbijetuar. Duke parë nga lart, Kanesa vuri re një si gjurmë rruge që shkonte drejt lindjes dhe pasi ja tregoi Parrados u përpoq të bindëte atë që të shkonin në atë drejtim. Por Parrado ishte i fiksuar pas deklaratës së pilotit dhe nuk ra dakord me idenë për shkuar drejt lindjes. Vetëm shumë vite më vonë, atëhere kur kjo do të ishte një histori e mbyllur, burrat do të mësonin se ideja e Kanesës për të ndjekur atë shenjë rruge që ai pa në lindje, do t’i kishte bërë më të lehta përpjekjet e tyre në kërkim të ndihmës. Duke mos vendosur dot, ata vunë re se larg në perëndim dukeshin edhe dy maja të pambuluara me borë për të cilat Parrado tha se ai ishte dhe drejtimi nga duhej të shkonin.
Në librin e tij “Miracle in the Andes”, Parrado tregon se në atë moment ai e ndjeu të nevojshme ta paralajmëronte shokun e tij për rrezikun duke i thënë se mbase ata po shkonin drejt vdekjes, dhe për sa i takonte atij, do donte që në vënd që ta priste vdekjen të vinte, më mirë të shkonte e ta kërkonte atje ku ajo ishte.
Po në ato shënime, Parrado kujton se Kanesa ngriti kokën, e pa në sy dhe ju përgjigj: – Ti dhe unë jemi miq Nando dhe kemi ndarë kaq shumë gjëra bashkë. Do doja që dhe vdekjen ta ndanim bashkë.
..Pak para se të linin majën për të vazhduar më tej, Parrado nxori një buzëkuq të motrës së vdekur, të cilin e mbante me xhep si një kujtim të saj dhe në një nga qeset plastike me të cilat kishte mbledhur çorapet shkroi emrin “MT. SELER” (Mali Seler). Pasi bëri kryq e mori qesen e palosur dhe e vendosi nën një gur. Ky ishte emri i babait të tij, Seler Parrado, i cili i helmuar nga lajmi që kish humbur gjithë familjen ishte kthyer në një të vdekur akoma të pavarrosur. Dëshira për ti treguar babait se nuk kish humbur gjithçka, ishte ndoshta dhe motivimi më i madh i Nandos për të mbijetuar. Kjo qese do të gjëndej vite më vonë nga një grup alpinistësh të cilët do të ngjiteshin në atë majë në kujtim të gjithë vuajtjeve të shkaktuara nga ai aksident ajror, dhe pas kësaj emri që kish shkruar Nando në të, do të miratohej zyrtarisht edhe si emri i atij mali.
Ndërsa Vizintin kish marrë rrugën e kthimit, Parrado dhe Kanesa megjithëse pa fuqi e me shumë pak ushqim, të dobësuar kockë e lëkurë, me rroba që ju vareshin e flokë që ju rëndonin, do të niseshin drejt së panjohurës ku shanset për të shpëtuar gjallë krahasuar me ato për të vdekur, ishin një me njëmijë, në favor të së keqes. Në anën e keqe ishin të gjitha ndërsa në anën tjetër ishte vetëm ëndërra për të gjetur ndihmë e për të mbetur gjallë. Duke e shtytur vehten me “hë dhe një hap më shumë” dhe duke tërhequr zvarrë thesin e gjumit që ishte e vetmja mbrojtje nga i ftohti vrastar i netëve, ata do të ecnin edhe shtatë ditë të tjera në një rrugë e cila nuk ishte rrugë por vetëm një drejtim – perëndimi.
Si dy fantazma, ata binin e ngriheshin nëpër faqe të rrezikshme ku prisnin ortekë gati për tu lëshuar, shkisnin e përplaseshin mbi akullnaja të copëzuara nga të çara të thella e të pakalueshme, vareshin mbi gremina e shkëmbinj të thepisur, poshtë të cilëve rridhnin përrenj të rrezikshëm në të cilat gjëmonin ujrat e akullta të dëborës që po shkrinte dhe ecnin e përpiqeshin të mos mendonin.
Parrado dhe Kanessa e kujtojnë vuajtjen e tyre si një makth të keq që nuk mbaronte kurrë. Megjithëse nuk e dinin se ku ishin, pas ca kohe ata arritën në buzën e një të lumi të panjohur që gjarpëronte përmes një lugine të ngushtë të cilën ata e kishin vënë re që nga maja e malit që lanë prapa. Duke besuar fort se ujrat e gjithë lumejve të Andeve të këtij krahu derdheshin në fushat e Kilit në perëndim, ata ndoqën rrjedhën e lumit e cila pas ca kohe i nxori në një vënd ku vërtet nuk kishte më dëborë. Vonë ata do mësonin se ai lumë ishte Rio San Jose, ujërat e të cilit pasi bashkoheshin dhe me disa degë të tjera derdheshin në Rio Tinguiririca, një lumë i cili buronte nga një vullkan i shuar me të njëjtin emër, pak më në jug të vëndit ku u rrëzua avioni “Fairchild FH-227D”.
Gradualisht, megjithëse gjëndja e tyre fizike sa vinte e po degradonte dhe vdekja dukej se ishte punë orësh ose një ditë apo dy larg, sa më para drejt rrjedhës që shkonin, aq më shumë shenja të jetës e të pranisë njerëzore shihnin. Fillimisht panë ca shenja të një kampingu të braktisur, dhe pastaj, në ditën e nëntë, panë disa lopë në anën tjetër të lumit gjë e cila nënkuptonte se aty vërdallë kishte dhe njerëz. Duke pritur që të shikonin njerëz, Kanesa u gremis e nuk mundi më të vazhdonte të ecte as edhe një hap më tej. Ata kishin ecur për gati 10 ditë pa ndërprerje dhe gjatë kësaj kohe Kanesa kishte humbur, më shumë se gjysmën e peshës së tij trupore.
Kjo ishte dhe koha kur Parrado dhe Kanesa panë tre burra me ca mushka përpara, në anën tjetër të lumit. Efekti i atij zbulimi ishte po aq shastisës sa ai i një kozmonauti që ndesh alienë në një planet tjetër. Parrado vuri gjithë fuqinë e mbetur duke thirrur e fishkëllyer, por zhurma e ujrave të lumit nuk i linte burrat matanë lumit të dëgjonin gjë. Por gati kur po humbnin shpresat, një nga ata i vuri re, u ndal dhe pasi u afrua pak drejt buzës së lumit, bëri shenjë me duar si për ti pyetur se ç’bënin aty. Pas disa tentativave pa sukses për të komunikuar, burri matanë lumit bërtiti diçka me duart si bori dhe bëri edhe ca shenja me duar që nënkuptonin se do kthehej përsëri..
Të rraskapitur dhe dyshues nëse i panjohuri do të kthehej më apo jo, Parrado dhe Kanesa gdhinë një natë që nuk donte të gdhinte. Që me zbardhjen e ditës duke ju lutur zotit, sytë e tyre ngelën të ngulur tek kthesa pas së cilës u zhdukën mbrëmjen e shkuar burrat e huaj. Dhe duket që zoti i dëgjoi lutjet dhe dikur pas një shkëmbi u çfaq koka e një mushke, pastaj dhe dy të tjera e prapa tyre burrat që po shihnin nga ana e këtejme e lumit. Pasi i panë që dy të huajt e çuditshëm ishin po aty ku i lanë një natë më parë, njëri nga burrat, që sipas pamjes dukej se ishte po ai që u mundua të komunikonte me ta një ditë më parë, mori një gur në të cilin lidhi një laps dhe një letër dhe e hodhi në anën e këtejme të lumit. Parrado e mori lapsin dhe letrën dhe me duar që i dridheshin shkroi atë letër që sot gjëndet në muzeumin “The Andes 1972” në Montevideo të Uruguait dhe që i kushtohet i tëri këtij aksidenti ajror.
Letra ishte spanjisht dhe teksti ishte ky:
“Unë vij nga një aeroplan i rrëzuar në male. Jam uruguajan. Kemi 10 ditë që ecim. Kam dhe një shok të plagosur këtu me mua. Në avion ka akoma dhe 14 persona të gjallë. Duhet të dalim që këtu dhe nuk e dimë se si. Nuk kemi ushqim dhe jemi të dobët. Kur do të vish të na marrësh? Ju lutem, ne nuk mund të ecim. Ku jemi këtu?”
Pasi lexoi shënimin e Parrados, njeriu në anën tjetër të lumit bëri një shenjë me dorë si për të thënë se e kish kuptuar problemin dhe menjëherë pas kësaj u drejtua nga dy shokët e tij për t’ju treguar rreth asaj që shkruhej në letrën e Parrados. Njëri nga dy shokët e tij, tha se kishte dëgjuar në radio për një avion të humbur në atë zonë të Andeve por kjo kishte disa javë apo muaj dhe askush nuk mund ta besonte se mund të kish akoma njerëz të gjallë nga ai aksident. Por gjërat ishtin ato që ishin dhe duke parë gjëndjen e atyre burrave nga krahu tjetër i lumit ata gjykuan se koha vërtet nuk priste. Menjëherë pas kësaj, njëri nga burrat vrapoi dhe mori ushqimet e tij dhe të shokëve dhe ja u hodhi Kanesës e Parrados në anën tjetër të lumit. Njeriu i letrës bëri shenjë me dorë që të prisnin aty, dhe u nis duke nxituar drejt rrjedhës së lumit për të kërkuar ndihmë. Që të lajmëronte për ndihmë atij do ti duhej të bënte rreth 120 km rrugë më këmbë dhe i duhej të nxitonte.
Ai njeri quhej Serxhio Katalan, një arriero siç i quajnë kilianët njerëzit që merren me mushka, njeri i thjeshtë e i mirë, i cili që nga ato momente e deri sa të rronte, përveç se do të bëhej pjesë e historisë së tragjedisë së Andeve, do të ngelte dhe mik për kokë me të mbijetuarit e saj.
Duke nxituar për në anën jugore të rrjedhës së Rio Azufre, Katalan takoi një tjetër arriero të cilit i tregoi shkurt për ngjarjen dhe i kërkoi të lajmëronte njerëzit që të shkonin në vëndin ku gjëndeshin Nando Parrado me Robert Kanesan. Më pas, Katalan, duke ndjekur Rio Azufre deri në derdhjen e tij në Rio Tinguiririca, kaloi një urë dhe arriti në një rrugë të ngushtë që lidhte fshatin Puente Negro me Termas del Flaco. Këtu, fati desh të takonte në një kamion, i cili e mori dhe e çoi në stacionin e policisë, në Puente Negro.
Në stacionin e policisë të shastisur nga lajmi, i telefonuan menjëherë komandës së ushtrisë në San Fernando të Kilit dhe këta të fundit kontaktuan me urgjencë me komandën eprore në Santiago. Ndërkohë njerëzit e lajmëruar nga Katalan shkuan dhe pasi i gjetën Parradon dhe Kanesan i sollën me mushka në Los Maitenes de Curico, ku i ushqyen dhe i lanë të pushonin.
…………..
Lajmi se ishin gjetur të mbijetuar 72 ditë pas aksidentit të avionit “Fairchild FH-227D” të Forcave Ajrore Uruguaiane, shkundi botën. Turma të tëra gazetarësh, kush e kush të bënte kronikën e parë, u nisën me urgjencë dhe marshuan për kilometra të tëra përgjatë rrugës nga Puente Negro për në Termas del Flaco ku thuhej se ishte vëndi pranë të cilit kish ndodhur aksidenti.
Të habitur deri në pabesim, Forcat Ajrore Kiliane nisën urgjentisht tre helikopterë të tipit “Bell UH-1”. Përmes resh e mjergullash të papara, helikopterët fluturuan për në Los Maitenes de Curico, ku ushtria tashmë kishte gjetur dhe marrë nën kujdes Parradon dhe Kanesën. Rreth mesditës, kur mjergulla ra, Parrado megjithëse shumë i dobët, doli vullnetar për të udhëhequr dy nga helikopterët për në vendin e aksidentit. Rrisku i fluturimit ishte shumë i madh dhe rrugës pilotët u habitën nga terreni tmerrësisht i vështirë nëpër të cilën dy burrat kishin udhëtuar për 10 ditë rresht në kërkim të ndihmës.
Pasditen e 22 dhjetorit 1972, të mbijetuarit e avionit “Fairchild FH-227D” ndërsa dëgjuan një zhurmë të çuditëshme helikash, dy helikopterë të Forcave Ajrore Kiliane “Bell UH-1” u shfaqën papritur mbi kreshtë duke sinjalizuar kështu dhe fundin e atij makthi të keq të ndoshta një prej historive më të mëdha të mbijetesës njerëzore. Në një foto të ruajtur të atyre momenteve vështirë të tregueshme, e marrë prej njërit nga helikopterët e shpëtimit, duken të mbijetuarit e shastisur dhe duar përpjetë nga e papritura më e gëzuar e mundëshme që po ju vinte prej qiellit.
.. Për shkak të lartësisë dhe të peshës, dy helikopterët mundën që atë pasdite të merrnin vetëm gjysmën e të mbijetuarve ndërsa shtatë të mbijetuarit e tjerë bashkë me katër anëtarë të ekipit të kërkim-shpëtimit qëndruan edhe atë natë në mal.
Fluturimi i dytë i helikopterëve u bë në mëngjesin e nesërm, datë 23 Dhjetor 1972. Pas ndihmave të para emergjente, të mbijetuarit u dërguan të gjithë nëpër spitalet e Santiagos ku filluan nga trajtimet e menjëhershme për një sërë problemesh të cilat përfshinin traumat mendore e psikologjike, sëmundjet e lartësive, verbërinë nga bora, dehidratimin, pasojat e ngrirjeve, thyerje kockash, skorbut, kequshqyerje e të tjera.
-Zhurma rreth kanibalizmit
Dëshmitarët e parë të kanibalizmit, pa llogaritur të mbijetuarit të cilët në fillim thanë se kishin jetuar me bimësi dhe disa rezerva që gjetën në avionin e shkatërruar, ishin ekipet e shpëtimit të cilët panë me sytë e tyre kockat e të vdekurve të shpërndara rreth trupit të avionit. Pavarësisht se lajmi qarkulloi shpejt, me ndërhyrjen e menjëherëshme të autoriteteve, u ndaluan, publikimet e çdo lloj fotoje apo informacioni që kish të bënte me të mbijetuarit. Nëpër dyert dhe dhomat e spitaleve ku trajtoheshin të mbijetuarit u stacionuan policë të armatosur të cilët kontrollonin njerëzit që hynin në dhomat e të mbijetuarëve.
Megjithë masat e marra, nisur nga rrjedhjet e informacionit dhe pikëpyetjet praktikisht te pashpjegueshme të kësaj mbijetese teorikisht të pamundur, thashethemet se ata kishin vrarë dhe ngrënë shokët e tyre, tronditën gjithë botën. Më 26 dhjetor, në faqet e para të dy gazetave kiliane, “La Tercera de la Hora” dhe “El Mercurio”, u publikuan dy fotografi, duket të dala nga anëtarët e Cuerpo de Socorro Andino (ekipet e shpëtimit), në njërën prej të cilave dukej një këmbë njeriu gjysmë e ngrënë dhe në tjetrën një shtyllë kurrizore e zhveshur plotësisht nga mishi. Ndërkohë komentatorët e lajmeve dhe njohësit e terrenit provonin se në vëndin e aksidentit nuk kishte absolutisht asnjë lloj flore e faune që mund të realizonte mbijetesën.
Të vënë përballë një presioni të jashtëzakonshëm, të mbijetuarit, pavarësisht gjëndjes së tyre jo të mirë fizike e psikologjike, u detyruan që më datën 28 Dhjetor të dilnin në një konferencë kolektive shtypi e cila u mbajt në Kolegjin Stella Maris të Montevideos.
Eshtë e tepërt të themi se sa i madh ishte interesimi rreth asaj konference shtypi.
Në emër të të mbijetuarëve foli Alfredo Delgado. Ai e pranoi se ata mbijetuan duke ngrënë mishin e kufomave të shokëve të vdekur dhe tha edhe se ata të gjithë kishin rënë dakord që nëse vdisnin, të mbeturit gjallë të mund të përdornin mishin e tyre për të mbijetuar. Dhe natyrisht që mohoi çdo rast të supozuar dhune apo ndonjë vrasje për qëllim ushqimi të ndonjërit prej viktimave të aksidentit. Në fjalën e tij, si fetar që ishte, ai i krahasoi veprimet e të mbijetuarve me ato të Jezu Krishtit në Darkën e Fundit, gjatë së cilës ai u dha dishepujve të tij Eukaristinë e cila sot celebrohet në gjithë kishat e botës me ceremonitë e Kungimit të Shejtë.
Ai përmëndi dhe faktin se megjithëse shumica e të vdekurve ishin ngrënë, gjëndeshin akoma si rezervë edhe 13 trupa të pakonsumuar të vdekurish, krejtësisht të paprekur dhe pa asnjë shenjë të dhunës njerëzore, të cilat provonin panevojshmërinë e vrasjes për ushqim dhe që mund të ekzaminoheshin e të shërbenin edhe si provë për ti liruar ata nga akuzat e vrasjes së shokëve.
Lajmi për mënyrën sesi mbijetuan viktimat e atij aksidenti, tërhoqi vëmendjen e gjithë mediave dhe popujve të botës dhe përgjithësisht u pa si një rast i komplikuar në sqarimin e të cilit përveç drejtësisë dhe mjekësisë u përzje dhe kisha katolike. Papa i asaj kohe, pas studimit të rastit dhe zbardhjes së situatës, nxori dhe një dekret, sipas të cilit kisha katolike, duke pasur parasysh natyrën ekstreme të situatës së tyre të mbijetesës, i lironte të mbijetuarit nga akuzat e krimit të kanibalizmit.
-Një varr për viktimat.
Ndërkohë që bota ziente, familjet e viktimave nuk mund të duronin më gjatë që kufomat dhe mbetjet e të dashurve të tyre të vazhdonin të dergjeshin të braktisura në vëndin e aksidentit. Autoritetet në marrëveshje me familjarët vendosën që mbetjet e të vdekurve të varroseshin në një varr të përbashkët pranë vëndit të aksidentit. Po aty u vendos që asnjë nga familjarët nuk do të lejoheshin në varrim.
Më 18 janar 1973, dymbëdhjetë burra dhe një prift kilian, u transportuan me helikopterë për në vendin e aksidentit. Diku rreth 700 – 800 metra larg nga vëndi i aksidentit, ata gjetën një vënd të gërmueshëm dhe të pa rrezikuar nga orteqet në të cilin gërmuan një varr të përbashkët ku futën 13 trupat e paprekur dhe gjithë mbetjet e tjera të atyre që ishin përdorur si ushqim.
..Në kohë vere kur shkrin bora, duket një grumbull gurësh dhe copërash avioni mbi të cilët është ngulur një kryq që ka marrë shtrembër nga vitet e gjata dhe erërat që nuk pushojnë kurrë së fryri.
Ai është varri ku prehen viktimat e atij aksidenti.
Po aty pranë gjëndet dhe një pllakë graniti, në të cilën shkruhet:
-EL MUNDO A SUS HERMANOS URUGUAYOS! CERCA, OH DIOS DE TI!
(Bota për vëllezërit e saj uruguajanë! Afër, me ty o Zot!)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull