Nga Çapajev Gjokutaj–
Pas viteve ’90 kemi bërë një kapërcim historik. Kemi fituar liritë themelore, janë hapur kufijtë, infrastruktura është përmirësuar dhe standardi i jetesës është rritur. Mundësitë për sipërmarrje dhe zgjedhje individuale janë shumë më të mëdha. Megjithatë, pakënaqësia kolektive mbetet e lartë. Ky kontrast mes përmirësimit objektiv dhe zhgënjimit subjektiv është shenjë e një modernizimi të shpejtë, por kaotik dhe ende të papërfunduar.
Sot kërkojmë e synojmë standarde perëndimore, institucione efikase, meritokraci dhe stabilitet. Po realiteti ecën më ngadalë se dëshirat dhe pritshmëritë tona dhe kjo përplasje sjell zhgënjim. Regjimi totalitar ishte represiv, por i parashikueshëm, e kundërta ndodh me demokracinë: është e lirë, por e paparashikueshme. Ka edhe një faktor plus që e bën më të perceptueshme pakënaqësinë: krahasimi i vazhdueshëm me Perëndimin, krahasim i ushqyer nga rrjetet sociale, nga diaspora dhe udhëtimet.
Standardi i jetesës është rritur, por me ritme shumë më të shpejta janë rritur pabarazitë. Për më tepër, pasurimi i një pjese të elitës ekonomike erdhi shpesh në rrugë të dyshimta, i ndihmuar nga krimi apo nga klientelizmi politik. Këto origjina të dyshimta dhe jo legjitime e bëjnë më të rëndë e më të padurueshëm perceptimin e pabarazisë. Është statistikë të thuash se 5% e shqiptarëve zotërojnë gati 90% të pasurisë kombëtare, por kjo kthehet në burim pakënaqësie të theksuar kur mendon se një pjesë e konsiderueshme u pasuruan jo falë punës, djersës e aftësive, po falë lidhjeve me politikën dhe krimin.
Padyshim që standardi i jetesës është përmirësuar dukshëm krahasuar me periudhën totalitare, po njeriu e jeton jetën jo duke u krahasuar me të djeshmen, po duke perceptuar të sotmen. Dhe e sotmja përmban një varg pasigurish në rrafsh ekonomik e social. Përmirësimi nuk përkthehet në siguri, por shpesh në zhgënjim.
Plaga hemorragjike e tranzicionit, plagë aktive për tri dekada e kusur, krahas përfitimeve ka ndarë familjet dhe ka dobësuar komunitetet. Të rinjtë largohen në masë, duke krijuar boshllëk emocional që nuk mbushet as me rritje ekonomike, as me liri. Nga një shoqëri e organizuar rreptësisht, jemi kthyer në një shoqëri të fragmentuar. Liria nuk ka ardhur vetëm, krahas saj ecën vetmia sociale.
Pakënaqësia lidhet edhe me dobësinë e institucioneve. Drejtësia mbetet e ngadaltë dhe selektive, administrata ka qenë dhe mbetet e politizuar. Kapja e shtetit dhe klientelizmi ushqejnë bindjen se lidhjet vlejnë më shumë sesa aftësitë. Shqipëria ka hyrë në demokraci, por jo në një normalitet demokratik. Ky tranzicion i tejzgjatur ushqen lodhje kolektive dhe pakënaqësi të vazhdueshme.
Duket qartë se pakënaqësia jonë nuk buron nga mungesa e progresit, por nga përplasja mes aspiratës dhe realitetit. Lirinë e kemi fituar, por kemi humbur sigurinë. Përmirësimi është i dukshëm, por krahasimi me Perëndimin e bën zhgënjimin edhe më të fortë. Paradoksi i ditëve tona “jetojmë më mirë, por jemi më të pakënaqur” ngjan se nuk do të jetë një dukuri kalimtare, ka për të na shoqëruar gjatë.
Ia dhashë këto shënime Lilos për të më dhënë një opinion. Ke harruar një faktor sa psikologjik aq edhe universal, më tha dhe vazhdoi: në rini thurim ëndrra se do bëjmë çudira, me kalimin e kohës shohim se ëndrra është një gjë, kurse realiteti një gjë tjetër. Ky hendek pjell keqardhje e ndjenjë faji. Po ndjenja e fajit të nxin jetën, ndaj për ta zbutur sadokudo, për të çliruar veten nga përgjegjësitë, priremi të fajësojmë turli lloj gjërash, nga osmanët që na pushtuan, na ndanë, nga Perëndimi që na la prapa, te fqinjët që kanë dashur e duan të na bëjnë gropën e deri tek politikanët e sotëm që na gënjejnë e na vjedhin. Parë kështu, përfundoi Lilua, pakënaqësia gjallon në kahjen nga brenda jashtë, nga ne te realiteti.
Mendje, mendje kjo dynja, thashë me vete, kurse Lilos ia ktheva me një buzëqeshje, ndryshe biseda do zgjatej e do bëhej tërkuzë…

